logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Biopsia e prostatës: ekzaminimi mikroskopik i indit të prostatës
Biopsia e prostatës: ekzaminimi mikroskopik i indit të prostatës

Çfarë është biopsia e prostatës?

Biopsia e prostatës shërben për diagnostikimin ose përjashtimin me siguri të një karcinome të mundshme të prostatës (kanceri i prostatës). Ajo konsiderohet një ekzaminim plotësues i tushesë rektale (ekzaminimit të prostatës me prekje) jonormale dhe/ose i një niveli të lartë të PSA-së në disa matje, ose që rritet në vazhdimësi. Gjatë biopsisë së prostatës, indi i prostatës merret përmes pjesës fundore të zorrës së trashë (rektumit), për t’u analizuar më pas në mikroskop. Kjo është mënyra e vetme që lejon të dallohen ndryshimet beninje nga ato malinje. Prostata gjendet ngjitur me murin e pjesës përfundimtare të zorrës së trashë (rektumit). Kjo e bën më të lehtë ekzaminimin dhe trajtimin e problemeve të saj, përmes rektumit.

Biopsia e prostatës është një ekzaminim i fushës së Urologjisë.

A kërkon ndonjë përgatitje të veçantë paraprake ky ekzaminim?

Biopsia e prostatës kryhet nën mbrojtjen e antibiotikëve, ç’ka do të thotë që disa ditë përpara kryerjes së saj pacienti duhet të fillojë të përdorë një antibiotik, me qëllim parandalues. Në këtë mënyrë mund të zvogëlohet rreziku i infeksioneve nga mikrobet e zorrëve. Përveç kësaj, pacienti këshillohet të përdori tableta ose suposte kundër dhimbjes, për të parandaluar dhimbje të mundshme gjatë dhe pas ekzaminimit. Mjeku jep udhëzimet e nevojshme për çdo rast.

Çfarë duhet të sqarohet përpara këtij ekzaminimi?

Për të realizuar një biopsi të prostatës, proçesi i mpiksjes së gjakut duhet të jetë normal. Për këtë qëllim, kontrollohen paraprakisht treguesit e mpiksjes së gjakut, nëpërmjet një marrjeje gjaku klasike.

Si realizohet biopsia e prostatës?

Biopsia e prostatës mund të kryhet në kushte ambulatore ose në kabinetin e mjekut Urolog, dhe nuk zgjat më tepër se 10 minuta. Për shkak të përgatitjes korrekte të pacientit (shih më sipër), biopsia e prostatës është praktikisht e padhimbshme. Gjatë ekzaminimit, pacienti shtrihet në anën e majtë, në një tavolinë ekzaminimi. Fillimisht, përmes anusit, aplikohet në zonën e rektumit një xhel anestezik (për mpirje lokale). Pas një kohe të shkurtër të veprimit të tij, futet një sondë ekografike, me një strukturë të veçantë që bën të mundur fiksimin e zonës së duhur për biopsi. Me ndihmën e një «pistolete biopsie», një gjilpërë me majë shumë të hollë fiksohet në indin e prostatës dhe heq një copë indi në formë cilindri. Kjo proçedurë zgjat vetëm disa milisekonda. Përgjithësisht, hiqen 10-12 cilindra indorë. Biopsia realizohet para së gjithash në zonat ku karcinomat e prostatës janë statistikisht më të shpeshta. Pas biopsisë, pacienti mund të khehet në shtëpi, dhe t’u rikthehet aktiviteteve normale. Gjithsesi, për 1-2 ditë pas ekzaminimit, duhet të evitojë biçikletën, sportet, saunën dhe banjat me ujë të nxehtë. Rezultati i biopsisë del pas rreth dy javësh.

Kur përdoret biopsia e prostatës?

Biopsia e prostatës rekomandohet në të gjitha rastet kur rezultatet e tushesë rektale dhe/ose të testit të PSA-së nuk janë normale, në mënyrë që të konfirmohet ose të përjashtohet një kancer i mundshëm i prostatës.

A paraqet rreziqe ose efekte të padëshiruara biopsia e prostatës?

Nëse kryhet pas një përgatitjeje korrekte të pacientit nga ana e mjekut (shih më sipër), biopsia e prostatës është praktikisht e padhimbshme dhe me pak rrezik. Pas kryerjes së saj, për 1-2 ditë pacienti nuk duhet të lëvizë me biçikletë, të praktikojë sporte të ndryshme, saunën apo banja me ujë të nxehtë. Pacienti nuk duhet të shqetësohet për sasi të pakta gjaku që mund të shfaqen në urinë, në jashtëqitjet ose në spermë. Përgjithësisht, ato zhduken pas disa ditësh. Në rast se ka gjakderdhje të rëndësishme ose temperaturë të lartë, pacienti duhet të njoftojë menjëherë mjekun Urolog.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.