Gurët e fshikëzës urinare (Gurët vezikalë)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Gurët vezikalë janë gurë urinarë të lokalizuar në fshikëzën e urinës.
Gurët urinarë mund të formohen në veshka, ureter ose në fshikëzën urinare.
Gurët e fshikëzës urinare mund të shkaktojnë dhimbje gjatë urinimit ose mund të zbulohen rastësisht gjatë një egzaminimi ekografik të aparatit urinar.
Gurët e fshikëzës urinare grupohen në gurë parësorë dhe dytësorë. Gurët parësorë rezultojnë nga një sëmundje e rrugëve të eleminimit të urinës (fshikëza e urinës, prostata, uretra) si hipertrofia e prostatës ose ngushtimi i uretrës.

Gurët parësorë të fshikëzës së urinës
Formohen në rastet e pengesave në rrjedhjen e urinës në nivelin e fshikëzës së urinës, psh. për shkak të:
- Hipertrofisë beninje të prostatës
- Ngushtimit të uretrës
- Crregullimet e zbrazjes së fshikëzës së urinës, psh pas një traume të palcës së kurrizit.
Në këto raste, janë tepër të shpeshta infeksionet shoqëruese, të cilat favorizojnë formimin e gurëve urinarë.
Gurët dytësorë të fshikëzës së urinës
Formohen në pjesën e sipërme të aparatit urinar (veshka, ureterë). Ata zbresin në fshikëz spontanisht, ose për shkak të disa lëvizjeve, duke u vendosur aty.
Faktorët e mëposhtëm të rrezikut mund të favorizojnë formimin e gurëve në fshikëzën urinare:
- Formimi i gurëve ose kristaleve për shkak të një kateteri urinar
- Trupat e huaj në fshikëzën e urinës; gjatë disa praktikave seksuale, gurët e fshikëzës urinare mund të formohen përreth trupave të huaj të futur në organizëm.
- Nefritet
- Guta
- Diabeti i sheqerit
- Konsumi i ushqimeve që përmbajnë sasi të mëdha të acidit oksalik ose purinave (produkt i zbërthimit të të cilave është acidi urik); këta përbërës janë edhe në origjinën e gurëve të tëmthit.
- Konsumi i sasive të pamjaftueshme të lëngjeve
- Mungesa e aktivitetit fizik

Gurët e fshikëzës urinare mund të shkaktojnë këto simptoma:
- Ndërprerje të currilit të urinës gjatë urinimit
- Nevojë të detyrueshme për të urinuar, me eleminimin e sasive të pakta të urinës
- Ndjesinë e pranisë së një trupi të huaj
- Dhimbje në fund të urinimit; tek meshkujt dhimbja mund të përhapet deri në majën e penisit.
- Prani të gjakut në urinë, ndonjëherë i dukshëm edhe me sy të lirë

Diagnostikimi i gurëve të fshikëzës urinare bazohet në:
- Historinë e sëmundjes, veçanërisht nëse pacienti referon për gurë të mëparshëm në rrugët urinare
- Simptomat e pacientit
- Ekzaminimin radiografik të aparatit urinar
- Ekzaminimin ekografik të aparatit urinar
- Pielografinë intravenoze
- Analizat e gjakut
- Analizat e urinës
Në rastet e gurëve të mëparshëm të nxjerrë nga rrugët urinare, është jashtëzakonisht e rëndësishme analiza e gurit, për të përcaktuar përbërjen e tij, në mënyrë që të parandalohet përsëritja e tij.
Gurët e vegjël të fshikëzës urinare mund të hiqen gjatë cistoskopisë. Gurët më të mëdhenj duhet të hiqen nën efektin e anestezisë. Ndonjëherë, është e nevojshme të reduktohet madhësia e tyre me anën e sondave me ultratinguj, dhe më pas të kryhet heqja e gurëve.
Mënyra të tjera kirurgjikale
- Trajtimi me valë goditëse, që lejon shkatërrimin e gurëve të fshikëzës së urinës.
- Gurët më të mëdhenj duhet të hiqen nëpërmjet ndërhyrjes kirurgjikale të hapur.
Medikamentet që rekomandohen në këto raste janë:
Për gurët e fshikëzës së urinës që janë dytësorë, duhet të hiqen gurët që gjenden në pjesën e sipërme të sistemit urinar (në veshka dhe ureterë).
Në rastin e bllokimit të rrugëve urinare, duhet të trajtohen sëmundjet kryesore (si psh. hipertrofia beninje e prostatës).
Gurët që bllokojnë uretrën mund të hiqen nën efektin e anestezisë lokale nëpërmjet endoskopisë uretrale.

Mënyra kryesore e parandalimit të gurëve urinarë është ndryshimi i mënyrës së ushqyerjes, që konsiston në pakësimin e ushqimeve që përmbajnë sasi të mëdha të purinave dhe acidit oksalik.
Ushqimet e pasura në purina janë:
- Të brendshmet (mëlçitë, veshkat)
- Frutat e detit
- Lëkura e pulës, derrit dhe peshkut
- Thjerrëzat, bizelet, fasulet
Ushqimet e pasura në acid oksalik janë:
- Brokoli
- Spinaqi
- Selino
- Sallata jeshile
- Cokollata, kakao
- Karotat
Masa të tjera ndihmëse janë: konsumi i sasive të mëdha të lëngjeve, të paktën 2-3 litra në ditë, dhe aktivitet fizik i rregullt.