logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Testi i antitrupave: zbulimi i antitrupave, zbulimi i trupave kundër agjentëve patogjenë në gjak.
Testi i antitrupave: zbulimi i antitrupave, zbulimi i trupave kundër agjentëve patogjenë në gjak.

Çfarë është testi i antitrupave?

Testi i antitrupave nevojitet për të evidentuar antitrupat në gjak. Antitrupat janë proteina që mbrojnë trupin nga agjentët patogjenë, si bakteret, viruset, myket ose parazitët që e sulmojnë, apo nga kontakti me substanca të tjera, si toksinat ose substancat kimike. Megjithatë, trupi mund të krijojë edhe antitrupa në mënyrë të gabuar, p.sh. kundër substancave normalisht të padëmshme (siç është rasti i alergjive) ose kundër vetë qelizave të tij (si në rastin e sëmundjeve autoimune). Antitrupat njihen në mjekësi edhe si imunoglobulina.

Ka tre lloje të ndryshme antitrupash (imunoglobulinash), të cilat kryejnë funksione të ndryshme:

  • IgM (Imunoglobulina M): antitrupat IgM formohen menjëherë në rastin e një infeksioni akut
  • IgG (Imunoglobulina G): antitrupat IgG formohen më vonë, pas shfaqjes së infeksionit, dhe qarkullojnë edhe pas disa vitesh në gjak.
  • IgE (imunoglobulina E): antitrupat IgE formohen në rastet e alergjive dhe infeksioneve nga parazitet.

Testi i antitrupave është një ekzaminim i shërbimit të imunologjisë dhe infektivit.

A është e nevojshme ndonjë përgatitje e veçantë e pacientit para ekzaminimit?

Testi i antitrupave nuk ka nevojë për ndonjë përgatitje të veçantë nga ana e pacientit.

Çfarë sqarimi nevojitet para ekzaminimit?

Nuk ka nevojë për ndonjë sqarim të veçantë para kryerjes së testit.

Si realizohet testimi i antitrupave?

Testi i antitrupave realizohet me një kampion gjaku të marrë prej venës së krahut. Në disa teste të antitrupave, si p.sh. në testin e shpejtë të HIV-it, mjafton edhe një pikë gjaku e marrë nga mollëza e gishtit. Ekzaminimi i mëtejshëm i gjakut zhvillohet në laborator, ku antitrupa të ndryshëm në gjak mund të përcaktohen në varësi të qëllimit për të cilin kryhet testimi. Rezultatet e testimit varen nga situata klinike dhe nga tipi i antitrupave të pranishëm në gjak.

Shembuj:

  • Një infeksion akut ekzaminohet nëpërmjet dy mostrave të gjakut në një interval prej disa javësh, për të zbuluar një rritje të mundshme të antitrupave përkatës, që dëshmon për një infeksion akut.
  • Në alergjitë e ndryshme vlerësohet prania e antitrupave IgE specifike për alergjinë.
  • Në disa sëmundje, të tilla si HIV, është e rëndësishme të dihet vetëm nëse antitrupat janë të dallueshëm ose jo. Prandaj, nëse rezultati i testit del "negativ" (nuk ka antitrupa të pranishëm) nuk ka infeksion HIV, dhe kur del "pozitiv" (antitrup i pranishëm) personi është i infektuar me HIV.
  • Në rastin e vaksinimeve, evidentohet sasia e antitrupave të formuar në gjak (i ashtuquajturi përqendrim i antitrupave), për të parë nëse është efikase mbrojtja nga vaksinat.
  • Për të bërë dallimin midis një infeksioni akut ose të hershëm luajnë rol të dy tipet e antitrupave IgM dhe IgG: një nivel i lartë IgM me një nivel të ulët IgG tregon një infeksion relativisht të kohëve të fundit. Anasjelltas, një nivel i lartë IgG i shoqëruar me nivel të ulët IgM tregon një infeksion të hershëm.
  • Në një test antitrupash tek gratë shtatzëna, e ashtuquajtura "Papajtueshmëri e Rezusit" ndërmjet nënës dhe fetusit, konfirmohet nëse në gjakun e nënës shfaqen antitrupat kundër gjakut të fetusit, të cilat mund ta dëmtojnë atë.

Kur këshillohet kryerja e këtij testi?

Shkaqet më të shpeshta që kërkojnë kryerjen e testimit të antitrupave janë:

  • Diagnostikimi i një alergjie
  • Një kontakt i dyshimtë me një subjekt të infektuar psh. me HIV
  • Dallimi midis një infeksioni akut dhe një të hershëm: psh. rubeola, sifilizi, hepatitet A, B,C, infeksioni me Helikobakter Pilori (bakter i stomakut), sëmundja Lyme (infektimi me Borrelian)
  • Për të provuar nëse vaksina rezulton efektive apo jo (ka realizuar mbrojtjen apo jo)
  • Diagnoza e sëmundjeve autoimune: psh. sëmundjet reumatizmale, lupusi eritematoz, tiroiditi Hashimoto (inflamacion kronik i gjendrës tiroide)
  • Diagnoza e reaksioneve të transfuzionit ose reaksionet e flakjes së transplantit
  • Kontrolle të trajtimit në raste të sëmundjeve infektive ose autoimunitare.
  • Testi i antitrupave në gratë shtatzëna (në rast papajtueshmërie të Rezusit, rubeola, infeksioni me Klamidia, sifilizi, Hepatiti B).

A paraqet ky test rreziqe apo efekte të padëshiruara?

Ky ekzaminim është pa dhimbje dhe pa rreziqe për pacientin.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.