Urinimi i pavullnetshëm (Inkontinenca urinare, Mosmbajtja e urinës)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)
Inkontinenca urinare (urinimi i pavullnetshëm) përfaqëson daljen aksidentale dhe të pavullnetshme të urinës, që mund të variojë nga disa pika të vogla deri në sasi të bollshme.
Egzistojnë disa tipe të saj:
- Inkontinenca urinare gjatë sforcimit: kjo formë është më e përhapur tek femrat. Gjatë sforcimeve fizike të tilla si sporti, kolla, teshtima, e qeshura, ngjitja e shkallëve ose ngritja e një objekti, menjëherë del një sasi urine, pa asnjë nevojë paraprake.
- Inkontinenca urinare e lidhur me një hiperaktivitet të fshikëzës urinare (mosmbajtja e urinës e detyrueshme ose e urgjencës): ky tip manifestohet nga nevoja urgjente dhe e pakontrrollueshme për të urinuar, që shfaqet edhe kur fshikëza nuk është e mbushur plot. Shfaqet edhe gjatë natës, dhe pasohet nga urinimi në sasi të pakët. Ky tip inkontinence është më i shpeshtë tek meshkujt, i lidhur me një fshikëz urinare tepër aktive.
- Inkontinenca urinare e përzier: karakterizohet nga kombinimi i dy tipeve të mësipërme.
- Inkontinenca urinare nga tejmbushja: edhe pse fshikëza është e mbushur plot, nuk mund të zbrazet plotësisht, duke u manifestuar me një urinim të pakët, me pika të vogla. Shkaku i këtij tipi inkontinence është më shpesh një çrregullim i rrjedhjes së urinës nga fshikëza.
- Format e veçanta: janë manifestim i një dëmtimi nervor, si pasojë e disa sëmundjeve nervore ose traumave të palcës kurrizore.
Dalja e pavullnetshme e urinës shoqërohet nga një diskomfort i madh për pacientin, që mund të arrijë deri në pasoja psikologjike dhe sociale. Ai mbyllet në vetvete, eviton daljet nga shtëpia për një kohë të gjatë, duke kaluar në gjendjen e depresionit.
Çrregullimet shoqëruese të inkontinencës urinare janë: dhimbjet gjatë urinimit (kur ka infeksione urinare ), shfaqja e gjakut në urinë (në infeksionet urinare, tumoret e fshikëzës urinare ose pas një ndërhyrjeje kirurgjikale).Inkontinenca urinare tek femrat shkaktohet më shpesh nga lëshimi i perineumit, muskulit përgjegjës për nxjerrjen dhe mbajtjen e urinës. Gjatë një sforcimi fizik, presioni në bark rritet, duke rritur edhe presionin mbi fshikëzën e urinës. Nëse perineumi është i dobësuar, ai nuk e kundërshton dot më këtë presion të rritur: pë pasojë, urina rrjedh në mënyrë të pavullnetshme.
Tek meshkujt, urinimi i pavullnetshëm gjatë sforcimit shfaqet kur perineumi është dëmtuar pas një operacioni të regjionit perineal (psh.pas një ndërhyrjeje kirurgjikale për trajtimin e një kanceri të prostatës).
Shkaqet e dobësimit të perineumit tek femrat janë:
- Dobësimi i indeve lidhore nga lindja
- Numri i madh i lindjeve me rrugë natyrale (nga vagina)
- Mbipesha trupore, mungesa e aktivitetit fizik
- Prolapsi i mitrës (histerocela), prolapsi i vaginës (kolpocela)
- Menopauza (mungesa e estrogjenëve)
- Dëmtimet e sfinkterit (psh. gjatë operacioneve abdominale ose perineale)
- Sëmundjet që shkaktojnë një shtim kronik të presionit në bark, të tilla si kapsllëku kronik (shtimi i presionit gjatë jashtëqitjes) ose një kollë e përhershme gjatë bronkitit kronik.
Shkaqet e inkontinencës të lidhura me një aktivitet të shtuar të fshikëzës urinare (inkontinenca e detyruar, urgjente) janë pasojë e: një muskuli hiperaktiv të fshikëzës, ose një sëmundjeje të trurit, të nervave përgjegjës për kontrrollin e funksionit të fshikëzës urinare.
Shkaqet më të shpeshta të inkontinencës së detyruar (urgjente) janë:
- Cistiti (inflamacioni i fshikëzës urinare)
- Gurët e rrugëve urinare
- Tumoret e fshikëzës urinare
- Radioterapia e legenit
- Konsumi i tepruar i kafesë, çajit ose alkoolit
- Sëmundjet e sistemit nervor: skleroza multiple, sëmundja e Parkinsonit, hernia diskale e rëndë, demenca senile, pas një aksidenti vaskular cerebral, tumori i turit.
