Artroza
Kontribuesit (Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Artroza është një sëmundje e kyçeve, që bën pjesë në sëmundjet reumatizmale. Këto sëmundje shkaktohen nga dëmtime në nivelin e kërceve të kyçeve.
Kërci i kyçit shërben si amortizues, që eviton fërkimet e kockave me njëra-tjetrën. Si pasojë e mbingarkesave të zgjatura gjatë disa viteve ose të pranisë së disa sëmundjeve, qelizat kërcore shkatërrohen dhe mund të nekrotizohen (vdesin). Pjesa më e madhe e njerëzve, gjatë jetës së tyre, vuajnë nga dhimbje në një ose disa kyçe.
Artroza mund të prekë të gjitha kyçet, por më shpesh ajo haset në ato të shtyllës kurrizore, të duarve, këmbëve, legenit dhe gjunjëve.
Si shkak i artrozës konsiderohet mbingarkesa e madhe dhe e vazhdueshme e kyçeve për disa vite, për shkak të:
- Mbipeshës trupore
- Profesionit të lidhur me aktivitet të madh fizik
- Sforcimeve të mëdha gjatë praktikimit të sporteve, veçanërisht në nivel profesional (futbolli, ecja në këmbë, tenisi, baleti).
- Mbingarkesës së njëanshme të një kyçi.
- Sëmundjeve të trashëguara
- Pozicioneve jonormale të kyçeve, të lindura ose të fituara (nga traumat), që mund të ndikojnë në një dëmtim më të hershëm të kyçit.
- Çrregullimeve të qarkullimit të gjakut, çrregullimeve metabolike ose çrregullimeve hormonale. Kështu, pas menopauzës gratë preken më shumë nga atroza, që mund të jetë me origjinë hormonale.
- Efektit të padëshiruar pas injeksioneve të kortizonit direkt në kyç.
- Ngarkesave jofiziologjike, të shkaktuara nga përdorimi i këpucëve të papërshtatshme për disa vjet (taka shumë të larta ose shumë të holla).
Sëmundjet e ndryshme që mund të shkaktojnë një artrozë:
- Çrregullimet e lindura të zhvillimit dhe deformimet e kyçeve
- Sëmundjet e kyçeve gjatë periudhës së rritjes, si sëmundja Perthes.
- Sëmundje të kyçeve të pavarura nga mosha, si poliartriti, artriti bakterial, guta.
- Sëmundjet sistemike, sëmundjet metabolike dhe sëmundjet endokrine
- Sëmundjet neurologjike
- Dëmtimet e shkaktuara nga sforcimi i madh në kuadër të aktivitetit profesional ose të praktikimit të një sporti

Personat me artrozë paraqesin këto simptoma:
- Enjtje, skuqje dhe dhimbje në nivelin e kyçit të prekur
- Grumbullim i likidit në brendësi të kyçit
- Kontraktura muskulare, kufizim i lëvizjeve
- Deformim progresiv i kyçit
- Humbje e funksionit të tij
Dhimbjet karakteristike janë:
- Dhimbje e kyçit në mëngjes kur ngrihen nga shtrati, ose pasi kanë qëndruar për një kohë të gjatë në pozicionin ulur
- Dhimbje gjatë zbritjes së shkallëve
- Dhimbje në pushim ose pas një ecjeje të gjatë

Për diagnostikimin e artrozës janë të nevojshme:
- Informimi i mjekut me simptomat e pacientit
- Ekzaminimi fizik i pacientit, me kryerjen e testit të lëvizshmërisë
- Ekzaminimi radiografik, që lejon përcaktimin e shkallës së dëmtimit të kyçit
- Analizat e gjakut, për të përjashtuar sëmundje të tjera inflamatore ose reumatizmale
- Ekzaminimi me ultratinguj i kyçit
- Rezonanca magnetike e kyçit
- Artroskopia (teknikë specifike, që realizohet me ndihmën e lëndës së kontrastit)

