Ezofagiti (Inflamacioni i ezofagut)
Kontribuesit (Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Ezofagu është një tub muskular, me gjatësi rreth 25-30 cm, që lidh gojën me stomakun. Ai shërben për të transportuar ushqimin drejt stomakut, me një shpejtësi 1-4 cm/sekondë. Ky transport kryhet në sajë të lëvizjeve ritmike të murit muskular të tij, në formën e valëve. ezofag u ndahet prej stomakut nga sfinkteri ezofag eal i poshtëm (sfinkteri gastro- ezofageal, që është një muskul rrethor në formën e unazës).
Ky sfinkter është shumë i rëndësishëm për funksionin që kryen. Ai hapet gjatë gëlltitjes për të lejuar kalimin e përmbajtjes ushqimore në stomak. Në gjendjen e qetësisë, ai është plotësisht i mbyllur, duke penguar lëngun e stomakut të ngjitet në ezofag.
Në disa gjendje të caktuara ai dobësohet, duke lejuar lëngun e stomakut të ngjitet në ezofag. Në këto kushte, mukoza (shtresa e brendshme) e ezofagut ekspozohet ndaj aciditetit të këtij lëngu, që manifestohet me djegësira në stomak. Kjo quhet sëmundja e refluksit gastro- ezofageal (SRGE).
Nëse ajo shoqërohet nga inflamacioni i mukozës së ezofagut, flitet për ezofagit nga refluksi. Në të tilla raste, inflamacioni shfaqet në pjesën e poshtme të ezofagut, në afërsi të stomakut. Gjatë sëmundjes së zgjatur të refluksit, mukoza normale e ezofagut (me epitel të sheshtë) mund të shndërrohet dhe të marrë aspektin e mukozës së stomakut (me epitel cilindrik). Ky ndryshim i mukozës në nivelin e poshtëm të ezofagut përbën një dëmtim pararendës (predispozues) të kancerit, pra që mund të degjenerojë në kancer (adenokarcinomë). Kjo mukozë e ndryshuar quhet “mukoza e Barretit”, për pasojë edhe ezofagu që paraqet këtë mukozë quhet ezofagu i Barretit.

Kur sfinkteri që ndan stomakun nga ezofagu (sfinkteri gastro-ezofageal) nuk funksionon normalisht, lëngu i stomakut mund të ngjitet në ezofag duke shkaktuar sëmundjen e refluksit, me djegie në stomak, dhimbje pas kafazit të kraharorit ose dhimbje gjatë gëlltitjes. Inflamacioni i ezofagut nga refluksi (ezofagiti nga refluksi) shfaqet në 30-40% të rasteve me refluks.
Faktorët që favorizojnë ezofagitin nga refluksi janë:- Çrregullimet e lëvizshmërisë së ezofagut, prej qëndrimit të zgjatur të lëngut të stomakut në ezofag.
- Dobësimi i sfinkterit të poshtëm të ezofagut, që nuk siguron më mbylljen e plotë të sfinkterit.
- Hernia e diafragmës, me një stomak që gjendet plotësisht ose pjesërisht në kraharor.
Faktorët e rrezikut për zhvillimin e refluksit gastro-ezofageal:
- Duhanpirja e theksuar
- Disa medikamente, që shkaktojnë dobësim të sfinkterit të poshtëm të ezofagut.
- Veshjet tepër të shtrënguara.
- Konsumi i ushqimeve të rënda dhe të bollshme, veçanërisht menjëherë ose pak para gjumit.
- Konsumi i ushqimeve të pasura në yndyrna.
- Konsumi i alkoolit, veçanërisht i alkoolit të fortë, që shkakton dëmtime në nivelin e mukozave.
- Mbipesha trupore e rëndësishme.

Diagnoza e inflamacionit të ezofagut (ezofagitit) përcaktohet nga mjeku specialist gastro-enterolog, duke u bazuar në:
- Njohjen e tij me simptomat e pacientit dhe historinë e fillimit të sëmundjes.
- Kryerjen e gastroskopisë, një egzaminim që i lejon mjekut të evidentojë ndryshimet e mukozës së ezofagut dhe të marrë material indor për biopsi.
- Matjen e aciditetit të stomakut gjatë 24 orëve, nëpërmjet futjes së një sonde të vogël, që lejon matjen e ph-it në nivelin e ezofagut dhe stomakut.

Trajtimi i inflamacionit të ezofagut (ezofagitit) konsiston në trajtimin e refluksit gastro-ezofageal (SRGE), që është faktori kryesor shkaktar i tij. Refluksi trajtohet me medikamente. Trajtimi kirurgjikal përdoret vetëm tek personat ku medikamentet japin efekte të padëshiruara (tek 20-25% e rasteve).
Fatkeqësisht, sëmundja e refluksit në format e shprehura të saj është shpesh kronike dhe ka nevojë për trajtim afatgjatë.
Në sëmundjen e refluksit përdoren:
- Medikamentet antiacide, që neutralizojnë aciditetin e lëngut të stomakut. Në varësi të nevojave, ato mund të përdoren për trajtimin e episodeve të djegësirave të lehta. Nuk rekomandohen për mjekim afatgjatë.
- Medikamentet që frenojnë sekretimin e lëngut acid. Mënyra e trajtimit me këto medikamente është e ndryshme, sipas rastit.
- Medikamentet që përshpejtojnë kalimin e shukut ushqimor përmes stomakut. Në disa raste ato mund të jenë tepër të dobishme, veçanërisht në rastin e gromësira ve dhe ndjesisë së ngopjes, të shoqëruar me dhimbje ose me diskomfort në zonën e stomakut.
Këshilla
- Në rast se simptomat e refluksit shfaqen rrallë dhe janë të lehta (djegie në stomak dhe gromësira me përmbajtje acide), mund të jenë të mjaftueshme masat e mëposhtme:
- Pakësimi ose ndërprerja e konsumit të alkoolit dhe duhanit
- Rënia në peshë në rastin e mbipeshës trupore
- Evitimi i kafesë dhe ushqimeve tepër pikante
- Konsumi i vakteve të vogla dhe të shpeshta, me ushqime të varfra në yndyrna, për të ulur shkallën e ngjitjes së lëngut acid në ezofag
- Evitimi i kapsllëkut, duke konsumuar ushqimet e përshtatshme, të pasura me fibra (perime, fruta)
- Vendosja e kokës në pozicion të ngritur gjatë natës, në mënyrë që të pengohet refluksi gjatë gjumit
- Evitimi i veshjeve tepër të ngushta (veçanërisht në zonën e stomakut)
Ndërhyrja kirurgjikale ka për qëllim të rikthejë funksionin e sfinkterit gastro-ezofageal, në mënyrë që të pengojë ngjitjen e lëngut të stomakut në ezofag.
Pjesa më e madhe e pacientëve me ezofagit (inflamacion të ezofagut) përgjigjen mirë ndaj mjekimit. Ezofagitet e përsëritura favorizojnë degjenerimin e qelizave të mukozës së dëmtuar të ezofagut, që mund të çojë në shfaqjen e kancerit të ezofagut.
Gjithashtu, mund të zhvillohet edhe proçesi i fibrotizimit (trashjes) së ezofagut, që shkakton ngushtimin e hapësirës së tij. Në raste të rënda, pacienti mund të shfaqë vështirësi në gëlltitjen e ushqimit, për shkak të bllokimit të këtij të fundit në nivelin e ngushtimit.