Dispnea (Marrja e frymës, Vështirësi në frymëmarrje)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)
- Frymëshkëmbim i shkurtuar
- Ndjesia e vështirësisë në frymëmarrje
- Ndjesia e mungesës së ajrit, që arrin deri në ndjesinë e mbytjes.
Duhet të dallohet:
- Një vështirësi në frymëmarrje në gjendjen e qetësisë: që shfaqet vetëm në qetësi.
- Vështirësia në frymëmarrje gjatë efortit: e lidhur me aktivitetin fizik. Kjo klasifikohet në gradë të ndryshme, në varësi të shkallës së efortit që e shkakton dhe shkallës së dispnesë. Duhanpirësit, pacientët që vuajnë nga insufiçienca kardio-vaskulare, insufiçienca pulmonare kronike ose astma, zhvillojnë shpesh astmën e efortit.
Simptomat shoqëruese të dispnesë janë: zhurmat gjatë frymëshkëmbimit, kolla, kërcitjet, temperatura, dhimbjet e kraharorit, dhimbjet e zemrës, ndjesia e shtypjes në gjoks, frika, marrje mendsh, të vjella, palpitacionet, humbja e ndërgjegjes, shoku kardio-vaskular.
Dispnea është më shpesh e lidhur me një sëmundje të mushkërive, të zemrës ose edhe të rrugëve të sipërme të frymëshkëmbimit (laringu).
Sëmundjet e mushkërive që shkaktojnë dispne janë:
- Astma
- Bronkiti
- Inflamacioni i pleurës (pleuriti), mushkëria e duhanpirësit
- Trupat e huaj në rrugët e frymëshkëmbimit (aspirimi i një trupi të huaj)
- Sëmundja e lartësisë
- Kolla e mirë
- Emfizema pulmonare
- Embolia pulmonare
- Inflamacioni pulmonar (Pneumonia)
- Fibroza pulmonare
- Kanceri i mushkërisë
- Edema pulmonare (ujë në mushkëri)
- Kolapsi pulmonar (Pneumotoraksi)
Sëmundjet e rrugëve të frymëshkëmbimit që shkaktojnë dispne janë:
- Epiglotiti
- Edema e glotisit (alergjike)
- Kanceri i laringut
- Trupat e huaj në rrugët e frymëshkëmbimit (aspirimi i një trupi të huaj)
Sëmundjet infeksioze që shkaktojnë dispne janë:
- Rrufa / gripi
- Sindromi i insufiçiencës respiratore akute
- Tuberkulozi
- Difteria
Sëmundjet e zemrës që shkaktojnë dispne janë:
- Infarkti i zemrës, infarkti i miokardit
- Sëmundja e arterieve koronare
- Çrregullimet e ritmit të zemrës (psh. Fibrilacioni atrial)
- Dëmtimi i funksionit të valvulave të zemrës
- Insufiçienca kardiake
- Inflamacioni i miokardit (miokarditi)
- Inflamacioni i perikardit (perikarditi)
Shkaqet psikogjene të dispnesë janë:
- Krizat e panikut, ankthi
- Hiperventilimi
- Dhimbjet e forta
Shkaqe të tjera të dispnesë janë:
- Mbipesha trupore
- Skleroza amiotrofike laterale
- Gjendja e shokut alergjik (shoku anafilaktik)
- Aneurizma e aortës
- Hipoglicemia (ulja e sheqerit) tek një person me diabet të sheqerit
- Anemia ferriprive, mungesa e hekurit
- Insufiçienca renale akute ose kronike
- Funksioni i shtuar i gjendrës tiroide (Hipertireoza)
- Funksioni i ulur i gjendrës tiroide (Hipotireoza)
- Sindromi i apnesë së gjumit
- Trauma e trurit tek fëmijët
Masat e përgjithshme në një situatë të tillë janë:
- Qetësoni personin që po vuan.
- Nëse kjo situatë ju ndodh juve, duhet të ruani qetësinë dhe të uleni në pozicione që lehtësojnë frymëshkëmbimin (shih më poshtë), deri në mbërritjen e ndihmës së shpejtë.
- Nëse rrugët e frymëshkëmbimit janë të bllokuara nga një trup i huaj (psh. proteza, lodra fëmijësh), përpiquni t’i lironi ato nëse kjo është e mundur.
- Lironi veshjet e shtrënguara.
- Freskoni ajrin e dhomës, duke hapur dritaren.
- Përdorni medikamentet e urgjencës (psh. personat me astmë)
Pozicionet e trupit që lehtësojnë frymëshkëmbimin janë:
- Pozicioni ulur, që liron kraharorin
- Pozicioni tipik i kontrrollit (parakrahët e mbështetura tek kofshët, gjunjët lehtësisht të përkulur).
