Gastroskopia
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Çfarë është gastroskopia?
Gastroskopia shërben për të sqaruar ankesat në lidhje me ezofagun, stomakun apo duodenin. Ekzaminimi kryhet me ndihmën e endoskopit (gastroskopit), që është një pajisje e përbërë nga një tub fleksibël (i përkulshëm) i pajisur me një llampë dhe një kamera të vogël, e cila e përcjell imazhin të zmadhuar në një monitor (videoendoskopi). Nëpërmjet saj, mjeku mund të ekzaminojë brendësinë e ezofagut, stomakut dhe duodenit, të marrë kampione qelizore për ekzaminim ose të kryejë ndërhyrje të vogla.
Gastroskopia është një ekzaminim i shërbimit të Gastroenterologjisë, gjithashtu edhe i Mjekësisë interne (të organeve të brendshme).
A është e nevojshme ndonjë përgatitje paraprake specifike e pacientit?
Për proçedurën e gastroskopisë stomaku duhet të jetë bosh. Nevojitet që të paktën 6 orë para proçedurës pacienti të jetë esëll, pa ngrënë e pa pirë. Pirja e ujit lejohet deri në 2 orë para ekzaminimit.
Çfarë sqarimi nevojitet para ekzaminimit?
Për kryerjen e gastroskopisë duhet të kontrollohet niveli i koagulimit të gjakut me anë të analizës së gjakut (niveli i protrombinës/INR). Pacientët që marrin hollues gjaku, duhet t’i ndërpresin ato disa ditë përpara ekzaminimit, ose të zëvendësohet marrja e tyre me heparinë që injektohet në bark. Çdo veprim duhet të kryhet me udhëzimin e mjekut.
Si kryhet gastroskopia?
Në fillim spërkatet fyti me një solucion mpirës, në mënyrë që të parandalohen reflekset mbytëse për shkak të ngacmimit nga sonda. Në rast se pacienti dëshiron, mund edhe t’i injektohet një qetësues (medikament gjumëdhënës). Pas kësaj, tubi fleksibël i gastroskopit futet fillimisht në gojë dhe shtyhet drejt ezogagut, stomakut, deri në nivelin e duodenit. Në mënyrë që pamja të jetë sa më e qartë, bëhet futja e ajrit, që mundëson evidentim më të mirë të mukozës. Gjatë proçedurës, nëpërmjet kanalit të sondës mund të kalohen intrumenta, si pinca e hollë e biopsisë për marrjen e materialit indor, apo të kryhen ndërhyrje të vogla (ndalimi i hemorragjive, heqja e polipeve të stomakut). Kjo proçedurë është pa dhimbje, pasi mukoza e organeve të tretjes nuk është e inervuar. Proçedura zakonisht zgjat rreth 10 minuta, por në rast se kryhet ndonjë ndërhyrje, zgjat pak më tepër. Në rast se gastroskopia bëhet pa patur nevojën e futjes së instrumentave të tjerë për ndërhyrje (psh. pincave të biopsisë), tubi i hollë i gastroskopit mund të kalojë edhe nëpërmjet hundës, mënyrë kjo që është më komode për mjaft pacientë.
Kur këshillohet kryerja e gastroskopisë?
Gastroskopia shërben për diagnostikimin dhe kontrollin e ecurisë së trajtimit të sëmundjeve të ezofagut, stomakut dhe duodenit.
Arsyet më të shpeshta që kërkojnë kryerjen e gastroskopisë janë:
- Ndjesia e djegies në stomak (urth)
- Vështirësia në gëlltitje
- Dhimbja në kuadratin e sipërm epigastrik (të barkut), dhimbja e stomakut
- Humbja e padëshiruar e peshës
- Problemet me jashtëqitjen
- Ulçera e stomakut apo e zorrës
- Sëmundja e celiakisë (intoleranca ndaj glutenit)
- Verifikimi i infeksionit për shkak të pranisë së Helicobacter Pylorit.
A paraqet kjo proçedurë rreziqe apo efekte të padëshiruara?
Ky ekzaminim është përgjithësisht i parrezikshëm. Hemorragjia mund të ndodhë për shkak të dëmtimit të mukozës, psh. në rastin e marrjes së një kampioni indor për biopsi apo të heqjes së polipeve. Janë mjaft të rralla dëmtimet e harkut të dhëmbëve, laringut apo të trakesë.
Janë jashtëzakonisht të rralla ndërlikimet e rënda, si dëmtimi apo shpimi i murit të zorrës me instrumentin e ekzaminimit, sepse punohet duke monitoruar në mënyrë të vazhdueshme me pamje në ekran. Dëmtime të tilla mund të ndodhin në rastin e inflamacioneve të rënda apo të indeve tepër të buta.