logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Gerhard EmrichDr. med. Daniel DesalmandDoris Zumbühl)
Hipoglicemia në diabet: kërkohet veprim i menjëhershëm.
Hipoglicemia në diabet: kërkohet veprim i menjëhershëm.

Diabeti i sheqerit është një sëmundje kronike, e karakterizuar nga rritja e nivelit të sheqerit në gjak. Në rast se nuk trajtohet në mënyrë korrekte, kjo sëmundje shoqërohet nga ndërlikime të ndryshme, të afërta dhe të largëta në kohë. Pikërisht një nga këto ndërlikime konsiderohet edhe hipoglicemia, që përfaqëson uljen e nivelit të sheqerit në gjak. 

Njihen dy forma të diabetit të sheqerit: Diabeti i tipit 1 dhe diabeti i tipit 2.

Në rastin e uljes së sheqerit, niveli i tij në gjak arrin nën nivelin kritik, që konsiderohet zakonisht 50 mg/dl tek personat e rritur. Organizmi, në këto raste, përgjigjet duke hedhur në qarkullim sasi të shtuara të një hormoni të quajtur adrenalinë.

Njihen dy forma të uljes së sheqerit:

  • Forma e lehtë, që përfshin të gjitha ato raste kur, edhe pse ka ndodhur ulja e sheqerit, pacienti reagon akoma dhe mund ta menaxhojë vetë situatën.
  • Forma e rëndë, që përfshin të gjitha ato raste kur pas rënies së sheqerit, pacienti nuk është më i aftë ta menaxhojë vetë situatën.

Ndër shkaqet e mundshme të  rënies së sheqerit tek personat me diabet të sheqerit, mund të përmendim:

  • Mbiprodhimi i insulinës, një hormon ky që prodhohet në pankreas dhe përgjegjigjet për rregullimin e nivelit të sheqerit në gjak. Kjo situatë është zakonisht  e lidhur me praninë e një tumori të pankreasit, të lokalizuar në qelizat që prodhojnë insulinën, prej nga edhe emërtohet “ insulinomë ”.
  • Ushqyerja e pamjaftueshme në një vakt të caktuar, e shoqëruar me doza të pandryshuara të insulinës. Normalisht, diabetiku duhet t’i përshtasë dozat e insulinës në çdo vakt, në varësi të sasisë dhe tipit të ushqimit që konsumon, si dhe të shkallës së aktivitetit fizik që kryen gjatë ditës.  
  • Konsumi i alkoolit tek personat me diabet të sheqerit nxit ose thellon uljen e nivelit të sheqerit në gjak.
  • Aktiviteti  fizik i theksuar, jo i zakonshëm, shoqëruar me doza të pandryshuara të insulinës
  • Ushqyerje tepër e varfër në sheqerna, si pasojë e mungesës së këshillimit me specialistin endokrinolog ose dietolog, ose e këshillimit me persona të pakualifikuar në këtë drejtim.

Ulja e nivelit të sheqerit në gjak shoqërohet nga shtimi kompensues i nivelit të adrenalinës në gjak. Kjo reflektohet me simptomat e mëposhtme:

Sheqeri i ulët në diabet: matja e nivelit të sheqerit në gjak.
Sheqeri i ulët në diabet: matja e nivelit të sheqerit në gjak.
Në rast se personi diabetik, pas uljes së nivelit të sheqerit në gjak paraqitet tek mjeku specialist endokrinolog ose diabetolog, egzaminimi i tij duhet të konsistojë në:
  • Vlerësimin e gjendjes së pacientit në momentin e konsultës, veçanërisht sa i ndërgjegjshëm është ai;
  • Njohja në mënyrë të detajuar me simptomat e pacientit dhe historinë e fillimit të tyre;
  • Analiza e gjakut për matjen e nivelit të sheqerit në të (glicemia).
Hipoglicemia në diabet: sheqeri ose diçka e ngjashme me të mund të shpëtojë jetën.
Hipoglicemia në diabet: sheqeri ose diçka e ngjashme me të mund të shpëtojë jetën.

Trajtimi i uljes së nivelit të sheqerit në gjak tek personat me diabet sheqeri, varet drejtpërsëdrejti nga gjendja e vetë pacientit, pasi proçedurat e zbatuara në rastet kur pacienti është i ndërgjegjshëm janë të ndryshme nga ato kur ai e ka humbur ndërgjegjen. Më poshtë paraqiten në mënyrë të hollësishme këto proçedura, për secilin rast.