Në rastet e inkontinencës urinare nga mbushja e tepërt e fshikëzës, fshikëza është e paaftë të zbrazet dhe të nxjerrë urinën. Bëhet fjalë për një pengesë në pjesën dalëse të fshikëzës, që pengon urinën të rrjedhë, ose për një prishje të funksionit të saj nga një dobësim i muskulit të saj: fshikëza është e paaftë të tkurret.
Shkaqet e shpeshta të inkontinencës urinare nga tejmbushja janë:
- Prolapsi i mitrës
- Prolapsi i vaginës
- Mioma e mitrës
- Operacionet në bark
- Hiperplazia beninje e prostatës
- Kanceri i prostatës
- Ngushtimi i uretrës që shfaqet pas një ndërhyrjeje kirurgjikale
Shfaqja e inkontinencës urinare nuk mund të evitohet gjithmonë. Gjithsesi, egzistojnë disa mënyra që lejojnë, veçanërisht tek femrat, të parandalohet një inkontinencë urinare, si më poshtë:
- Rënia në peshë në rastin e obezitetit , për lehtësimin e perineumit
- Aktiviteti fizik i rregullt
- Forcimi i muskulaturës së perineumit (që në vitet e para të moshës adulte, veçanërisht tek personat që i ushtrojnë profesionet në pozicionin ulur)
- Riedukimi perineal pas një lindjeje
- Evitimi i pijeve që favorizojnë daljen e urinës, si alkooli, kafeja dhe çaji i zi
- Evitimi i kapsllëkut kronik, nëpërmjet një ushqyerjeje të pasur në fibra
- Evitimi i kollës kronike (lini duhanin)
- Kryeni egzaminime mjekësore të nevojshme, që të mund të zbatoni masat parandaluese të inkontinencës urinare
Në pjesën më të madhe të rasteve, inkontinenca urinare mund të përmirësohet madje edhe të shërohet krejtësisht, nëse paraqiteni në kohë tek mjeku specialist. Pacientët nuk duhet ta evitojnë konsultën tek mjeku për shkak të ndjenjës së turpit.
Konsulta mjekësore këshillohet në situatat e mëposhtme, që karakterizohen nga:
- Nevoja urgjente për të urinuar shpesh, me urinime të pavullnetshme të shpeshta (kryesisht natën)
- Pamundësia për të mbajtur urinën, me urinime të pavullnetshme
- Nxjerrja e sasive të pakta të urinës gjatë urinimit
- Ndjesia e zbrazjes jo të plotë të fshikëzës urinare pas urinimit, mbajtja e urinës
- Dhimbje gjatë urinimit
Me cilin mjek duhet të konsultoheni?
- Mjeku i familjes (i përgjithshëm)
- Mjeku urolog
- Mjeku gjinekolog
- Mjeku neurolog
Për të patur një tablo sa më të qartë për problemet aktuale dhe shkaqet e mundshme të tyre, mjeku fillimisht njihet me historinë mjekësore personale të pacientit (anamneza) dhe kryen egzaminimin klinik me mjete të thjeshta (vëzhgimi, analiza, palpacioni, auskultacioni, testet funksionale, etj). Më pas, duke u bazuar tek anamneza dhe egzaminimi trupor, mjeku mund të rekomandojë edhe egzaminime të tjera më specifike, sipas rastit.
Historia mjekësore personale (anamneza) bazohet tek:
- Pyetjet e mjekut që kanë të bëjnë me inkontinencën urinare: prej sa kohësh është konstatuar, gjatë cilit aktivitet ndodh, me çfarë sasie, a shoqërohet me nevojë të shpeshtë për të urinuar, a konsumon pacienti pije që nxisin urinimin (si alkooli, kafeja, çaji), shpeshtësia e çrregullimeve të urinimit (si dhimbja gjatë urinimit, gjaku në urinë, dobësia e çurgut të urinës, ndjesia e zbrazjes jo të plotë të fshikëzës pas urinimit, etj.).
- Zakonet e ushqyerjes, ndryshimi i ushqyerjes, ndryshimi i aktivitetit fizik
- Probleme të mundshme të lidhura me jashtëqitjen dhe urinimin
- Simptoma shoqëruese (shih më sipër)
- Sëmundje të mëparshme dhe aktuale, si: sëmundje kronike, aksidente, operacione në zonën uro-gjenitale, sëmundjet infektive, diabeti i sheqerit, sëmundjet e gjendrës tiroide, sëmundjet e zemrës ose mushkërive, tumoret, terapia për kancerin, etj.