- Pozicioni i mbledhur (bërrylat të mbështetura mbi gjunj)
- Pozicioni i mbrojtësit (krahët të ngritur)
Teknikat speciale të frymëshkëmbimit, si shtrëngimi i buzëve, mund të ndihmojnë. Fluksi i frymëshkëmbimit ngadalësohet dhe bronket mbeten të hapura.
Masa të përgjithshme në rastin e dispnesë:
- Evitoni faktorët shpërthyes të saj.
- Lini duhanin.
- Përdorni medikamentet e rekomanduara nga mjeku, edhe nëse nuk keni ankesa të lidhura me frymëshkëmbimin.
- Mbani gjithmonë me vete medikamentet e urgjencës.
Në rast urgjence, zbatoni teknikat e lehtësimit të frymëshkëmbimit, siç është për shembull shtrëngimi i buzëve.
Në rastin e dispnesë akute ose të rëndimit të detresit respirator kronik, duhet domosdoshmërisht të konsultoheni me mjekun. Një dispne kërcënuese për jetën duhet të menaxhohet nga shërbimi i urgjencës.
Cilin mjek duhet të konsultoni?
- Mjekun e urgjencës (dispnea akute)
- Mjekun e familjes
- Mjekun internist
- Mjekun pneumolog
- Mjekun kardiolog
Historia mjekësore personale (anamneza) bazohet në:
- Pyetjet që kanë lidhje me dispnenë: koha e shfaqjes, intensiteti i saj, situatat specifike që e shpërthejnë, ndodh në gjendjen e qetësisë apo në sforcime, shfaqet papritur apo gradualisht, rëndohet gjatë aktivitetit fizik ose gjatë natës, etj.
- Simptomat shoqëruese (shih më sipër)
- Probleme të mëparshme mjekësore ose sëmundje shoqëruese, përfshirë edhe operacione ose aksidente të mëparshme.
- Alergji të mundshme
- Përdorimi i medikamenteve të caktuara
- Kushtet e jetesës, ato profesionale dhe sociale.
- Higjiena e përgjithshme: lidhur me ushqyerjen, gjumin, produktet e konsumuara (kafe, alkool, nikotinë, droga), stresin, etj.
- Duhanpirja
Egzaminimi klinik
Mjeku mat pulsin dhe presionin e gjakut, auskulton me stetoskop zemrën dhe mushkëritë, si dhe inspekton zonën e gojës. Ai vlerëson parametrat frymëshkëmbyes (shpejtësinë, thellësinë e frymëshkëmbimit dhe zhurmat gjatë tij) si dhe shenjat e mundshme të një mungese të oksigjenit (nuanca blu, zbehtësia, gjendja e irrituar). Gjatë perkusionit të mushkërive, mjeku mund të diferencojë zhurmat, dhe të përcaktojë nëse ka ujë, mukus ose ajër në mushkëri.
Egzaminime të tjera mjekësore specifike janë:
- Matja e saturimit të oksigjenit në gjak (pulsoksimetria)
- Analiza e gjakut
- Matja e nivelit të oksgjenit dhe dioksidit të karbonit në gjak
- Radiografia e mushkërive
- Ekokardiografia
- Skaneri (CT), rezonanca magnetike (MRI)
- Elektrokardiograma (EKG)
- Funksionet pulmonare (Spirometria)
- Bronkoskopia
- Testet e alergjisë
Fillimisht, personi që vuan duhet të stabilizohet, duke marrë oksigjen përmes sondës nazale (nga hunda), ose me anën e një maske me oksigjen. Në këtë mënyrë ndalohet hiperventilimi, dhe frymëshkëmbimi normalizohet sërish.
Trajtimi i sëmundjes shkaktare të dispnesë, disa shembuj:
- Infeksionet bakteriale (psh. Bronkiti, Pneumonia) trajtohen me antibiotikë.
- Sëmundjet e tjera të mushkërisë, si astma ose BPKO trajtohen me ndihmën e medikamenteve që zgjerojnë rrugët e frymëshkëmbimit dhe frenojnë formimin e mukusit dhe inflamacionin e këtyre rrugëve.
- Një edemë (enjtje) alergjike akute në zonën e fytit duhet të trajtohet menjëherë me antihistaminikë dhe kortizon.
- Një edemë pulmonare e shkaktuar nga një insufiçiencë kardiake duhet të trajtohet me medikamente që pakësojnë vëllimin e ujit në organizëm (diuretikë).
- Në rastin e një kanceri, trajtimi mund të jetë kirurgjikal, ose me kimioterapi ose radioterapi.