Artroza ekzistuese nuk mund të shërohet. Trajtimi në këtë rast konsiston në ndalimin e përparimit të sëmundjes dhe lehtësimin e simptomave.
Masat e përgjithshme
Mënyrat ortopedike të trajtimit
Fashimet ose vendosja e allçisë lejon mbështetjen e kyçit të prekur.
Mënyra të tjera
Përdorimi i këpucëve të rehatshme, për të patur këmbë të shëndetshme.
Medikamentet
- Për trajtimin e dhimbjeve të artrozës përdoren antiinflamatorët josteroidienë. Në vitin 2005, disa nga këto medikamente (frenues të enzimës COX-2) u hoqën nga përdorimi për shkak të efekteve të tyre të padëshirurara në aparatin e tretjes dhe sistemin kardio-vaskular.
- Kortizoni përdoret shpesh në rastin e inflamacioneve akute, përgjithësisht të shoqëruara me grumbullim të likidit në brendësi të kyçit. Pasi nxirret likidi me anën e një shiringe, duke ulur në këtë mënyrë presionin brenda kyçit, injektohet Kortizoni.
- Acidi hialuronik dhe medikamentet mbrojtës të kërceve nuk kanë rezultuar efikasë në rastet e studiuara. Për këtë arsye, përdorimi i këtyre dy tipeve të medikamenteve nuk rekomandohen të përdoren në artrozat inflamatore.
Xhelët freskues ose pomadat ngrohëse të aplikuara me masazh ndikojnë pozitivisht në të tilla situata.
Operacionet
Në rastin e artrozës, ndërhyrja kirurgjikale ka për qëllim pakësimin e dhimbjeve, përmirësimin ose ruajtjen e funksionit të kyçit. Ndërhyrja konsiston në fiksimin përfundimtar të kyçit (artrodeza) ose zëvendësimin e tij (proteza artikulare).
Osteotomia përdoret në rastin e pozicionit jonormal të gjymtyrëve (si psh. këmbët e kryqëzuara); ajo lejon ruajtjen e kyçit.
- Fiksimi i kyçit: artrodeza e kyçeve indikohet për kyçet tek të cilat jo gjithmonë mund të vendoset protezë (si psh. kyçi i këmbës, ai metatarsofalangeal, i dorës dhe i gishtit).
- Zëvendësimi i kyçit: protezat e plota ose të pjesshme përdoren shpesh për trajtimin e artrozave të legenit ose të gjurit. Kjo mënyrë praktikohet vetëm në rastet kur mënyrat e tjera të trajtimit nuk kanë rezultuar efikase. Proteza ka një jetëgjatësi mesatare nga 15-20 vjet, dhe mund të përkeqësohet me kalimin e kohës. Mjeku ortoped vlerëson çdo rast në mënyrë individuale, dhe përcakton shkallën e vuajtjes së pacientit. Ai duhet t’i diskutojë me pacientin alternativat e mundshme të trajtimit, dhe mundësinë e ndërhyrjes kirurgjikale.
Masat fizike
Fizioterapia
- Gjimnastika specifike për forcimin e muskujve periferikë të kyçeve
- Ushtrimet e tërheqjes (shtrirjes) dhe lëvizjet specifike
- Ushtrimet e koordinimit të lëvizjeve dhe ekuilibrit
- Elektroterapia
- Masazhet
- Diatermia (trajtimi me të ngrohtë dhe me të ftohtë)
- Terapia me balta minerale
- Banjat
Riaftësimi
- Aktivitetet sportive, si gjimnastika në ujë, ecjet dhe biçikleta në ujë konsiderohen të dobishme për riaftësimin e pacientit dhe parandalimin e përparimit të artrozës.
Në rastin e artrozës, ka shpesh periudha kur pacienti nuk ndjen asnje dhimbje, të alternuara me periudha dhimbjesh të rëndësishme dhe kufizim të funksionit, që mund të zgjasin me muaj. Është i detyrueshëm kontrolli i peshës trupore dhe rënia në peshë në rastin e mbipeshës trupore. Sportet që nuk i përfshijnë shumë kyçet, si çiklizmi, noti, gjimnastika në ujë, ecja, mund t’i lehtësojnë simptomat ekzistuese dhe të parandalojnë përparimin e artrozës. Sportet e rënda, që përfshijnë shumë kyçet, si vrapimi, tenisi, futbolli ose sportet luftarake nuk duhet të praktikohen nga personat me artrozë.