logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Depozitat e kolesterolit në enët e gjakut.
Depozitat e kolesterolit në enët e gjakut.

Hiperkolesterolemia bën pjesë tek çrregullimet e metabolizmit të yndyrnave dhe përfaqëson pikërisht rritjen e nivelit të kolesterolit në gjak. Ajo mund të jetë e lindur ose e fituar gjatë jetës. Shtimi i kolesterolit në gjak përbën një faktor rreziku mjaft të rëndësishëm për zhvillimin e arteriosklerozësenëve të gjakut dhe veçanërisht për sëmundjen e arterieve koronare (që furnizojnë me gjak muskulin e zemrës- miokardin).

Çrregullimet kryesore të metabolizmit të yndyrnave në organizëm janë:

  • Hiperkolesterolemia (shtimi i kolesterolit në gjak)
  • Hipertrigliceridemia (shtimi i triglicerideve në gjak)
  • Hiperlipidemia e përzier (hiperkolesterolemia + Hipertrigliceridemia)

Çfarë është kolesteroli?

Kolesteroli është një substancë yndyrore, që prodhohet kryesisht në mëlçi. Ai kryen disa funksione të rëndësishme në organizëm. Kështu, prodhimi i shumë hormoneve e ka origjinën tek kolesteroli, i cili përdoret edhe për prodhimin e acideve biliare, që favorizojnë tretjen e ushqimeve. Kolesteroli është pjesë përbërëse e murit qelizor. Ai mund të merret edhe nëpërmjet ushqimit të konsumuar.

Kur niveli i kolesterolit në gjak është shumë i lartë, ai depozitohet në muret e enëve të gjakut, duke shërbyer si pikënisje e aterosklerozës dhe ndërlikimeve të saj, si angina e gjoksit, infarkti i miokardit, aksidentet vaskulare cerebrale (të enëve të gjakut të trurit) dhe bllokimet e arterieve të këmbëve.

Kolesteroli është pak i tretshëm në ujë. Kjo e bën të vështirë transportin e tij në gjak. Për këtë arsye, për t’u transportuar, ai duhet të lidhet me lipoproteinat, që janë molekula të përbëra nga yndyrna dhe proteina.

Kolesteroli "i mire"  dhe "i keq"

Kolesteroli egziston në forma të ndryshme në organizëm. Termi “kolesterol i keq”  nënkupton LDL-kolesterolin (lipoproteinën me densitet të ulët), që  e transporton atë nga mëlçia drejt enëve të gjakut. Në rast se kjo lipoproteinë shtohet, kolesteroli do te depozitohet me tepricë në enët e gjakut, duke ndikuar në këtë mënyrë në zhvillimin e aterosklerozës.

Termi “kolesterol i mirë” nënkupton HDL-kolesterolin (lipoproteinën me densitet të lartë), që e transporton kolesterolin nga enët e gjakut drejt mëlçisë. Nëse niveli i kësaj lipoproteine rritet, sasia e kolesterolit që gjendet në enët e gjakut do të ulet. Për këtë arsye ajo konsiderohet si një faktor mbrojtës kundër zhvillimit të aterosklerozës. 

Trigliceridet: një tjetër element i rëndësishëm

Trigliceridet konsiderohen yndyrna neutrale, që ndikojnë në zhvillimin e aterosklerozës. Ato përbëjnë pjesën më të madhe të yndyrnave të thithura nëpërmjet ushqimit. Indi dhjamor i organizmit përbëhet kryesisht nga trigliceridet. Depot e triglicerideve përbëjnë rezervat më të rëndësishme të energjisë në organizëm. Niveli i tyre në gjak rritet në rastet e ushqyerjes  jo të shëndetshme (kur konsumohen ushqime të pasura me yndyrna shtazore), të konsumit të sasive të mëdha të alkoolit ose të trashëgimisë familjare për nivel të lartë të tyre.

Ushqimi i shpejtë rrit nivelin e kolesterolit në gjak.
Ushqimi i shpejtë rrit nivelin e kolesterolit në gjak.

Në mbi 80% të rasteve me shtim të kolesterolit në gjak, si shkak shërbejnë faktorët gjenetikë që përfshijnë shumë gene. Në këtë drejtim ndikojnë gjithashtu edhe ushqyerja jo e shëndetshme (me ushqime të pasura në yndyrna shtazore), mungesa e aktivitetit fizik dhe mbipesha trupore.  

Një pjesë e vogël e pacientëve me kolesterol të lartë të trashëguar kanë peshë normale dhe konsumojnë ushqime të varfra në yndyrna. Megjithatë, pavarësisht këtyre faktorëve, në këto familje janë mjaft të shpeshta sëmundje të tilla si hipertensioni arterial, infarkti i miokardit dhe aksidentet e enëve të gjakut të trurit (cerebrale).

