Matja e glicemisë (Matja e nivelit të glukozës në gjak, Matja e sheqerit në gjak)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Çfarë kuptojmë me matje të glicemisë?
Matja e glicemisë përfaqëson matjen e nivelit të sheqerit (glukozës) në gjak. Ajo nevojitet për të diagnostikuar rastet me nivel të rritur të glicemisë (hiperglicemia): diabeti mellitus dhe diabeti gestacional (i shtatzanisë), apo rastet me nivel të ulët të sheqerit në gjak (hipoglicemia). Për diabetikët, matja e glicemisë është pjesë e pandashme e rutinës së tyre, dhe është mjaft e rëndësishme që të jenë të informuar në çdo kohë për nivelin e sheqerit në gjak: psh. kur trajtohen me insulinë për të përcaktuar sasinë e saktë të insulinës që do të injektojnë. Pacientët diabetikë trajnohen që të kryejnë matje të sakta të glukozës në gjak.
Matja e glicemisë kryhet para ngrënies (glicemia esëll) ose dy orë pas ushqimit (glicemia post-prandiale). Gjithashtu mund të matet edhe vlera e hemoglobinës së glukozuar HbA1c, e cila identifikon përqëndrimin mesatar të sheqerit në gjak për dy apo tre muajt e fundit (një vlerë e lartë nënkupton një kontroll jo të mirë të sheqerit). Matja e HbA1c nuk mund të kryhet nga vetë pacienti por në kushte laboratorike.
Matja e glicemisë është një ekzaminim i shërbimit të mjekësisë së përgjithshme, i endokrinologjisë si dhe mjekësisë interne.
A është e nevojshme përgatitja e pacientit para ekzaminimit?
Për matjen e nivelit të glicemisë, pacienti duhet të jetë esëll (matja e glicemisë esëll).
Çfarë shpjegimi nevojitet para ekzaminimit?
Nuk ka nevojë për ndonjë sqarim para ekzaminimit.
Si matet glicemia në gjak?
Matja e glicemisë nga personeli mjekësor kryhet duke marrë një kampion të gjakut venoz nga vena e parakrahut. Ndërsa, matja e glicemisë nga vetë pacienti bëhet nëpërmjet një pike gjaku që del nga shpimi i mollëzës së gishtit të dorës (gjak kapilar).
Për një matje sa më korrekte të glicemisë nga vetë pacienti, këshillohet:
- Të jetë i përpiktë me oraret (përpara apo dy orë pas ushqimit)
- Duart duhet të jenë të lara me ujë të ngrohtë edhe sapun, nuk ka nevojë për dezinfektim
- Shpimi në mollëzën e gishtit bëhet me një gjilpërë automatike (stilolaps) apo një age të vogël. Këto gjilpëra janë me një përdorim.
- Të masazhohet lehtë paraprakisht mollëza e gishtit, para se të shpohet gishti, në mënyrë që të rritet fluksi i gjakut në atë zone.
- Zona e fijes së testit që futet në pajisjen matëse, duhet të mbulohet plotësisht nga pika e gjakut, që të matë automatikisht sheqerin në gjak. Shumica e pajisjeve i ruajnë vlerat e matura dhe përveç tyre edhe mjaft informacione të tjera (medikamentet që merren, doza e insulinës apo kaloritë e vakteve).
Kur këshillohet matja e glicemisë?
Matja e glicemisë shërben për diagnostikimin dhe kontrollin e mbarëvajtjes së terapisë së sëmundjeve që shoqërohen me rritje të sheqerit në gjak, si diabeti mellitus dhe diabeti gestacional (i shtatzanisë), ose me ulje të glicemisë (hipoglicemia). Matja e saktë e glukozës në gjak është e rëndësishme për të shmangur sëmundjet që vijnë si pasojë e diabetit.
A ka efekte anësore matja e glicemisë?
Matja e glicemisë nuk paraqet rrezik për një pacient të trajnuar dhe që kryen matje korrekte. Gjarderdhja apo infeksionet në vendin e shpimit janë tepër të rralla. Shpimi në të njëjtin vend të mollëzës së gishtit mund të shkaktojë formim të cikatriceve, prandaj duhet të ndryshohet gjithmonë vendi i shpimit. Shpimi i gishtit të katërt (i unazës kryesisht) është më pak i dhimbshëm se ai i mesit, për shkak se ky i fundit është më i inervuar.