logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Ekzaminimi me ultratinguj: ekzaminim pa dhimbje, duke përdorur valët e zërit.
Ekzaminimi me ultratinguj: ekzaminim pa dhimbje, duke përdorur valët e zërit.

Çfarë është ekografia?

Ekografia, ose ultrasonografia, është një proçedurë ekzaminuese jotraumatike, që shërben për përftimin e imazheve të organeve dhe indeve trupore duke përdorur valët e zërit (ultratingujt). Sipas njohurive të deritanishme, valët e zërit janë absolutisht të padëmshme, kështu që ekografia mund të kryhet pa ndonjë problem edhe tek gratë shtatzëna dhe fëmijët. Gjatë këtij ekzaminimi nuk përdoret asnjë rreze X, pra nuk ka ekspozim ndaj rrezatimit.

Sistemi i ekografisë përbëhet nga një sondë ultrasonike, që emeton valë zanore, të cilat nuk dëgjohen, por përhapen në indet e trupit. Në varësi nga lloji i indit, ultratingujt thjesht përthithen ose pasqyrohen prej tij. Tingulli i pasqyruar konvertohet nga sonda në sinjale elektrike dhe më pas paraqitet si një imazh dy-dimensional në një monitor. Sonda ultrasonike luan kështu rolin e transmetuesit dhe marrësit të valëve të zërit.

Ekografia është një ekzaminim që i shërben fushave të ndryshme mjekësore, dhe mbi të gjitha degëve të ndryshme të Mjekësisë së brendshme (kryesisht Gastro-Enterologjisë, Kardiologjisë, Nefrologjisë, Angiologjisë), si dhe Gjinekologjisë, Urologjisë, Ortopedisë dhe Kirurgjisë.

A kërkon ekografia ndonjë përgatitje të veçantë paraprake?

Ekografia mund të realizohet pa ndonjë përgatitje të veçantë paraprake. Për ekzaminimin ekografik të barkut, fshikëza e urinës duhet të jetë paraprakisht e zbrazur.

Çfarë duhet të sqarohet përpara një ekografie?

Asgjë e veçantë nuk duhet të sqarohet përpara ekografisë.

Si realizohet ekografia?

Ekzaminimi ekografik kryhet në pozicionin shtrirë, ose në anë. Fillimisht, në lëkurën e zonës së trupit që do të ekzaminohet aplikohet xheli i kontaktit, dhe më pas në atë zonë vendoset sonda. Personi ekzaminues e lëviz sondën derisa të sigurojë imazhin e dëshiruar në monitor, dhe të jetë në gjendje të vlerësojë dhe të matë strukturat përkatëse. Përveç kësaj, imazhet dixhitale dhe sekuencat video mund edhe të regjistrohen dhe, nëse është e nevojshme, edhe të printohen për vlerësim. Pas mbarimit të ekzaminimit, xheli pastrohet. Ekzaminimi është krejtësisht i padhimbshëm. Ndonjëherë, nevojitet një shtypje pak më e madhe mbi sondën, në zonën e kontaktit të saj me lëkurën, në mënyrë që të përftohet një imazh sa më i qartë.

Kur përdoret ekografia?

Ekografia është një ekzaminim i thjeshtë dhe i shpejtë për t'u kryer. Është tërësisht i padhimbshëm dhe nuk lidhet me ekspozimin ndaj rrezatimit. Në shumë raste, ekografia është ekzaminimi i parë diagnostik për një sërë sëmundjesh. Ajo mund të përsëritet sa herë që nevojitet, për kontrollin e gjendjes së pacientit, ose për kontrollin e trajtimit të tij, dhe gjithashtu mund të kryhet pa asnjë problem në gratë shtatzëna dhe fëmijët. Ekografia është veçanërisht e përshtatshme për vlerësimin e indeve të buta të qafës, organeve të barkut dhe organeve të legenit.

Zonat e trupit që ekzaminohen më shpesh me ekografi janë:

  • Zona epigastrike (mëlçia, fshikëza e tëmthit, pankreasi, shpretka, arteriet e barkut)
  • Veshkat
  • Barku (fshikëza e urinës, prostata, testikujt, mitra dhe vezoret)
  • Gjinjtë
  • Ekzaminimet ekografike të kontrollit gjatë shtatzënisë
  • Gjendra tiroide
  • Nyjet limfatike (të qafës, barkut, sqetullës dhe ijës)
  • Arteriet karotide, që furnizojnë trurin me gjak (gjenden në qafë)
  • Indet e afërta me sipërfaqen trupore (kyçet, muskujt, tendinet)

A paraqet ekografia rreziqe ose efekte të padëshiruara?

Ky ekzaminim është krejtësisht i padhimbshëm, i parrezikshëm dhe nuk e ekspozon pacientin ndaj rrezatimit.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.

Përdoruesit kanë vizituar po ashtu...