logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Hipoakuzia: ulje e papritur e aftësisë për të dëgjuar.
Hipoakuzia: ulje e papritur e aftësisë për të dëgjuar.

Hipoakuzia përfaqëson një ulje të papritur të aftësisë për të dëgjuar, që ndodh pa ndonjë shkak të dukshëm. Ky fenomen mund të manifestohet në shkallë të ndryshme, që mund të arrijnë ndonjëherë deri në shurdhësi (humbje të plotë dhe të përhershme të aftësisë për të dëgjuar). Në pjesën më të madhe të rasteve, ai shfaqet vetëm në njërin vesh.

Përgjithësisht, për humbjen e dëgjimit është përgjegjës dëmtimi i veshit të brendshëm (i qelizave të kërmillit). Ky fenomen mund të shfaqet në çdo moshë, por më shpesh prek personat me moshë rreth 50 vjeç. Meshkujt dhe femrat preken në mënyrë të barabartë. 

Qelizat shqisore të dëgjimit, duke qenë tepër të ndjeshme, arrijnë të shndërrojnë tingujt (valët zanore) në impulse elektrike. Ulja e dëgjimit është pasojë e dëmtimit të këtyre qelizave nga shkaqe ende të panjohura.

Në këtë proçes mund të ndikojnë faktorët e mëposhtëm:

  • Çrregullimet e qarkullimit të gjakut në nivelin e veshit të brendshëm.
  • Çrregullimet e ekuilibrit të kripërave në organizëm (të transportit të natriumit dhe kaliumit) dhe të funksionit qelizor.
  • Çrregullimet e transmetimit të ngacmimeve drejt qelizave shqisore të dëgjimit.
  • Dëmtimet e këtyre qelizave me natyrë inflamatore, si ato nga infeksionet virale apo sëmundjet autoimune.
  • Situatat e stresit, që duket se e favorizojnë uljen e dëgjimit.
  • Në rastin e uljes së dëgjimit nga veshi i brendshëm, në varësi të valëve (frekuencave) zanore të prekura, flitet për humbje të dëgjimit në valët e larta, të mesme dhe të ulëta. Ndonjëherë rezulton e prekur e gjithë bashkësia e valëve zanore.

Përgjithësisht, humbja e papritur e dëgjimit ndodh në njërin vesh dhe në këto raste pacienti ankon për:

Hipoakuzia: Audiograma.
Hipoakuzia: Audiograma.

Diagnoza e humbjes së papritur të dëgjimit duhet të përcaktohet nga mjeku specialist ORL (otorinolaringolog), duke u bazuar në:

  • Simptomat e pacientit, kohëzgjatjen dhe ecurinë e tyre, si dhe historinë e detajuar personale të pacientit lidhur me praninë e sëmundjeve apo faktorëve psiqikë që mund të jenë përgjegjës për problemin që ai paraqet.
  • Egzaminimin e kujdesshëm të veshit (otoskopia) dhe zonës rreth tij nga një mjek specialist otojatër (ORL- otorinolaringolog).
  • Testet e ndryshme të dëgjimit, përfshirë audiometrinë.
  • Në rast nevoje, në kryerjen e analizave laboratorike për të përjashtuar çdo sëmundje tjetër.
  • Skanerin ose rezonancën magnetiketrurit, për të përjashtuar shkaqe të tjera të uljes së aftësisë për të dëgjuar.
Hipoakuzia: terapi me medikamente.
Hipoakuzia: terapi me medikamente.

Në pjesën më të madhe të rasteve, çrregullimet e dëgjimit kalojnë në mënyrë spontane, brenda disa orësh deri disa javësh. Gjithsesi, meqenëse  ecuria e favorshme e këtij fenomeni nuk është e sigurt, duhet të kryhet menjëherë kontrolli tek mjeku specialist otojatër (ORL). Sa më herët të fillohet trajtimi, aq më të mëdha janë mundësitë që ai të jetë efikas. Nuk duhet të pritet që simptomat të përparojnë dhe të rëndohen, por konsulta me mjekun duhet të kryhet që në momentin e parë që dëgjimi ulet papritur.

Trajtimi i uljes së papritur të dëgjimit bazohet në njërën nga mënyrat e mëposhtme, ose në kombinimin e tyre:

  • Përmirësimi i qarkullimit të gjakut në nivelin e veshit të brendshëm, nëpërmjet  marrjes së sasive të mëdha të lëngjeve dhe përdorimit të medikamenteve të posaçme.
  • Përmirësimin e shkallës së rrjedhjes së gjakut, nëpërmjet përdorimit të solucioneve të pasura me kripë, medikamenteve ose aferezës
  • Përdorimi i medikamenteve që luftojnë inflamacionin (kortizoni)
  • Ndikimi i medikamenteve mbi kanalet jonike të qelizave shqisore.
  • Përdorimi i oksigjenit

Ulja e papritur e dëgjimit mund të lërë pasoja të tilla si:

  • Humbja e plotë dhe e përhershme e aftësisë për të dëgjuar (shurdhësia).
  • Një ndërlikim i vonshëm i këtij fenomeni është shfaqja e një zhurme të përhershme në vesh.
  • Nga ana tjetër, edhe medikamentet e përdorura mund të shfaqin efekte anësore, që në fakt janë tepër të rralla.

Parandalimi pas një ulje të papritur të dëgjimit (parandalimi dytësor) konsiston në:

  • Evitimin e çdo situate stresi psiqik ose fizik, si gjatë ashtu edhe pas trajtimit.
  • Mospërdorimin e drogave
  • Ndërprerjen e alkoolit dhe duhanit
  • Evitimin e zhurmave gjatë ditës (në mjedisin e punës), por veçanërisht gjatë natës (në lokale, diskoteka, etj.).

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.