Niveli i lartë i yndyrnave në gjak është një fenomen që nuk konstatohet nga pacienti, por vetëm gjatë analizave të gjakut në terren të sëmundjeve të tjera ose në kuadër të kontrolleve të rutinës. Nëse ky nivel vazhdon të jetë i lartë për një periudhë të gjatë kohore, ai mund të shkaktojë sëmundje të rënda, si:

  • Arterioskleroza (kalcifikimi i arterieve) me pasojat e saj të rënda, si angina e gjoksit, infarkti i miokardit, aksidentet vaskulare cerebrale (infarkti ose hemorragjia në tru) dhe bllokimi i arterieve të këmbëve.
  • Depozitime të kolesterolit në lëkurë (ksantomat e lëkurës), në formën e kokrrave të verdha që shfaqen kryesisht mbi qepalla ose në nivelin e gishtave.
  • Depozitimet e kolesterolit në nivelin e tendineve (ksantomat e tendineve), që shfaqen kryesisht në nivelin e tendinit të Akilit dhe në tendinet e gishtave.
Matja e kolesterolit në gjak.
Matja e kolesterolit në gjak.

Për të vlerësuar nivelin e yndyrnave në gjak, që përfshijnë kolesterolin, LDL dhe HDL kolesterolin dhe trigliceridet, nevojitet që personi të jetë pa ngrënë prej 12 orësh, mundësisht në mëngjes. Sasia totale e kolesterolit në gjak mund të matet në çdo moment të ditës, pavarësisht ushqyerjes.

Në rastin e sasisë së lartë të kolesterolit në gjak, trajtimi bazë konsiston në ndryshimin e mënyrës së ushqyerjes, konkretisht me pakësimin e marrjes së yndyrnave të ngopura, që rrisin nivelin e kolesterolit në gjak. Në të njëjtën kohë, duhet të konsumohen sa më shumë perime dhe fruta të freskëta.

Tek personat me yndyrna të rritura në gjak, që nuk përgjigjen mjaftueshëm ndaj mënyrës së re të ushqyerjes, si dhe tek personat që vuajnë nga sëmundja e arterieve koronare dhe nga diabeti i sheqerit, rekomandohet përdorimi i medikamenteve që ulin nivelin e yndyrnave në gjak (hipolipemiante). 

Operacionet

Operacioni rekomandohet vetëm në rastet kur medikamentet e mësipërme nuk kanë dhënë rezultat. Ai konsiston në prerjen përgjatë kockës të fashës (shtresës së indit lidhor) së shputës së këmbës. Përgjithësisht, sqepat e mëdhenj priten dhe kanë nevojë për një fazë pasuese trajtimi që zgjat disa muaj. 

Masat fizike

  • Vendosja e kompresave të ngrohta ose të ftohta
  • Trajtimi me ultratinguj
  • Trajtimi me valë goditëse
  • Trajtimi me rreze (rrezatimi)
  • Çfarë mund të bëjmë vetë?

    Meqenëse HDL-kolesteroli përfaqëson kolesterolin "e mire", sepse luan rol mbrojtës ndaj aterosklerozës së enëve të gjakut, niveli i tij në organizëm duhet të jetë sa më i lartë.

    Për këtë qëllim, rekomandohet:

    • Kryerja në mënyrë të rregullt e aktivitetit fizik
    • Ndërprerja e duhanit
    • Rënia në peshë, në rastin e mbipeshës trupore
    • Respektimi i një regjimi të shëndetshëm ushqimor, që njihet si dieta mesdhetare, që konsiston në  konsumin e shpeshtë të vajit të ullirit, peshkut dhe një gote verë të kuqe me raste.
    • Ushqyerja inteligjente
    • Gjatë ngrënies, duhet të merret në konsideratë sasia e yndyrnave që përmbahen tek mishi, qumështi, brumërat dhe ëmbëlsirat.  Kjo sasi duhet të mos e kalojë vlerën 30% të kalorive totale që merren gjatë ditës.
    • KëshiIlohet evitimi i ushqimeve që përmbajnë yndyrna të ngopura, që janë me origjinë shtazore, si mishi, sallami, gjalpi. Përkundrazi, rekomandohet konsumi i shpeshtë i ushqimeve që përmbajnë yndyrna të pangopura, që janë me origjinë bimore dhe gjenden tek vajrat bimore, si vaji i ullirit, i lulediellit, i sojës dhe i gjembaçit.
    • Të konsumohen në sasi të pakta produktet ushqimore që janë të pasura me kolesterol, si e verdha e vezës, të brendshmet e shpendëve  dhe frutat e detit.
    • Të konsumohen sa më shumë frutat e freskëta, perimet, drithërat dhe karbohidratet (sheqernat) komplekse, që gjenden tek patatet dhe buka  e zezë
    • Të konsumohen sa më shumë lëngje, të tilla si çaji pa sheqer ose uji mineral.

    Dr. med. Fritz Grossenbacher

    Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

    Doris Zumbühl

    Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

    Dr. Yllka Themeli

    Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.

    Përdoruesit kanë vizituar po ashtu...