Endoskopia (Ekzaminimi endoskopik)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Çfarë është Endoskopia?
Endoskopia bën të mundur eksplorimin e organeve dhe hapësirave të trupit pa bërë prerje të mëdha të lëkurës, si dhe kryerjen e ndërhyrjeve të vogla kirurgjikale, të ashtuquajtura "mini-invazive". Endoskopët janë instrumente në formën e një tubi të hollë dhe të gjatë, të cilat futen në brendësi të trupit nga vrima natyrore të tij (si goja, anusi, hunda, vagina, vrima e jashtme e uretrës etj.), ose nga prerje të vogla të lëkurës. Gjithashtu, ka edhe endoskopë fleksibël, të cilët përdoren psh. për kryerjen e gastroskopisë (endoskopia e stomakut), kolonoskopisë (endoskopia e zorrës së trashë) ose cistoskopisë (endoskopia e fshikëzës së urinës). Një formë e veçantë e endoskopisë është endoskopia me kapsulë e zorrëve të holla, gjatë së cilës gëlltitet një kapsul në brendësi të së cilës gjendet një kamera endoskopike; gjatë udhëtimit të kapsulës nëpër aparatin e tretjes, kamera brenda saj transmeton vazhdimisht imazhe në një kuti regjistruese të lëvizshme.
Endoskopia është ekzaminim i një sërë specialitetesh mjekësore, veçanërisht i mjekësisë së brendshme (gastro-enterologjisë, pneumologjisë), i gjinekologjisë, urologjisë, ortopedisë, otorinolaringologjisë dhe kirurgjisë.
A kërkon ky ekzaminim ndonjë përgatitje paraprake specifike?
- Për endoskopinë e organeve të aparatit të tretjes, është e nevojshme që pacienti të mos ketë konsumuar ushqim. Është mjeku ai që jep udhëzime të detajuara për këtë aspekt.
- Për kolonoskopinë, është i nevojshëm një pastrim paraprak i zorrëve. Nëse do të ekzaminohet vetëm rektumi, mjafton një klizmë përpara ekzaminimit.
Çfarë duhet të sqarohet përpara ekzaminimit?
- Për endoskopinë, duhet të jetë normal koagulimi i gjakut. Nëse është e nevojshme, kontrollohen paraprakisht vlerat e koagulimit të gjakut (testimi i gjakut). Pacientët që marrin medikamente antikoagulante mund të kenë nevojë të ndalojnë marrjen e këtyre ilaçeve disa ditë përpara ekzaminimit ose t'i zëvendësojnë ato me injeksione të heparinës në zonën e barkut. Është mjeku ai që do t'ju japë udhëzime për këtë.
Si realizohet Endoskopia?
Shumica e endoskopive diagnostike, që bëhen për qëllime diagnostike, mund të kryhen në kushte ambulatore, nën anestezi të lehta (me injektimin e një qetësuesi). Proçedurat endoskopike (minimalisht invazive) zakonisht kryhen në kushte spitalore, nën anestezi të përgjithshme.
Endoskopi është i pajisur me një kamera të vogël, e cila transmeton një imazh të zmadhuar me rezolucion të lartë, në një monitor. Gjatë proçedurës, një burim drite ndriçon zonën e ekzaminuar ose vendin ku po operohet. Në këtë mënyrë mund të evidentohen inflamacionet, hemorragjitë, tumoret dhe shumë ndryshime të tjera patologjike. Nëse është e nevojshme, instrumentet kirurgjikale shumë të vogla mund të futen përmes endoskopit, për të mundësuar marrjen e kampioneve indore ose për të bërë ndërhyrje të vogla (hemostazën, heqjen e polipeve të zorrëve) nën kontroll pamor të vazhdueshëm. Gjatë proçedurave minimalisht invazive endoskopike, dy ose më shumë trokarë futen në prerje të vogla të lëkurës, në varësi nga madhësia e proçedurës. Trokarët janë tuba metalikë të vegjël përmes të cilave mund të dërgohen të gjitha instrumentet kirurgjikale në zonën operatore.
Operacioni minimalisht invaziv në zgavrën e barkut quhet "laparoskopi".
Kur kryhet Endoskopia?
Fushat e mundshme për aplikimin e endoskopisë janë të shumta. Ajo përdoret për diagnostikimin, planifikimin e ndërhyrjeve, trajtimin dhe ndjekjen e rasteve. Në ditët tona, shumica e ndërhyrjeve realizohen me endoskopi. Këtu përfshihen: hemostaza (ndalimi i gjakderdhjes) në stomak, heqja e polipeve të zorrës, heqja e gurëve të tëmthit ose i të gjithë fshikëzës së tëmthit, riparimi i dëmtimeve të meniskut të gjurit, ndërhyrjet kirurgjikale të disqeve ndërvertebrore, heqja e prostatës ose e tubave të Fallopit, dhe e mitrës.
Endoskopitë kryesore dhe emërtimi i tyre mjekësor:
- Trakti gastrointestinal, rrugët e tëmthit dhe zgavra e barkut:
- Ezofagu: ezofagoskopi
- Stomaku: gastroskopi
- Duodeni: duodenoskopi
- Rrugët e tëmthit dhe kanali pankreatik: kolangiopankreatografi endoskopike retrograde
- Rrugët e tëmthit: kolangioskopi
- Zorra e hollë: enteroskopi, endoskopi me kapsulë
- Zorra e trashë: kolonoskopi, rektoskopi, sigmoidoskopi
- Hunda, rrugët e frymëshkëmbimit dhe kafazi i kraharorit:
- Faringu: faringoskopi
- Laringu: laringoskopi
- Trakea: trakeoskopi
- Bronket: bronkoskopi
- Kafazi i kraharorit (toraksi): torakoskopi
- Mediastini: mediastinoskopi
- Organet që eleminojnë urinën:
- Zgavra e barkut: laparoskopi
- Artikulacionet: artroskopi
- Organet gjenitale të femrave:
- Vagina dhe qafa e mitrës: kolposkopi
- Mitra: histeroskopi
A paraqet Endoskopia ndonjë rrezik apo efekte të padëshiruara?
Në përgjithësi, endoskopia paraqet pak risqe. Ashtu si edhe për çdo ndërhyrje tjetër, janë të mundshme ndërlikime të tilla, si hemorragjitë, dëmtimet e enëve të gjakut, të nervave ose organeve,dhe infektimi i plagëve. Edhe anestezia nga ana e saj paraqet gjithmonë një rrezik të mundshëm për pacientin.