Ortoreksia
Kontribuesit (Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Termi ortoreksi përfaqëson një mani (obsesion) për ushqyerje të shëndetshme. Ndryshe nga anoreksia ose bulimia, këtu problemi nuk qëndron tek sasia e ushqimit, por tek cilësia e tij. Pika e përbashkët e këtyre tri sëmundjeve është pikërisht ndikimi i madh i fenomenit të ushqyerjes mbi jetën e përditshme të personave të prekur prej tyre.
Termi ortoreksi është formuluar për herë të parë në vitin 1997, nga mjeku amerikan Stiv Bratman. Ai ishte i prekur nga kjo sëmundje dhe mundi të shërohej prej saj.
Në fakt, ekspertët e kësaj fushe vazhdojnë të kenë kontradikta lidhur me faktin nëse ortoreksia është një çrregullim i vërtetë, i lidhur me ushqyerjen, apo thjesht një tekë. Disa kritikë të Bratman-it e klasifikojnë atë si një formë të re të çrregullimit psiqik. Pjesa tjetër mendon se kjo është e egzagjeruar, dhe se ortoreksia qëndron realisht larg problemeve të tilla si obeziteti dhe ushqyerja e pashëndetshme.
Ortoreksia karakterizohet nga një lloj manie për të bërë ndarjen ndërmjet ushqimeve të mira dhe atyre të këqia, pra ndërmjet ushqimeve të shëndetshme dhe atyre të dëmshme për organizmin. Ky çrregullim fillon mjaft shpesh nga dëshira për të përmirësuar gjendjen e përgjithshme shëndetsore dhe për t’u shëruar nga sëmundjet kronike.
Në fakt, informacionet e shumta në media, që pasqyrojnë skandale në fushën e ushqimit, favorizojnë zhvillimin e një ndërgjegjësimi të egzagjeruar të popullatës në drejtim të mbrojtjes së shëndetit.

Kjo mani nuk lejon asnjë kënaqësi. Personat e prekur prej saj konsumojnë vetëm fruta dhe perime. Gjithsesi, ky koncept i ushqyerjes së shëndetshme ka pasoja negative në aspektin shoqëror, pasi ortoreksikët kërkojnë medoemos t’ua imponojnë të afërmve dhe të njohurve mënyrën e tyre të ushqyerjes, duke arritur madje deri në neveri ndaj personave që nuk ushqehen në këtë mënyrë.
Për pasojë, marrëdhëniet shoqërore të tyre bëhen problematike, me kontakte gjithnjë e më të rralla, duke shkaktuar izolim gradual të tyre. Ky kontigjent individësh paraqet këto simptoma:
- Vlerat ushqimore të ushqimit në drejtim të shëndetit janë më të rëndësishme se kënaqësia e të ngrënit.
- Personat heqin dorë shpesh nga pjata e tyre e preferuar, me justifikimin se ajo nuk është e shëndetshme.
- Numri i ushqimeve të konsumueshme prej tyre pakësohet gjithnjë e më shumë, derisa në fund kufizohet në shumë pak të tilla.
- Personat ortoreksikë mendojnë më shumë se tre herë në ditë për t’u ushqyer shëndetshëm.
- Menutë janë të përgatitura githmonë paraprakisht
- Ushqyerja e shëndetshme shkakton izolimin shoqëror të personit përkatës.
- Ortoreksikët gjejnë paqe dhe vetëkontroll vetëm kur ushqehen shëndetshëm.
Në ditët e sotme, egzistojnë trajtime të shumta dhe mundësi të ndryshme për të ndihmuar personat e prekur nga ortoreksia. Gjithsesi, proçesi i shërimit të saj zgjat përgjithësisht me vite dhe arrihet vetëm me ndihmën e një profesionisti.
Kujdes: Sa më herët të fillohet trajtimi i ortoreksisë, aq më të mëdha do të jenë mundësitë për t’u shëruar prej saj.
Ndryshe nga anoreksia, ortoreksia nuk është e rrezikshme për shëndetin. Gjithsesi, ajo bart një komponent patologjik në aspektin psikologjik, pasi ortoreksikët e perceptojnë botën të shtrembëruar dhe të rrezikuar nga sëmundjet.