logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Kthimi i ngjyrës së lëkurës në blu tregon një mungesë akute të oksigjenit dhe është një rast urgjent
Kthimi i ngjyrës së lëkurës në blu tregon një mungesë akute të oksigjenit dhe është një rast urgjent
Fakti që lëkura është ngjyrosur në blu është një sinjal alarmi që tregon se një sasi e pamjaftueshme oksigjeni është transportuar në gjak. Në këtë rast, mund të bëhet fjalë  për helmime, sëmundje të rënda të zemrës ose të mushkërive.

Bëhet fjalë për cianozë kur lëkura, thonjtë dhe mukozat (buzët, gjuha, mukoza e gojës), marrin një nuancë blu ose vjollcë. Kjo nuancë nuk shtrihet domosdoshmërisht në të gjithë trupin, dhe nuk është uniforme. Kur ky fenomen shfaqet kryesisht në anësitë e trupit, ose në periferi të tij, si tek gishtërinjtë e duarve, këmbëve, tek hunda apo veshët, bëhet fjalë për akrocianozën dhe cianozën periferike.

Cianoza shfaqet kur sasia e oksigjenit në gjak pakësohet. Oksigjeni transportohet në gjak nëpërmjet ngjyruesit të këtij të fundit, hemoglobinës. Normalisht, hemoglobina e pasur me oksigjen ka një ngjyrë të kuqe të qartë, ndërsa hemoglobina e varfër në oksigjen është me ngjyrë blu, dhe për këtë arsye shkakton gjendjen cianotike.

Cianoza mund të jetë shenjë e një sëmundjeje akute, që vë në rrezik jetën e pacientit (psh. kriza e astmës, keqformimet e lindura të zemrës tek të porsalindurit) ose simptomë e një sëmundjeje kronike (psh. Insuficienca kardiake, BPKO).

Një cianozë akute e shoqëruar me dispne, palpitacione, dhimbje kraharori dhe humbje të ndërgjegjes është gjithmonë një urgjencë kërcënuese për jetën.

Format e ndryshme të cianozës janë:

  • Cianoza e shkaktuar nga një sëmundje e zemrës
  • Cianoza e shkaktuar nga një sëmundje e mushkërive
  • Cianoza periferike: ngjyrosja në nuancë blu e anësive (akrocianoza, shih më sipër), e shkaktuar nga një ngadalësim i qarkullimit të gjakut në inde, psh. nga të ftohtët, tromboza, çrregullimet e qarkullimit tek këmbët (klaudikacio intermitent).
  • Cianoza qendrore: në këtë rast ngjyrosen në blu buzët, gjuha, mukozat, për shkak të një mungese të furnizimit të gjakut me oksigjen, si pasojë e sëmundjeve të zemrës ose të mushkërive.
Simptomat shoqëruese të cianozës janë: dispnea, dhimbja e kraharorit, lodhja trupore, çrregullimet e përqëndrimit, morthi në anësitë (duart dhe këmbët).

Sëmundjet më të shpeshta që mund të shkaktojnë cianozë janë ato të zemrës dhe mushkërive. Në rastin e çrregullimeve të qarkullimit të gjakut, gishtat marrin ngjyrë blu gjatë kontaktit me të ftohtin. Cianoza tek foshnjat mund të tregojë për një keqformimi të lindur në zemër.

Cianoza në rastin e sëmundjeve të zemrës mund të shkaktohet nga:

Cianoza në rastin e sëmundjeve të mushkërive mund të shkaktohet nga:

Shkaqe të tjera të mundshme të cianozës janë:

Cianoza mund të evitohet vetëm duke trajtuar sëmundjen shkaktare të saj. Në rastin e sëmundjeve të zemrës ose të mushkërive, duhet të merren me korrektësi medikamentet e rekomanduara nga mjeku, dhe të mbahen gjithnjë me vete medikamentet e urgjencës (psh. sprai kundër astmës, sprai ose tabletat kundër dhimbjeve të zemrës, etj.)

Personat që kujdesen për fëmijë, të cilët vuajnë nga sëmundje të zemrës dhe mushkërive, duhet të jenë të informuar paraprakisht rreth krizave të mundshme dhe medikamenteve të urgjencës që duhet të përdoren në të tilla situata.

Në rastet kur shfaqet kriza cianotike në mënyrë të menjëhershme, duhet të njoftohet sa më shpejt një mjek, veçanërisht kur pacienti vuan nga një sëmundje e njohur e zemrës apo e mushkërive.

