Pruriti (Kruajtjet)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Pruriti mund të manifestohet në mënyra të ndryshme: si gudulisje, ndjesi shpimi gjilpërash, djegie dhe dhimbje. Ai është i lidhur me nevojën për të kruajtur një zonë të caktuar të trupit ose gjithë trupin. Si pasojë e kruajtjes së lëkurës formohen gërvishtje, të cilat i theksojnë edhe më shumë kruajtjet, duke shkaktuar plagë në lëkurë, që shpesh infektohen.
Çrregullimet shoqëruese të pruritit janë: plagët sipërfaqësore të lëkurës, të shkaktuara nga kruajtjet, skuqja e lëkurës , enjtja e saj, shfaqja e elementeve në lëkurë (papula , pustula, kokrra, rrjepje të lëkurës, etj.), sekrecione vaginale.Pruriti është një simptomë e shumë sëmundjeve të lëkurës, si edhe e sëmundjeve të tjera, të tilla si diabeti i sheqerit, mungesa e hekurit ose sëmundjet e tiroides. Pjesa më e madhe e sëmundjeve gjenitale ose anale manifestohen gjithashtu me prurit. Në origjinën e një pruriti mund të jenë edhe sëmundje të tjera nervore, alergjike, psiqike ose përdorimi i medikamenteve të ndryshme.
Sëmundjet e lëkurës që shkaktojnë prurit janë:
- Dermatiti atopik, ekzema atopike, dermatiti i foshnjave
- Mykoza e lëkurës ose e këmbëve
- Urtikaria
- Psoriaza
- Fotodermatoza, dermatoza fotoalergjike, çrregullimi fotoalergjik
- Lëkura e thatë
Sëmundjet nervore ose të brendshme që shkaktojnë prurit janë:
- Diabeti i sheqerit
- Hipertireoza, hipotireoza
- Çrregullimet e qarkullimit të gjakut
- Insufiçienca renale kronike
- Sëmundjet e mëlçisë ose tëmthit
- Hepatiti
- Skleroza e shumëfishtë
Pruriti i përgjithshëm ose anal shkaktohet nga:
- Hemorroidet
- Zgjebja
- Herpesi gjenital
- Tek femrat: mungesa e estrogjeneve gjatë menopauzës, mykoza vaginale, vaginiti, higjiena gjenitale e pamjaftueshme ose e egzagjeruar (me kruajtje në zonën gjenitale).
Shkaqe të tjera të pruritit:
- Shtatzania, kryesisht gjatë tremujorit të tretë
- Efektet e padëshiruara të medikamenteve
- Lëkura e thatë (pruriti senil)
- Mungesa e hekurit
- Sëmundjet infektive, si fruthi, rubeola, lija
- Parazitet
- Pickimi i insekteve: kruajtjet gjatë reaksionit alergjik
- Pruriti psikogjen: në rastin e skizofrenisë, çrregullimeve obsesionale kompulsive, fobia nga parazitët (gjendje deliri ku pacienti fantazon sikur krimbat ose insektet i lëvizin në lëkurë)
- Kanceret
Të kruajturit e lehtëson pruritin vetëm për pak kohë. Nëse lëkura kruhet në mënyrë konstante, mund të infektohet dhe të theksojë pruritin. Për këtë arsye, është më mirë të evitohet kruajtja e lëkurës, që në fakt jo gjithmonë është e mundur. Për këtë qëllim, është e rëndësishme të njihen disa faktorë përkeqësues të kruajtjeve, në mënyrë që të evitohen sa herë që është e mundur.
Faktorët që i përkeqësojnë kruajtjet janë:
- Thatësia e lëkurës, e shkaktuar psh. nga larja e tepruar, banjat dhe dushet e gjata
- Stresi
- Alergenët ambientalë
- Djersitja
- Dhomat e mbinxehura
- Veshjet e shtrënguara (sintetike)
- Pijet e nxehta, ushqimet pikante ose alkooli
Faktorët që i lehtësojnë kruajtjet janë:
- Kompresat e ftohta, dushet freskuese
- Kompresat me uthull ose çaj të zi (freskojnë dhe qetësojnë lëkurën)
- Kremrat/solucionet që përmbajnë substanca kundër kruajtjeve (si psh. ure, mentol)
- Sapunët joalkalinë, vajrat zbutëse
- Gjatë sëmundjeve të lëkurës: të mos kruhet trupi, por të fashohet
- Hidratimi i rregullt i lëkurës me kremra hidratante tek personat me lëkurë të thatë
- Veshjet e lirshme, të buta, me bazë fibrash natyrale si pambuku, dhe jo materiale sintetike dhe leshi
- Aplikimi i teknikave relaksuese, si trajnimi autogjen ose relaksimi muskular progresiv
- Veshja e dorezave prej pambuku para gjumit në rastet kur kruajtjet shfaqen gjatë natës.
Pruriti i vazhdueshëm mund të jetë shenjë e një sëmundjeje serioze dhe në çdo rast është i domosdoshëmn konsultimi mjekësor.
Nëse kruajtjet shfaqen pas fillimit të një medikamenti të ri, duhet të kontaktohet mjeku trajtues për mundësinë e ndërprerjes së tij.
Me cilin mjek duhet të konsultoheni?
