Angiografia e arterieve koronare (Kateterizimi kardiak, Koronarografia)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Çfarë është kateterizimi kardiak?
Kateterizimi kardiak është një ekzaminim i zemrës që realizohet me anën e një kateteri kardiak. Ky i fundit është një tub plastik i hollë dhe fleksibël, që futet në zemër përmes enëve të gjakut. Kateteri kardiak vlerëson me saktësi sëmundjet e zemrës, veçanërisht ngushtimin e arterieve koronare (shtrëngimi në kraharor, sëmundja e arteries koronare, angina pectoris). Kateterizimi kardiak mund të zbulojë në mënyrë të sigurt një ngushtim të enëve koronare dhe shpesh mund ta korrigjojë atë menjëherë.
Kateterizimi kardiak është një ekzaminim i kardiologjisë, një disiplinë e mjekësisë interne (të organeve të brendshme).
A nevojitet ndonjë përgatitje e veçantë përpara ekzaminimit?
Kateterizimi kardiak mund të kryhet pa ndonjë përgatitje paraprake.
Çfarë duhet të sqarohet përpara ekzaminimit?
Kateterizimi kardiak kërkon një proçes normal të koagulimit të gjakut (mundësisht me kryerjen paraprake të testeve të koagulimit). Pacientët që marrin medikamente për hollimin e gjakut (antikoaguluese), nëse është e mundur, duhet t’i ndërpresin ato disa ditë para ekzaminimit ose t’i zëvendësojnë me injeksione heparine në bark. Në mënyrë të ngjashme, disa medikamente që përdoren për diabetin mund të kenë nevojë të ndërpriten, sepse shoqërimi me lëndën e kontrastit mund të çojë në acidozë (mbi-acidifikimin e gjakut). Mjeku jep udhëzimet e hollësishme për çdo rast.
Si realizohet kateterizimi kardiak?
Pas anestezisë lokale, shpohet një arterie në ijë apo në kyçin e dorës, dhe një kateter kardiak futet me kujdes nën kontrollin e vazhdueshëm pamor në një monitor (fluoroskopi) deri sa të arrijë në zonën e dëshiruar të zemrës ose në enët koronare.
Drejtpërdrejt në enët koronare injektohet lënda e kontrastit me rreze X dhe njëkohësisht realizohen radiografitë, në të cilat janë të dukshme enët koronare të mbushura me lëndën e kontrastit (angiografia koronare). Kjo bën të mundur që të evidentohet me saktësi çdo ngushtim ose bllokim i tyre.
Nëse është e nevojshme, kateteri kardiak lejon trajtime të ndryshme gjatë ekzaminimit. Ngushtimet e arterieve mund të zgjerohen (zgjerimi me balon) dhe të eliminohen me vendosjen e një stenti të brendshëm. Po kështu, gjatë kateterizmit kardiak mund të trajtohen edhe aritmitë e zemrës. Në këtë rast, indi i zemrës përgjegjës për aritminë shkatërrohet nga nxehtësia.
Pas përfundimit të ekzaminimit, kateteri kardiak hiqet dhe vendi i shpimit mbulohet me një fasho shtrënguese.
Kur është i nevojshëm kateterizimi kardiak?
Kateterizimi kardiak shërben për diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve të zemrës dhe arterieve koronare.
Arsyet më të shpeshta për kryerjen e kateterizimit kardiak janë:
- Sëmundja koronare e zemrës, ngushtimi i enëve koronare, angina pectoris
- Infarkti i miokardit
- Sëmundjet e valvulave të zemrës
- Dështimi i punës së zemrës (Insufiçienca kardiake)
- Anomalitë e zemrës
- Planifikimi i një proçedure kirurgjikale (p.sh. para operacionit të by-passit, ose operacionit të valvulave të zemrës).
A paraqet ky ekzaminim risqe ose efekte të padëshiruara?
Kateterizimi kardiak zakonisht paraqet pak risqe. Në vendin e shpimit mund të formohet një hematomë. Reaksionet ndaj lëndës së kontrastit janë të rralla, por të mundshme. Dëmtimet serioze të arterieve koronare ose palpitacionet e shkaktuara nga kateteri kardiak janë shumë të rralla. Aritmi të rrezikshme ose ndërlikime të tjera serioze, siç janë infarkti i miokardit ose goditja në tru, që kërkojnë trajtim urgjent, ndodhin vetëm në raste jashtëzakonisht të rralla. Fluoroskopia shoqërohet me ekspozim ndaj rrezatimit.