logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Testi Quick: koha e koagulimit të gjakut.
Testi Quick: koha e koagulimit të gjakut.

Çfarë është testi Quick?

Testi Quick përdoret për të kontrolluar aftësinë e gjakut për t’u mpiksur, pra sa shpejt koagulon gjaku. Ky është një test laboratorik që kërkon vetëm një kampion normal të gjakut. Rezultati tregohet me vlerën e Quick ose me vlerën e INR-së.

Testi Quick është një test laboratorik që i përket Mjekësisë së përgjithshme dhe Mjekësisë së brendshme.

A kërkon ky ekzaminim ndonjë përgatitje paraprake të veçantë?

Në përgjithësi, nuk nevojiten masa të veçanta para marrjes së kampionit të gjakut për këtë test.

Çfarë duhet të sqarohet përpara testit Quick?

Mjeku duhet të informohet nga pacienti për marrjen e ndonjë medikamenti gjatë ditëve të fundit, sepse disa medikamente mund të ndikojnë në mpiksjen e gjakut. Përveç kësaj, nuk nevojitet asnjë sqarim tjetër.

Si kryhet testi Quick?

Për të kryer testin Quick, gjaku merret nga një venë e krahut. Përcaktimi i kohës së tromboplastinës (Koha e Quick) bëhet në laborator me anë të një pajisjeje që mund të masë vlerat e ndryshme të mpiksjes së gjakut. Për të marrë vlerën e saj, në gjak shtohet një substancë që shkakton mpiksje dhe matet koha që duhet për mpiksjen e gjakut. Mpiksja normale e gjakut fillon pas rreth 15 sekondave.

Koha e tromboplastinës matet në sekonda, vlera Quick në përqindje. Mpiksja normale varion midis 70-120% dhe shërben si një vlerë reference (standarte). Një vlerë Quick nën këtë referencë do të thotë që gjaku mpikset më ngadalë se norma. Një vlerë e lartë e Quick do të thotë se gjaku mpikset më shpejt se norma. Nëse vlera Quick është shumë e ulët, ekziston rreziku i hemoragjisë spontane, ndërsa në rast se vlera Quick është shumë e lartë, mund të formohen koagulat, pra pllakëzat e mpiksura të gjakut.

Vlera e Quick është specifike në laborator, që do të thotë se çdo laborator përdor substanca testuese (reagentë) për matjen e kohës së tromboplastinës, të cilat sigurisht janë të ngjashme, por gjithsesi të ndryshme. Kështu, vlera e Quick mund të ndryshojë nga një laborator në tjetrin. Mjafton t’i imagjinoni këto substanca si monedha të ndryshme, që gjenden njëkohësisht në qarkullim. Kjo është arsyeja pse vlera e Quick tregohet edhe me vlerën e INR (Shkalla ndërkombëtare normale). Kjo vlerë i korrespondon një lloj "monedhe të përbashkët", të njëjtë për të gjithë laboratorët.

Kur kryhet testi Quick?

Arsyet më të shpeshta për matjen e kohës së tromboplastinës (testi Quick) janë:

  • Kontrolli i mpiksjes së gjakut para operacioneve ose në prani të hemoragjive të pashpjegueshme.
  • Rregullimi dhe kontrolli i dozës së trajtimit gjatë marrjes së medikamenteve që hollojnë gjakun (antikoagulantë-kundër mpiksjes së gjakut).
  • Sëmundjet e mëlçisë, si cirroza e mëlçisë (faktorët e mpiksjes së gjakut prodhohen në mëlçi).
  • Mungesa e vitaminës K (vitamina K është e nevojshme për prodhimin e faktorëve të mpiksjes së gjakut në mëlçi).
  • Dyshimi për çrregullime të trashëguara të mpiksjes së gjakut.

A paraqet ndonjë rrezik apo efekt të padëshiruar matja e tromboplastinës?

Ky test laboratorik nuk paraqet asnjë rrezik të veçantë, përveç rreziqeve të mundshme të lidhura me një marrje të thjeshtë të gjakut për analiza.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.