Shtimi në peshë (Dhjamosja, Mbipesha, Obeziteti, Rritja e peshës)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Përgjithësisht, shtimi në peshë nënkupton rritjen e masës trupore, të shkaktuar nga shtimi i masës së indit dhjamor. Ai mund të shkaktohet nga disa sëmundje, si pasojë e mbajtjes së ujit në indet e organizmit (edemë) ose e grumbullimit të lëngjeve në hapësirat trupore (si psh. asciti në hapësirën e barkut).
Mbipesha trupore shoqërohet me një rrisk të lartë për pasoja fizike. Ajo mund të dëmtojë kyçet, zemrën dhe enët e gjakut, dhe mund të shkaktojë diabet të sheqerit . Përveç këtyre, obeziteti mund të jetë një problem i madh psikologjik në aspektin estetik.
Risku i mbipeshës trupore varet nga shtimi i dhjamit, që mund të depozitohet në dy mënyra:
- Në formën e mollës: grumbullimi i dhjamit ndodh kryesisht në zonën e barkut dhe trungut; vithet dhe kofshët mbeten të holla. Ky lloj obeziteti haset më tepër tek meshkujt, dhe risku i pasojave të lidhura me mbipeshën trupore është i madh.
- Në formën e dardhës: dhjami grumbullohet kryesisht në zonën e legenit , vitheve dhe kofshëve. Ky tip obeziteti haset më tepër tek femrat, dhe risku i pasojave prej tij është më i ulët.
Simptomat shoqëruese të shtimit në peshë janë: enjtja (edema , këmbët e enjtura, barku i fryrë), vështirësia në frymëmarrje , mungesa e motivimit, mungesa e oreksit , djersitja, dhimbjet në shpinë dhe në kyçe.
Shtimi në peshë mund të ketë shkaqe të shumta, të lidhura me trupin ose trurin. Megjithatë, më shpesh ai është pasojë i një mënyë jo të shëndetshme të jetesës (mungesa e lëvizjes, kequshqyerja ).
Shtimi në peshë mund të jetë edhe gjenetik. Kështu, fëmijët që kanë prindërit me mbipeshë trupore kanë një risk më të madh për ta zhvilluar atë. Shembulli i keq i prindërve luan një rol të rëndësishëm në këtë drejtim (ushqyerja e njëanshme, mungesa e aktivitetit fizik).
Shkaqet e shtimit në peshë nga grumbullimi i dhjamit janë:
- Mbiushqyerja
- Hipotireoza
- Hiperfunksioni i gjendrave mbiveshkore (sindromi Cushing)
- Insulinoma (tumor i pankreasit që prodhon insulinë)
- Adenoma hipofizare (tumor i hipofizës )
- Stresi
- Depresioni
- Toksikomania ose alkoolizmi
- Çrregullimet e ushqyerjes (bulimia )
- Trishtimi, vetmia, zhgënjimi.
Shkaqet e shtimit në peshë nga grumbullimi i ujit janë:
- Variçet (këmbët e enjtura)
- Puna e dobët e zemrës (insufiçienca kardiake )
- Grumbullimi i likidit në hapësirën e barkut (asciti) në sëmundjet e mëlçisë, të tilla si cirroza hepatike dhe kanceri i mëlçisë .
- Sëmundjet e veshkave, si glomerulonefriti (inflamacioni i glomerulave )
- Sëmundjet metabolike (diabeti i sheqerit )
- Edema limfatike (çrregullimet e qarkullimit të limfës)
- Alergjia
Shkaqe të tjera
- Shtatzania
- Mosha (ngadalësimi i përgjithshëm i metabolizmit trupor)
- Shtimi në peshë gjatë menopauzës (ndryshimet hormonale)
- Medikamentet, si përdorimi afatgjatë i kortizonikëve, pilulave kontraceptive, etj.
Nëse shtimi në peshë është i lidhur me një mënyre jetese jo të shëndetshme, kjo e fundit duhet të modifikohet sa më parë. Më poshtë përmenden disa masa të përgjithshme, të cilat ndihmojnë në parandalimin e obezitetit, duke ruajtur shëndetin fizik dhe psiqik:
- Ushqyerja e shëndetshme
- Aktiviteti fizik
- Pakësimi i stresit
- Gjumi i mjaftueshëm
- Konsumi i sasive të kufizuara të alkoolit
Pesha ideale ndryshon tek persona të ndryshëm. Me një regjim ushqimor të shëndetshëm, pesha qëndron përgjithësisht e pandryshuar për një kohë të gjatë. Luhatjet e vogla të peshës janë normale dhe të parrezikshme, ashtu si edhe shtimi në peshë i lidhur me moshën.