Një ngjyrosje e menjëhershme në blu e buzëve dhe gjuhës është gjithmonë tregues i një sëmundjeje të rëndë të zemrës ose mushkërive, që duhet të trajtohet sa më shpejt nga një ekip mjekësor. Cianoza që është e kufizuar tek gishtat e duarve dhe të këmbëve (akrocianoza), nuk është domosdoshmërisht e rrezikshme, veçanërisht nëse ajo shkaktohet vetëm nga i ftohti.

Me cilin mjek duhet të konsultoheni ?

  • Mjeku i familjes
  • Mjeku internist
  • Mjeku kardiolog
  • Mjeku pneumolog
  • Mjeku i urgjencës

Cianoza dallohet lehtësisht, për shkak të ngjyrosjes në nuancë blu të lëkurës dhe mukozave. Për të patur një ide të qartë rreth problemeve aktuale të pacientit dhe shkaqeve të mundshme të tyre, mjeku fillimisht njihet me historinë mjekësore personale (anamneza) e tij dhe kryen egzaminimin klinik të hollësishëm. Pas këtyre proçedurave, mund të nevojiten edhe egzaminime të tjera më specifike, për përcaktimin e diagnozës. Nëse pacienti është i diagnostikuar më parë me sëmundje të zemrës, të mushkërive, të gjakut, ose është duke përdorur rregullisht medikamente të ndryshme, duhet të njoftohet menjëherë një mjek.

Njohja me historinë mjekësore personale (anamnezën) e pacientit bazohet tek:

  • Pyetjet e lidhura me «simptomat cianotike»: kur janë shfaqur, në cilën pjesë të trupit, në çfarë rrethanash (psh.nga të ftohtët), etj.
  • Njohja me simptomat shoqëruese (shih rubrikën "Si manifestohet kjo simptomë?")
  • Informimi i mjekut rreth sëmundjeve bashkëshoqëruese, problemeve të mëparshme mjekësore (sëmundje të njohura të zemrës dhe mushkërive)
  • Informimi i mjekut rreth përdorimit të medikamenteve të ndryshme
  • Informimi i tij rreth sëmundjeve ose shkaqeve të vdekjeve të rëndësishme në familjen e pacientit
  • Njohja e tij me kushtet e jetesës, aspektet sociale dhe profesionale të pacientit
  • Njohja me cilësinë e jetës: ushqyerjen, gjumin, produktet që konsumon (kafe, alkool, nikotinë, drogë), stresi, etj.

Egzaminimi klinik

Që në fillim, mjeku vlerëson funksionet qarkulluese (presionin e gjakut, pulsin, frekuencën kardiake), mat nivelin e saturimit të gjakut me oksigjen me anën e një pulsoksimetri në gisht, auskulton me stetoskop mushkëritë dhe zemrën, si dhe inspekton lëkurën dhe mukozat për të vlerësuar shtrirjen, formën e cianozës (nëse është qëndrore apo periferike).

Egzaminime të tjera specifike diagnostike:

Më tepër informacion rreth diagnostikimit mund të gjeni në tablotë klinike të sëmundjeve përkatëse.

Terapia bazohet gjithmonë në shkakun e cianozës:

  • Nëse një cianozë rrezikon jetën e pacientit, kryerja e proçedurave të urgjencës dhe stabilizimi i parametrave të qarkullimit janë me rëndësi jetike. Furnizimi i mirë me oksigjen (përgjithësisht me anën e sondës nazo-gastrike) sa më shpejt, oksigjenimi i gjakut në situata emergjence mundëson trajtimin e shpejtë të cianozës.
  • Në rastin e ngjyrosjes me nuancë blu të gishtave të duarve ose të këmbëve nga të ftohtët ose një fenomeni Raynaud, ngrohja e tyre mund të ndihmojë në normalizimin e gjendjes.
  • Terapia medikamentoze e sëmundjeve të zemrës ose të mushkërive, duke përfshirë edhe trajtimet e urgjencës (psh. përdorimi i sprait kundër astmës).
  • Përdorimi i një antibiotiku në rastin e infeksionit bakterial (psh. Pneumoni).
  • Në raste të tjera, mund të jetë e nevojshme kryerja e një operacioni të nevojshëm dhe trajtime të tjera specifike.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.

Përdoruesit kanë vizituar po ashtu...