- Mjeku i familjes (i përgjithshëm)
- Mjeku internist
- Mjeku dermatolog
- Mjeku gjinekolog
- Mjeku urolog
- Mjeku neurolog
- Psikologu / psikoterapisti
Për të patur një tablo sa më të qartë për problemet aktuale dhe shkaqet e mundshme të tyre, mjeku fillimisht njihet me historinë mjekësore personale të pacientit (anamneza) dhe kryen egzaminimin klinik me mjete të thjeshta (vëzhgimi, analiza, palpacioni, auskultacioni, testet funksionale, etj). Më pas, mjeku mund të rekomandojë edhe egzaminime të tjera më specifike, sipas rastit.
Historia mjekësore personale (anamneza) bazohet tek:
- Pyetjet e lidhura me pruritin: prej sa kohësh është shfaqur, me çfarë intensiteti, karakteri i kruajtjeve (gudulisje, shpim gjilpërash, djegie, etj.), në ndonjë pjesë të trupit apo në të gjithë trupin, të vazhdueshme apo me periudha, në situata të veçanta, i lidhur me temperaturën ose jo, faktorët shpërthyes, faktorët lehtësues, faktorët përkeqësues.
- Njohja me simptomat shoqëruese (shih më sipër)
- Njohja me sëmundjet bashkëshoqëruese, problemet mjekësore personale të mëparshme, si sëmundje të lëkurës dhe mëlçisë
- Informimi i mjekut mbi sëmundjet ose shkaqe vdekjeve në familjen e pacientit
- Informimi mbi përdorimin e mundshëm të ndonjë medikamenti
- Informimi lidhur me ndonjë alergji të mundshme
- Informimi mbi kushtet e jetesës, aspektet profesionale dhe sociale të pacientit
- Informimi mbi cilësinë e jetës së pacientit: ushqyerja, gjumi, produktet që konsumon (kafeja, alkooli, nikotina, drogat), stresi, etj.
Egzaminimi fizik konsiston në:
- Inspektimin e lëkurës së të gjithë trupit, duke përfshirë edhe lëkurën e flokëve, mukozat, sqetullat, thonjtë, si dhe zonat gjenitale dhe anale. Mjeku i vlerëson këto zona, duke kërkuar edhe shenja të kruajtjve në to (gërvishtje nga thonjtë)
- Egzaminimin e përgjithshëm fizik, që përfshin palpimin e nyjeve limfatike, shpretkës, mëlçisë, veshkave dhe gjendrës tiroide.
Egzaminime të tjera shtesë:
- Egzaminimet laboratorike që kanë lidhje me treguesit e inflamacionit, të funksionit të mëlçisë, si dhe gjakut
- Analizat e urinës dhe feçeve
- Testet e alergjisë
- Biopsia e lëkurës
- Kultura e lëkurës
- Egzaminimet imazherike, si ekografia, radiografia, skaneri, rezonanca magnetike
- Gastroskopia, kolonoskopia
- Egzaminet tek neurologu, gjinekologu, urologu dhe psikiatri
Trajtimi mjekësor i pruritit varet kryesisht nga shkaku. Kur origjina e tij mbetet e panjohur, ose kur kruajtjet janë tepër të forta, rekomandohet trajtim simptomatik (shih më poshtë). Njëkohësisht, rekomandohet edhe zbatimi i masave të përshkruara më sipër, veçanërisht rehidratimi i lëkurës. Nuk duhet neglizhuar edhe trajtimi i plagëve të shkaktuara në lëkurë nga kruajtjet.
Trajtimi i shkakut
Në çdo rast kur sëmundja shkaktare e pruritit është e njohur dhe trajtohet, edhe pruriti zhduket. Raste të tilla janë psh.: trajtimi i një sëmundjeje të lëkurës, evitimi i alergenëve të kontaktit, ndërprerja e medikamenteve shkaktare të pruritit, trajtimi specifik i një sëmundjeje të brendshme, i shkaqeve psiqike, nervore ose kanceroze.
Trajtimi medikamentoz
Kur kruajtjet janë lokale, mund të aplikohen kremra, xhele dhe solucione ose pudra për qetësimin e tyre.
Pruriti i përgjithshëm mund të trajtohet vetëm me medikamente, të cilat janë:
- Antibiotikët për infeksionet bakteriale, antimykotikët për kërpudhat
- Antihistaminimkët ose antialergjikët për alergjitë, urtikarien ose pickimet nga insektet
- Në raste inflamacionesh: përdorimi i kortizonikëve që qetësojnë kruajtjet. Kujdes: respektoni këshillën e mjekut dhe mos e ndryshoni dozën e medikamentit pa u konsultuar më parë me të, sepse gjatë përdorimit për kohë të gjatë ose shumë shpesh të kortizonit mund të shfaqen efekte të padëshiruara.
Forma të tjera të trajtimit të pruritit
Terapia e dritës me rreze UVB ose elektropunktura kanë rezultuar efikase kundër pruritit. Terapitë e relaksimit, të tilla si trajnimi autogen ose relaksimi muskular progresiv mund të jenë gjithashtu të vlefshme.
Psikoterapia
Stresi ose faktorë të tjerë psikogjenikë mund të jenë në origjinën e kruajtjeve ose t’i përkeqësojnë ato. Pruriti kronik mund të prishë ndjeshëm cilësinë e jetës së pacientit, duke u manifestuar me çrregullime të gjumit , madje edhe deri me depresion. Pikërisht për këtë arsye, konsultimi me një psikoterapist luan një rol tepër të madh në trajtimin e pruritit.