Kolonoskopia (Ekzaminimi endoskopik i zorrës së trashë)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Çfarë është kolonoskopia?
Kolonoskopia eshtë një ekzaminim i pjesës së poshtme të zorrës së hollë dhe i të gjithë zorrës së trashë, që mbyllet me anusin. Ekzaminimi kryhet me ndihmën e endoskopit (kolonoskopit), që është një pajisje e përbërë nga një tub i përkulshëm (fleksibël), i pajisur me një llampë dhe një kamera të vogël, e cila e përcjell imazhin të zmadhuar në një monitor (videoendoskopi). Nëpërmjet saj mjeku mund të ekzaminojë brendësinë e zorrës së trashë, të marrë kampione qelizore për ekzaminim ose të kryejë ndërhyrje të vogla, si psh. heqje të polipeve të zorrës. Kolonoskopia shërben për të gjetur shkakun e simptomave, për trajtimin dhe ndjekjen e ecurisë së sëmundjeve të zorrës së trashë, si dhe për zbulimin e hershëm të kancerit të zorrës.
Kolonoskopia është një ekzaminim i shërbimit të Gastroenterologjisë dhe pjesë e Mjekësisë interne (të organeve të brendshme).
A është e nevojshme ndonjë përgatitje paraprake specifike e pacientit?
Përpara kryerjes së kolonoskopisë duhet bërë pastrimi i zorrës. Pacienti udhëzohet paraprakisht për proçedurën dhe medikamentet e nevojshme që duhet të merren: laksativë dhe shumë lëngje.
Çfarë sqarimi nevojitet para ekzaminimit?
Për kryerjen e kolonoskopisë duhet të kontrollohet niveli i koagulimit të gjakut me anë të analizës së gjakut (niveli i protrombinës/INR). Pacientët që marrin hollues gjaku, duhet t’i ndërpresin ato mundësisht disa ditë përpara, ose të zëvendësohet marrja e tyre me heparinë që injektohet në bark. Çdo veprim duhet të kryhet me udhëzimin e mjekut.
Si kryhet kolonoskopia?
Gjatë ekzaminimit, kolonoskopi futet butësisht përmes anusit në rektum dhe ngjitet lart në zorrën e trashë. Instrumenti fleksibël i mundëson mjekut që të vëzhgojë edhe kthesat e zorrës. Kolonoskopi duhet të futet ngadalë nën drejtimin e imazheve të shfaqura në monitor, duke përparuar nga fundi i sipërm i zorrës së trashë drejt fundit të poshtëm të zorrës së hollë. Për një pamje më të mirë, nëpërmjet kanalit të ajrit bëhet futja e ajrit, që të dallohet më mirë mukoza e zorrës së trashë. Nëpërmjet kanalit të lirë mund të kalohen edhe intrumenta, si pinca e hollë e biopsisë për marrjen e materialit indor, apo të bëhet heqja e polipeve. Kjo proçedurë është e padhimbshme, pasi mungon inervimi në zorrën e trashë. I gjithë ekzaminimi zgjat rreth 30 minuta. Edhe pse e padhimbshme, tek disa pacientë proçedura lë një ndjesi të pakëndshme, parehatie. Shumë pacientë i nënshtrohen efektit të qetësuesve, shpeshherë sipas dëshirës së tyre.
Kur kryhet kolonoskopia?
Ekzaminimi shërben për diagnostikimin dhe kontrollin e ecurisë së trajtimit të sëmundjeve të zorrës së trashë dhe fundit të poshtëm të zorrës së hollë.
Shkaqet më të shpeshta që kërkojnë kryerjen e kolonoskopisë, janë:
- Dhimbje të pashpjegueshme, të herëpashershme të barkut
- Gjakderdhje nga anusi
- Gjak në feçe (melena)
- Gjak okult në feçe
- Problemet me jashtëqitjen (alternime të diarresë dhe kapsllëkut)
- Humbja e padëshiruar e peshës
- Sëmundje inflamatore të zorrës, si Sëmundja Crohn, Koliti ulçeroz.
- Tumore të zorrës (depistim i tumoreve, heqje e polipeve, si dhe trajtim dhe ndjekje e ecurisë së sëmundjeve të zorrës)
A paraqet rreziqe apo efekte të padëshiruara kolonoskopia?
Ky ekzaminim është përgjithësisht i parrezikshëm. Komplikacionet e rënda, si dëmtimi apo shpimi i murit të zorrës nga instrumenti ekzaminues janë jashtëzakonisht të rralla, sepse punohet duke monitoruar vazhdimisht pamjet. Dëmtime të tilla mund të ndodhin në rastin e inflamacioneve të rënda apo indeve tepër të buta. Hemorragjia mund të ndodhë për shkak të dëmtimit të mukozës së zorrës, si psh. në rastin e marrjes së një kampioni indor për biopsi apo të heqjes së polipeve.