Testi i PSA-së (Depistimi i kancerit të prostatës)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Çfarë është testi i PSA-së?
Testi i PSA-së është një ekzaminim i prostatës, që përdoret për të zbuluar kancerin e prostatës. Ai plotësohet me palpimin me gishta të prostatës përmes rektumit (tusheja rektale) dhe lejon të përcaktohet shkalla e Antigenit Specifik të prostatës (PSA) në gjak. PSA është një proteinë e prodhuar vetëm nga prostata, që gjendet në gjak në sasi të vogla. Niveli i saj mund të rritet në gjak në rastin e kancerit të prostatës ose të sëmundjeve beninje të prostatës (inflamacioni, hiperplazia beninje). Në të njëjtën mënyrë, edhe medikamente të ndryshme ose aktivitete të tilla si çiklizmi, marrëdhëniet seksuale ose palpimi me dorë i prostatës mund të rrisin nivelin e PSA-së.
Testi i PSA-së është një ekzaminim i fushës së Urologjisë.
A kërkon ndonjë përgatitje të veçantë paraprake testi i PSA-së?
Ky test mund të kryhet pa ndonjë përgatitje të veçantë.
Çfarë duhet të sqarohet para testit të PSA-së?
Asnjë element i veçantë nuk duhet sqaruar para kryerjes së këtij testi.
Si kryhet një test i PSA-së?
Marrja klasike e një kampioni gjaku në njërën venë të krahut është e mjaftueshme për të kryer testin e PSA-së. Niveli i PSA-së vlerësohet në laborator dhe rezultati del për disa ditë.
Kur përdoret testi i PSA-së?
Testi i PSA-së shërben për zbulimin e kancerit të prostatës, si pjesë e ekzaminimeve parandaluese të kancereve tek meshkujt, si dhe për kontrollin e trajtimit dhe ndjekjen e kancerit të prostatës.
A paraqet rreziqe ose efekte të padëshiruara testi i PSA-së?
Rreziqet e këtij testi janë ato të një marrjeje klasike të kampionit të gjakut në venën e krahut, si për çdo analizë gjaku.