Kur pacienti është ende i ndërgjegjshëm, pra, nuk i ka humbur ndjenjat, ai duhet të marrë menjëherë sheqer të thjeshtë nga goja, në formë pluhuri 1-2 lugë kafe, 1-2 copa ose 1-2 paketa të vogla. Gjithashtu sheqeri mund të merret edhe i tretur në ujë, në formën e sherbetit të trashë. Në këtë situatë mund të jenë të dobishme gjithashtu: lëngu i frutave, koka-kola me sheqer në përmbajtje (jodietike), limonata me sheqer ose 1-2 feta buke, që i korrespondojnë 25-50 gramëve karbohidrate (sheqer). Pacienti mund të marrë njërin nga produktet e mësipërme, në varësi të kushteve. Rëndësi ka që ai të veprojë sa më shpejt, në mënyrë që të mos lejojë uljen e mëtejshme të nivelit të sheqerit.
Pas rreth 15 minutash nga marrja e produkteve të mësipërme, pacienti duhet të ndjehet më mirë.

Kur pacienti nuk është i ndërgjegjshëm (ka humbur ndjenjat), ai nuk mund të kujdeset për veten dhe ka nevojë për ndihmën e personave të tjerë. Veprimet që duhen kryer detyrimisht kur pacienti nuk është i ndërgjegjshëm, me qëllim parandalimin e asfiksimit të tij (bllokimin e frymëmarrjes nga futja brenda e gjuhës), janë:

  • Pacienti duhet të vendoset në pozicion anësor, të qëndrueshëm (në brinjë).
  • Nuk duhet të tentohet asnjëherë t’i jepen lëngje nga goja kur personi është pa ndjenja.
  • Po të jetë e mundur, duhet t’i injektohet glukagon  (hormon që prodhohet në pankreas dhe rrit nivelin e sheqerit në gjak), në indin dhjamor të nënlëkurës, në zonën e krahëve, të  vitheve, ose të kofshëve.
  • Duhet njoftuar sa më parë një mjek!

 Këshilla

Nëse jeni diagnostikuar me sëmundjen e diabetit të sheqerit, për të parandaluar episodet e uljes së sheqerit në gjak, është e rekomandueshme të ndiqni këshillat e mëposhtme:

