Biopsia (Ekzaminimi histologjik, Ekzaminimi mikroskopik)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Çfarë është biopsia?
Biopsia është një ekzaminim histologjik që konsiston në marrjen e materialit qelizor për qëllime diagnostike. Me anë të saj mund të konfirmohet nëse kemi të bëjmë me një inflamacion apo një tumor. Biopsia është mjaft e rëndësishme, kryesisht në shërbimin e onkologjisë, për të dalluar nëse është një tumor beninj apo malinj, gjithashtu për të përcaktuar shkallën e malinjitetit në rastin e një tumori malinj. Biopsia mund të merret nga çdo organ apo ind i trupit. Pra, biopsitë mund të jenë: të lëkurës, të mëlçisë, të mushkërive, të palcës së kockave, të veshkave, stomakut, muskujve, etj.
Ky ekzaminim i përket shërbimit të histopatologjisë.
A është e nevojshme përgatitja e pacientit para ekzaminimit?
Në shumicën e rasteve, në marrjen e biopsisë, pacienti nuk ka nevojë për parapërgatitje. Pacientët që marrin hollues gjaku, duhet t’i ndërpresin ato mundësisht disa ditë përpara, ose të zëvendësohet marrja e tyre me heparinë që injektohet në bark. Çdo veprim duhet të kryhet me udhëzimin e mjekut.
Çfarë shpjegimi nevojitet para ekzaminimit?
Për kryerjen e biopsisë është e rëndësishme që të kontrollohet paraprakisht niveli i koagulimit të gjakut me anë të analizës së gjakut (niveli i protrombinës/INR).
Si realizohet biopsia?
Shumica e biopsive mund të kryhen në kushte ambulatore. Çdo tip biopsie është një ndërhyjrje e vogël kirurgjikale, për të cilën nevojiten instrumenta sterile. Pastaj materiali qelizor dërgohet në laborator që të ekzaminohet nga mjeku specialist. Materiali indor vendoset në mikroskop dhe në rast se nevojitet, i nënshtrohet edhe analizave të tjera biokimike dhe molekulare. Në disa ndërhyrje kirurgjikale nevojitet një ekzaminim histologjik, pra biopsi edhe gjatë kryerjes së ndërhyrjes, që emërtohet si prerje e ngrirë e seksionit. Kirurgu, brenda pak minutash, informohet nga patologu mbi seksionin e ekzaminuar duke përcaktuar natyrën e tij beninje ose malinje. Në këtë mënyrë vendoset për strategjinë e mëtejshme të ndërhyrjes në përputhje me rrethanat, p.sh. në rastin e tumoreve malinje, hiqen gjithashtu edhe nyjet limfatike përreth organit të hequr.
Në varësi të indeve që duhet të ekzaminohen, ka metoda të ndryshme biopsie:
- Biopsia ekscizionale, psh. në rastin e një nishani me ndryshime të vogla të dyshimta të strukturës, arrihet të hiqet plotësisht me kirurgji dhe më pas të ekzaminohet.
- Biopsia me age/punksion biopsia: psh. nga mëlçia, gjendra tiroide, veshkat, prostata, gjiri apo palca kockore. Mjeku depërton me anën e një ageje në lëkurën paraprakisht të mpirë, në organin e dyshuar prej të cilit merr materialin indor që do të ekzaminohet. Për këtë qëllim, ai përdor një age të hollë (FNA-B aspirimi me age të hollë) ose biopsia me age më të trashë (Core-B). Një formë tjetër e veçantë është edhe biopsia vakum, ku thithet një copëz e vogël e materialit indor, e cila kalon në age nëpërmjet proçesit të vakumit. Të gjitha këto biopsi kryhen nëpërmjet kontrollit pamor nën drejtimin e aparatit të ekografisë ose CT-skanerit. Kjo do të thotë që mjeku drejton agen e biopsisë në zonën e dëshiruar të indit ku do të marrë materialin, bazuar në imazhet që shfaqen në monitor.
- Biopsia endoskopike, psh. në stomak, në zorrë ose në fshikëzën e urinës. Nëpërmjet endoskopisë së këtyre organeve, me anë të një pince të vogël merren kampionët e indit nga zonat e dyshimta të mukozës.
Kur këshillohet kryerja e biopsisë?
Arsyeja kryesore e kryerjes së biopsisë është diagnostikimi i sëmundjeve tumorale. Por edhe në patologjitë e tjera, si ato të tiroides (struma, kistet, inflamacionet), të mëlçisë (hepatite, mëlçia e dhjamosur) ose të zorrëve (Morbus Crohn, Celiakia) biopsia luan rol kyç në diagnozën dhe në përcaktimin e metodave të trajtimit.
Arsyet më të shpeshta që kërkojnë kryerjen e biopsisë janë:
- Kokrra të dyshimta në zonën e gjirit (masa të palpueshme, problematike në mamografi)
- Ndryshime të mukozës së stomakut, mukozës së zorrëve ose mukozës së fshikëzës urinare
- Ndryshime të dyshimta të mukozës së qafës së mitrës
- Evidentimi i lezioneve të palpueshme të prostatës dhe/ose rritje e vlerës së PSA-së
- Kokrra (noduse) të dyshimta në gjendrën tiroide
- Ndryshime të paqarta në lëkurë
A paraqet biopsia rrisqe apo efekte të padëshiruara?
Biopsitë janë ndërhyrje të vogla, kryesisht pa dhimbje (me mpirje lokale) dhe me rrezik të ulët. Rrallëherë shoqërohen me ndërlikime, si. gjakderdhje, dëmtime të indeve ose infeksione. Frika që shoqëron disa pacientë, për faktin se marrja e materialit qelizor nga një pjesë e qelizave kanceroze mund të shkaktojë përhapje të këtyre qelizave në një pjesë tjetër të trupit, justifikohet vetëm pjesërisht. Në parim, kjo është e mundur vetëm në shumë pak tipe të kancerit, të tilla si: tumoret e indeve të buta në muskuj, në ind dhjamor ose ind lidhor. Kanceri i gjirit, kanceri i prostatës dhe kanceret e tjera nuk paraqesin rrezik të përhapjes së qelizave kanceroze nga biopsia.