- Mënyra e jetesës: ushqyerja, gjumi, përdorimi i stimulantëve (kafeja, alkooli, nikotina, medikamentet), stresi, etj.
- Sëmundje të rëndësishme ose shkaqe vdekjesh në familje
- Alergjitë e mundshme
- Përdorimi i medikamenteve
- Shtatzanitë dhe lindjet e mëparshme
Egzaminimi fizik
Mjeku kryen palpacionin e fshikëzës urinare dhe të organeve fqinje. Gjithashtu, tek femrat ai egzaminon perineumin, ndërsa tek meshkujt egzaminon prostatën nëpërmjet tushesë rektale. Në përgjithësi, femrat duhet t’i nënshtrohen një egzaminimi fizik tek mjeku gjinekolog.
Egzaminime të tjera specifike diagnostike:
- Analiza e urinës, përfshirë testet për evidentimin e baktereve, gjakut dhe qelbit në urinë (për inflamacione, çrregullime të funksionit të veshkës)
- Analizat e gjakut (niveli i sheqerit në gjak, treguesit e funksionit të veshkave)
- Ekografia e fshikëzës së urinës dhe organeve të afërta me të (veshkat, mitra, prostata)
- Vlerësimi për urinë reziduale: me ndihmën e një ekografie të kryer menjëherë pas urinimit, mund të përcaktohet sasia e urinës së mbetur në fshikëz
- Egzaminime specifike për vlerësimin e funksionit të veshkave: cistometria (matja e presionit të fshikëzës), urofluksometria (matja e fluksit urinar), eksplorimi urodinamik.
- Radiografia e veshkave, fshikëzës urinare ose rrugëve urinare me ndihmën e një lënde kontrasti.
Trajtimi i inkontinencës urinare varet nga tipi dhe shkalla e inkontinencës.
Në rastin e inkontinencës urinare gjatë sforcimit, në plan të parë të trajtimit janë riedukimi i perineumit dhe trajtimet psikoterapeutike. Megjithatë, inkontinenca mund të riparohet përfundimisht vetëm në sajë të ndërhyrjes kirurgjikale.
Për pacientët që vuajnë nga inkontinenca e detyruar, trajtimi më efikas është një formë e veçantë ridukimi e quajtur biofeedback (veprimi i kundërt biologjik), i shoqëruar me trajtim medikamentoz.
Mënyrat e ndryshme të trajtimit të inkontinencës urinare janë:
Fizoterapia dhe mënyra të tjera trajtimi jo-medikamentoz
- Riedukimi perineal për forcimin e muskulaturës perineale
- Riedukimi perineal me stimulimin elektrik nëpërmjet lëkurës (transkutan)
- Biofeebacku (ushtrime që lejojnë kontrroll më të mirë të fshikëzës urinare)
- Higjiena e banjës (VC)
- Riedukimi perineal pas lindjes
- Përdorimi i mbrojtësave (pecetave përthithëse) ose vendosja e kateterit
- Përdorimi i një koni fleksibël plastik ose prej silikoni, që futet në vaginë psh. për të korrigjuar një prolaps të mitrës.
Trajtimet medikamentoze
- Antibiotikët në rastet e infeksioneve bakteriale, të tilla si infeksionet urinare ose prostatiti (inflamacioni i prostatës)
- Kremrat ose supostet vaginale me bazë estrogjenike tek femrat në menopauzë
- Medikamente për përmirësimin e kontrrollit të fshikëzës urinare në rastet e inkontinencës në sforcime
- Medikamente që ulin hiperaktivitetin e fshikëzës urinare në rastet me inkontinencë të detyruar të urgjencës
- Trajtimi medikamentoz i sëmundjeve kryesore që kanë shkaktuar inkontinencë, si BPKO (bronkopneumopatia obstruktive kronike) ose diabeti i sheqerit.
Ndërhyrja kirurgjikale
Ndonjëherë, inkontinenca urinare mund të trajtohet vetëm me anën e ndërhyrjes kirurgjikale.
- Për pacientët që vuajnë nga inkontinenca e sforcimit,kryhet implantimi i një elementi plastik nën nivelin e uretrës, që mbështet funksionin e mbylljes së saj. Kjo ndërhyrje mund të realizohet me anestezi lokale dhe nuk ka nevojë për qëndrim në spital të pacientit.
- Nëse inkontinenca ka në origjinë një pengesë në rrjedhjen e urinës, nevojitet ndërhyrje kirurgjikale që ka për qëllim heqjen e elementit pengues.
- Në rast se ka dëmtim të muskulit që realizon mbylljen e fshikëzës urinare, nevojitet implantimi i një sfinkteri artificial.