Ndërkohë, një shtim i padëshiruar në peshë, brenda një periudhe të shkurtër kohore, që nuk mund të shpjegohet, duhet të konsultohet patjetër nga një mjek. Personat që shtojnë menjëherë në peshë dhe janë të diagnostikuar me insufiçiencë kardiake, renale ose hepatike, duhet të konsultohen menjëherë nga një mjek.
Me cilin mjek duhet të konsultoheni?
- Mjeku i familjes
- Mjeku internist
- Mjeku kardiolog
- Mjeku endokrinolog
- Psikologu/ Psikoterapisti
- Mjeku nutricionist
Për të patur një tablo sa më të qartë për problemet aktuale dhe shkaqet e mundshme të tyre, mjeku fillimisht njihet me historinë mjekësore personale të pacientit (anamneza) dhe kryen egzaminimin klinik me mjete të thjeshta (vëzhgimi, analiza, palpacioni , auskultacioni , testet funksionale , etj). Më pas, mjeku mund të rekomandojë edhe egzaminime të tjera më specifike, sipas rastit.
Historia mjekësore personale (anamneza) bazohet tek:
- Pyetjet e lidhura me shtimin në peshë: kur është shfaqur fillimisht, sa kilogramë, për sa kohë, shtimi në peshë është i vazhdueshëm apo ndërmjet fazave me peshë të qëndrueshme ose me rënie në peshë , ndryshimet e zakoneve të ushqyerjes ose të aktiviteti fizik , etj.
- Njohja me simptomat shoqëruese (shih më sipër)
- Njohja me sëmundjet bashkëshoqëruese, problemet mjekësore personale të mëparshme: sëmundje të njohura të zemrës, veshkave, mëlçisë, tiroides ose sëmundje psiqike, etj.
- Informimii mjekut mbi praninë e mbipeshës trupore në familje
- Informimi mbi përdorimin e mundshëm të ndonjë medikamenti
- Informimi mbi kushtet e jetesës, aspektet profesionale dhe sociale të pacientit
- Informimi mbi cilësinë e jetës së pacientit: ushqyerja, gjumi, produktet që konsumon (kafeja, alkooli, nikotina, drogat), stresi, etj.
Egzaminimi fizik
Pasi mat peshën dhe gjatësinë trupore, mjeku përllogarit BMI. Vlera e saj tregon për një peshë normale, mbipeshë trupore ose obezitet.
Më pas, pacienti i nënshtrohet egzaminimit fizik të përgjithshëm, që konsiston në auskultimin e zemrës dhe mushkërive, perkusionin e zonës së veshkave, si dhe observimin për grumbullimin e ujit në këmbë ose në bark.
Egzaminime të tjera specifike diagnostike:
- Analizat e gjakut : formula e gjakut, treguesit e inflamacionit , niveli i sheqerit në gjak , vlerat specifike të organeve (veshka, mëlçia).
- Ekografia e barkut (vlerëson gjendjen e organeve të barkut, ascitin, etj).
- Elektrokardiograma (EKG)
- Egzaminimet imazherike: skaneri (CT), rezonanca magnetike (MRI)
Trajtimi i shtimit në peshë bazohet gjithmonë në shkakun e tij. Qëllimi kryesor i trajtimit është rënia në peshë dhe stabilizimi i peshës së re trupore.
Përmendim disa shembuj të shkurtër:
- Nëse mbipesha trupore është e lidhur me mungesën e ushqyerjes ose mënyrën jo të shëndetshme të saj, nevojitet ndryshim i mënyrës së jetesës. Gjithsesi, humbja e peshës dhe ruajtja e peshës normale i takon një disipline të veçantë. Mjeku ose specialisti i ushqyerjes mund të ndihmojnë nëpërmjet këshillave lidhur me ushqyerjen e shëndetshme (shih gjithashtu rubrikën "Si të veproni?")
- Nëse shtimi në peshë është pasojë e një sëmundjeje të njohur, trajtimi i kësaj të fundit është objektivi kryesor i trajtimit të mbipeshës.
- Nëse është përdorimi i një medikamenti që ka shkaktuar mbipeshë trupore, mjeku duhet ta zëvendësojë atë me një medikament tjetër që nuk shkakton shtim në peshë.
- Nëse shkaku i mbipeshës trupore është një problem psiqik (depresion, çrregullim i ushqyerjes), rekomandohet konsulta me mjekun psikiatër ose psikologun.
- Vetëm në rastet e obezitetit ekstrem mund të nevojitet përdorimi i medikamenteve të posaçme ose një ndërhyrje kirurgjikale.