Nëse konstatoni ndonjërën nga shenjat paralajmëruese të uljes së sheqerit (të përmendura më sipër),
  • duhet të matni menjëherë nivelin e sheqerit në gjak me anën e aparatit personal që dispononi,
  • duhet ta shënoni vlerën diku dhe të informoni menjëherë mjekun tuaj endokrinolog ose diabetolog rreth situatës. Vetëm në këtë mënyrë, duke ditur nivelin e sheqerit në momentin e simptomave, mjeku mund t’ju orientojë lidhur me dozën e insulinës që do të injektoni më pas. Kjo do të evitonte uljen e mëtejshme të sheqerit.
  • Matjet e nivelit të sheqerit në gjak, me anën e aparatit personal (glukometri) duhet të kryhen në momente të ndryshme të ditës, si dhe në ditë të ndryshme. Kjo nënkupton që matjet nuk duhet të kryhen vetëm në një orar, por në të tre oraret përpara injeksionit të insulinës. Kështu, një ditë mund të matet në mëngjes, ditën tjetër në drekë dhe në ditën pasardhëse në darkë, gjithnjë përpara se të injektohet insulina. Nëse pacienti trajtohet vetëm me dy injeksione insuline në ditë, mjaftojnë matjet në mëgjes dhe në darkë. Vetëm në këtë mënyrë mund të kontrollohet në vazhdimësi niveli i sheqerit  dhe të evitohen luhatjet e tij gjatë ditës.
  • Pacienti diabetik duhet të mbajë gjithnjë me vete sheqer (me paketa ose kokrra), ose karamele, ose pije të ëmbla, për t’i përdorur ato në çdo situatë, në çdo vend ku ai mund të ndiejë shenjat paralajmëruese të uljes së sheqerit.
  • Proçesi i të ushqyerit është mjaft i rëndësishëm tek personat diabetikë, madje ai përfaqëson shtyllën kryesore të trajtimit në ditët e sotme. Cdo person, menjëherë pas diagnostikimit me sëmundjen e diabetit të sheqerit, duhet të konsultohet nga një mjek endokrinolog dhe nga një dietolog, që do ta informojë atë lidhur me mënyrën e ushqyerjes, shpërndarjen e ushqimit gjatë ditës, respektimin e ngrënies së shpeshtë dhe në sasi të vogla (5-6 herë në ditë), si dhe të trainohet mbi përgatitjen e vakteve me kombinime të ushqimeve të ndryshme, sipas përmbajtjes së tyre në sheqer (karbohidrate).
  • Konsumi i alkoolit duhet të evitohet, pasi ai nxit ose thellon uljen e nivelit të sheqerit në pacientët diabetikë.
  • Aktiviteti fizik, së bashku me mënyrën e ushqyerjes, janë elementet bazë të menaxhimit korrekt të diabetit të sheqerit, veçanërisht në rastin e diabetit tip 2, që haset përgjithësisht tek personat e dhjamosur (obezë). Është mjaft e rëndësishme që tek diabetikët aktiviteti fizik të jetë i rregullt dhe të mos shoqërohet nga Konsumi i alkoolit.
  • Trajtimi me insulinë dhe me tableta i diabetit duhet të kryhet sipas dozave dhe orareve të rekomanduara nga mjeku specialist. Në rastin e insulinës, doza duhet të ndryshohet  sipas rastit, në varësi të ushqyerjes ditore dhe shkallës së aktivitetit fizik. Në çdo rast paqartësie ose pasigurie, duhet të kontaktohet mjeku specialist.
  • Nuk duhet të neglizhohen ose të harrohen vaktet e vogla, ndërmjet vakteve të mëdha (paradite dhe pasdite), pasi në këto intervale mundësia që niveli i sheqerit të ulet në gjak është e madhe, sepse efekti i medikamenteve të përdorura për diabetin (tableta ose insulinë) është maksimal.
  • Personat e diagnostikuar me sëmundjen e diabetit të sheqerit duhet të mbajnë gjithnjë me vete një dokument, ku të kenë të shënuar “JAM DIABETIK”. Vetëm në këtë mënyrë, në rastet e uljes së sheqerit me humbje të ndërgjegjes, personat që do të duhet të japin ndihmën e parë do të informohen rreth situatës dhe do të jenë më të dobishëm me ndihmën e tyre.

Ulja e lehtë e sheqerit mund të menaxhohet plotësisht nga vetë i sëmuri diabetik, nëpërmjet përdorimit të produkteve ushqimore që përmbajnë sheqer (shih më sipër). Gjithsesi, ky fenomen duhet të evitohet sa më shumë që të jetë e mundur. Ulja e sheqerit e formës së rëndë përbën një urgjencë të vërtetë mjekësore, pasi jeta e pacientit është në rrezik. Për këtë arsye, në këto raste duhet të njoftohet sa më parë shërbimi i urgjencës për ndihmë të specializuar.

Hipoglicemia në diabet: kontrolloni nivelin e sheqerit në gjak para se të merrni insulinë
Hipoglicemia në diabet: kontrolloni nivelin e sheqerit në gjak para se të merrni insulinë

Për të parandaluar hipogliceminë, tek personat me diabet të sheqerit rekomandohen këto masa:

  • Nëse ndjeni simptoma, matni menjëherë sheqerin në gjak dhe shkruani vlerat; ato i nevojiten mjekut për të modifikuar dozat e insulinës ose të tabletave që përdorni për diabetin.
  • Matni sheqerin në gjak në periudha të ndryshme të ditës.
  • Mbajini gati glukozën ose pijet që përmbajnë sheqer dhe merrini ato menjëherë.
  • Respektoni regjimin ushqimor me ushqimet e përshkruara nga mjeku Endokrinolog ose nga Dietologu.
  • Shmangni alkoolin
  • Shmangni aktivitetin e madh fizik pasi keni pirë alkool.
  • Respektoni dozat e insulinës në përputhje me udhëzimin e mjekut.

Dr. med. Gerhard Emrich

Gerhard Emrich ka studiuar Mjekësi në Vjenë. Ai është një gazetar mjekësor me shumë vite përvojë në shkrime mjekësore.

Dr. med. Daniel Desalmand

Daniel Desalmand ka studiuar Mjekësi në Bern. Pas diplomimit, ai ka patur një përvojë të gjatë klinike në Kirurgji dhe Mjekësi të Brendshme përpara se t'i kushtohej gazetarisë shkencore.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.