Leishmanioza
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Leishmanioza është një sëmundje infektive tropikale, relativisht e rrallë. Ajo haset përgjithësisht në zonat tropikale dhe subtropikale, me përjashtim të Australisë. Vitet e fundit kjo sëmundje është konstatuar edhe në vendet e mesdheut. Ajo shkaktohet nga disa parazitë të vegjël, të cilët transmetohen tek njeriu nëpërmjet pickimit nga mushkonjat e infektuara.
Në varësi të formës së sëmundjes, simptomat mund të variojnë nga ulçera (plagë) relativisht beninje në lëkurë, deri në çrregullim të funksionit të organeve me rëndësi jetike (ethja e zezë), të cilat mund të shkaktojnë vdekjen e pacientit edhe disa vite pas infektimit. Periudha e inkubacionit (nga momenti i infektimit deri në momentin e shfaqjes së simptomave të para) mund të zgjasë ndonjëherë me vite, që e bën diagnozën tepër të vështirë. Në rastin e ethes së zezë, i sëmuri vdes brenda 1-2 vjetësh.
Në varësi të tipit të parazitit të leishmanias, sëmundja manifestohet në tri forma, secila me një ecuri më pak ose më shumë të rëndë:
- Leishmanioza e lëkurës: paraziti prek lëkurën, në të cilën shfaqen ulçera relativisht beninje (me ecuri të mirë)
- Leishmanioza e lëkurës dhe mukozave: paraziti prek më tepër mukozat sesa lëkurën, duke shkaktuar defekte (gjymtime) në nivelin e fytyrës.
- Leishmanioza viscerale: paraziti prek organet vitale si lëkurën, shpretkën ose mëlçinë (forma Kala Azar).
Leishmanioza transmetohet tek njeriu nga mushkonjat e infektuara, kryesisht gjatë muzgut. Më të rrezikuar për t`u prekur janë personat me lëkurë të dëmtuar, gjatë shtypjes së mushkonjave në zonat e dëmtuara.
Në ditët e sotme, paraziti i leishmaniozës nuk është i pranishëm vetëm në zonat tropikale. Shumë raste të infektuara prej tij janë raportuar në vende mesdhetare, si Italia dhe Portugalia. Pjesa më e madhe e turistëve të infektuar e kanë marrë sëmundjen gjatë udhëtimeve në Amazonën boliviene (Amerikën e jugut).

Periudha e inkubacionit mund të variojë nga disa javë deri në disa muaj, madje edhe vite.
Leishmanioza e lëkurës:
- Skuqje e lëkurës
- Enjtje të lokalizuara
- Formimi i ulçerave të padhimbshme, të cilat zhduken disa muaj pas cikatrizimit (mbylljes së plagës).
- Leishmanioza e lëkurës dhe mukozave:
- Formimi i ulçerave mbi mukozën e hundës, të fytit dhe në buzë.
- Shkatërrimi i lëkurës, muskujve dhe kërceve në nivelin e fytyrës, duke shkaktuar ndonjëherë deformime të rëndësishme në këto zona.
Leishmanioza viscerale:
- Dobësi e përgjithshme, mungesë e oreksit
- Dhimbje e barkut dhe diarre shpesh me gjak.
- Rënie në peshë
- Ethe
- Zmadhim i mëlçisë
- Zmadhim i shpretkës
- Rënie e flokëve
- Mbajtje e ujit në organizëm (edema)
- Hemorragji që rrezikojnë jetën e pacientit.
- Çrregullime të hemogramës (mbjelljes së gjakut)

Diagnostikimi i leishmaniozës bazohet tek:
- Njohja e mjekut në mënyrë të detajuar me simptomat e pacientit, duke përfshirë edhe historinë e sëmundjes (udhëtimet jashtë vendit)
- Analizat e gjakut (çrregullimet e hemogramës) për të përjashtuar praninë e sëmundjeve të tjera si tuberkulozi ose lebra. Në ditët e sotme sëmundja është përgjithësisht e diagnostikueshme nëpërmjet evidentimit direkt të parazitit në materialin gjenetik (metoda PCR).
- Diagnoza e leishmaniozës mund të konfirmohet vetëm nga biopsia e realizuar në materialin indor.

Për trajtimin e leishmaniozës përdoren medikamente të ndryshme, të cilat mund të merren nga goja në formën e tabletave, ose me injeksione. Zgjedhja e medikamentit varet nga forma e sëmundjes. Kështu, mund të përdoren derivatet e antinomit, medikamentet antifungale ose edhe miltefosina që, në fakt, është ende në nivel studimor. Në rastet me diarre dhe hemorragji të rëndë, nevojitet trajtimi në kushte spitalore.
Megjithë medikamentet e disponueshme, 3-20 % e pacientëve vdesin nga kjo sëmundje. Përmes ndërlikimeve të rënda, mund të përmendim gjymtimet dhe deformimet e rëndësishme. Në rastet me prekje të organeve (forma viscerale), pjesa më e madhe e pacientëve vdesin brenda dy vjetësh.

Për parandalimin e leishmaniozës, duhet patur parasysh:
- Nuk egziston asnjë vaksinë për mbrojtje kundër leishmaniozës.
- Përdorimi i produkteve kundër mushkonjave, veçanërisht në kohën e muzgut
- Veshja e rrobave të gjata dhe e këpucëve të mbyllura
- Pushime në vende pa mushkonja
- Vendosja e rrjetave që pengojnë futjen e mushkonjave në dyer dhe në dritare, si dhe përdorimi i produkteve që i largojnë ato.
Mushkonjat nuk fluturojnë lart dhe janë zakonisht të pranishme në sipërfaqen e tokës. Për pasojë: Kujdes! Në zonat e rrezikuara për leishmaniozë: mos ngrini kamping, mos flini në tokë dhe mbi të gjitha, dhoma e hotelit të gjendet të paktën në katin e dytë.