Angiografia (Arteriografia, Grafia e enëve të gjakut)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Çfarë është angiografia?
Angiografia është një ekzaminim imazherik i enëve të gjakut, që realizohet nëpërmjet përdorimit të lëndës së kontrastit, i cili përdoret kryesisht për arteriet (arteriografia). Nëpërmjet angiografisë mund të kryhen edhe trajtime të enëve të gjakut, si psh: zgjerimi i një ene të ngushtuar, apo shkatërrimi i një pllake gjaku të mpiksur (trombi).
Angiografia është një ekzaminim i shërbimit të angiologjisë dhe mjekësisë interne.
A është e nevojshme përgatitja e pacientit para ekzaminimit?
Për angiografinë duhet që pacienti të jetë esëll për shkak të përdorimit të lëndës së kontrastit, dhe të ndërpresë duhanpirjen. Në pacientët që trajtohen për diabet, këshillohet edhe ndërprerja e trajtimit medikamentoz përpara ekaminimit, pasi mund të hyjnë në bashkëveprim me lëndën e kontratit dhe mund të shtojnë aciditetin e gjakut. Çdo veprim duhet të kryhet me udhëzimin e mjekut.
Çfarë sqarimi nevojitet para ekzaminimit?
Përpara këtij ekzaminimi pacienti sqarohet që nevojitet marrja e gjakut për t’u testuar funksioni i veshkave dhe gjendrës tiroide (për shkak të lëndës së kontrastit), si edhe niveli i koagulimit të gjakut (për ndonjë mpiksje gjaku të mundshme).
Në rastet e mëposhtme nuk duhet të përdoret lëndë kontrasti, ose të përdoret vetëm nën marrjen e masave paraprake:
- Alergji e njohur ndaj lëndës së kontrastit
- Sëmundje të veshkave ose të gjendrës tiroide (dëmtimi i funksionit të tyre)
- Marrja e medikamenteve specifike për diabetin e sheqerit
- Shtatzani
Si kryhet angiografia?
Pas anestezisë lokale, kryhet shpimi i arteries në zonën inguinale (arteria femorale, në rrëzën e kofshës) ose në bërryl, dhe në të futet një tub i hollë (kateter) i cili shtyhet deri në arterien që do të ekzaminohet. Nëpërmjet kateterit injektohet lënda e kontrastit me jod që bën të dukshme enët e gjakut të mbushura me kontrast. Pas ekzaminimit, kateteri hiqet dhe aty vendoset një fashë shtrënguese për të paktën 12 orë, për të parandaluar gjakderdhjen. Ekzaminimi zgjat zakonisht rreth 30 minuta, por në rast se do të kryhet edhe ndonjë trajtim, si p.sh. zgjerimi i një ene të ngushtuar, sigurisht që ai do të zgjasë më tepër.
Kur këshillohet kryerja e këtij ekzaminimi?
Ky ekzaminim nevojitet për të bërë të dukshme enët e gjakut të organeve të ndryshme (zemra, veshkat, truri, zorrët) ose të arterieve të këmbës. Me ndihmën e angiografisë mund të diagnostikohen sëmundje të enëve të gjakut, të tilla si: stenozat ose trombozat, embolitë, hemorragjitë apo aneurizma.
Shkaqet më të shpeshta që kërkojnë kryerjen e një angiografie janë:
- Sëmundja e arterieve koronare
- Katerizimi i zemrës
- Problemet me qarkullimin e gjakut në këmbë (sëmundja e arterieve periferike)
- Tromboza
- Ishemia cerebrale
- Hemorragjia në tru
- Hipertension arterial si rezultat i një ngushtimi të arteries së veshkës.
A paraqet angiografia rrisqe apo efekte të dëmshme?
Ky ekzaminim është me rrezik të pakët. Mund të shfaqen hematoma dhe hemorragji të lehta në vendin e shpimit. Janë tepër të rralla probleme serioze si hemorragjitë, infeksionet ose çrregullimet e qarkullimit të gjakut për shkak të dëmtimit të enës së gjakut. Në momentin e injektimit të lëndës së kontrastit me jod, në trup mund të përjetohet një ndjesi nxehtësie, por e parrezikshme. Në raste të rralla mund të zhvillohen reaksione alergjike ndaj lëndës së kontrastit. Në përgjithësi, lendët e kontrastit që përdoren në ditët e sotme tolerohen mjaft mire nga pacientët.