logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Sindromi kufitar: çrrregullimi i personalitetit pas një traume.
Sindromi kufitar: çrrregullimi i personalitetit pas një traume.
Sindroma kufitare është një çrregullim i personalitetit, që karakterizohet nga një paqëndrueshmëri emocionale e theksuar. Bëhet fjalë për një sëmundje shumëdimensionale, që zhvillohet në mënyra të ndryshme në individë të ndryshëm.
 
Kjo sindromë është më e shpeshtë tek femrat. Ajo shfaqet përgjithësisht në fillim të moshës së rritur (adulte), edhe pse në fakt duket se është e pranishme, në formë të heshtur, që në periudhën e fëmijërisë.

Shkaku i sindromës kufitare (çrregullimit kufitar të personalitetit) nuk njihet ende. Janë në diskutim disa faktorë, ndërveprimi i të cilëve ndikon në zhvillimin e saj. Ata janë:

  • Predispozita gjenetike, lidhur me ndjeshmërinë e lartë, tipin emotiv dhe të rrëmbyer (impulsiv).
  • Ngjarjet traumatike gjatë fëmijërisë, ku përfshihen divorcet, abuzimet seksuale, zhdukja e të afërmve, neglizhenca e prindërve, etj.
  • Tipi i edukimit të orientuar nga prindërit: disa forma të edukimit mund të favorizojnë shfaqjen e një sindrome kufitare, në rastin kur egziston predispozita gjenetike. Këtu bëhet fjalë veçanërisht për modele edukimi me kufizime të shumta dhe standarte vazhdimisht në ndryshim, ose që e përfshijnë fëmijën në një marrëdhënie tepër të afërt (fëmija nuk shkëputet dot nga prindërit), ose e mbajnë në një distancë të tepruar (fëmija ndihet i papërfillur).
Sindroma kufitare: ata që preken dëmtojnë veten e tyre.
Sindroma kufitare: ata që preken dëmtojnë veten e tyre.

Personat me sindromën kufitare (çrregullimin kufitar të personalitetit) karakterizohen nga paqëndrueshmëria emocionale, e cila manifestohet me:

  • Një prirje të fortë për të vepruar në mënyrë impulsive, pa u shqetësuar për pasojat.
  • Humor i paqëndrueshëm dhe i ndryshueshëm
  • Kriza emocionale, që mund të shkojnë nga një zemërim i madh deri në një sjellje grindavece dhe provokim të konflikteve, në veçanti kur persona të jashtëm kritikojnë ose pengojnë veprimet impulsive.
  • Probleme në krijimin dhe mbajtjen e marrëdhënieve: prirja për të përjetuar marëdhënie intensive, por të paqëndrueshme. Këta individë kanë prirje të shfaqin kriza emocionale të përsëritura, të shoqëruara nga një frikë e madhe e të qënit i/e braktisur, që e shtyn personin në veprime jonormale për të evituar braktisjen e tij nga partneri/partnerja (kryesisht kërcënimet për vetëvrasje ose vetëgjymtim).
  • Prishja e imazhit për veten, me ndjenjën e zbrazëtisë, vlerësimin e pamjaftueshëm për veten, që mund të arrijë deri në refuzim të vetvetes.
    Shpesh konstatohen akte të vetëgjymtimit, si prerjet dhe djegiet. Ato janë një formë e shkarkimit të tensioneve të përjetuara nga personat gjatë krizave emocionale. Disa individë raportojnë se vetëgjymtimi u lejon atyre të ndjehen përsëri të gjallë ose të ndiejnë sërish një emocion të këndshëm pas krizës.
  • Abuzimi me drogat dhe çrregullimet e tjera psikiatrike (depresioni, çrregullimet e ankthit, çrregullimet e ushqyerjes) shoqërohen shpesh me një çrregullim kufitar të personalitetit.

Organizata Botërore e Shëndetsisë (OBSH) ka vendosur disa kritere, që lejojnë diagnozën e një sindromi kufitar.

Personi duhet të karakterizohet nga të paktën tre pika të mëposhtme:

  • Prirja e qartë për të vepruar në mënyrë impulsive, krejt papritur, pa u shqetësuar për pasojat e sjelljes.
  • Prirja për konflikte ose për shpërthime të dhunshme, të shoqëruara nga paaftësia për të kontrolluar sjelljet shpërthyese, veçanërisht kur veprimet impulsive kritikohen ose pengohen nga persona të tjerë.
  • Humori i paqëndrueshëm dhe i paparashikueshëm.
  • Prishja e imazhit për veten, për objektivat dhe preferencat personale (përfshi edhe ato seksuale).
  • Prirja për t’u përfshirë në marrëdhënie intensive, por shpesh të paqëndrueshme, përgjithësisht të pasuara nga kriza emocionale; sforcimet e tepruara për të evituar braktisjen nga partneri/partnerja; kërcënimet e përsëritura për vetëvrasje ose vetëgjymtim.
  • Ndjenja e vazhdueshme e zbrazëtisë.
Sindromi kufitar: besimi tek terapisti është thelbësor.
Sindromi kufitar: besimi tek terapisti është thelbësor.

Trajtimi i sindromës kufitare (çrregullimit kufitar të personalitetit) duhet të përshtatet me kompleksitetin e sëmundjes.

Meqenëse mospërshtatja në marrëdhëniet me të tjerët dhe sjelljet grindavece në rastin e kritikës janë problemet kryesore të një individi me sindromin kufitar, rreziku i ndërprerjes së trajtimit është i madh. Për këtë arsye, motivimi dhe një marrëdhënie e mirë e mjekut me pacientin/pacienten është thelbësore.

Gjatë viteve të fundit, individët që paraqesin këtë çrregullim po orientohen gjithnjë e më shumë drejt terapisë dialektike të sjelljes.

Pikat e rëndësishme të terapisë:

  • Ushtrimi i metodave që ulin tensionet e brendshme në mënyrë të shëndetshme, ku rol të veçantë luan sporti dhe teknikat e relaksimit.
  • Ndalimi i përdorimit të drogave
  • Krijimi dhe mbajtja e marrëdhënieve që përfaqësojnë një mbështetje për pacientin, si psh. me familjen, miqtë, etj.
  • Edukimi i pacientit për të menaxhuar situatat e krizës dhe ngjarjet traumatike.
  • Perceptimi i ndjenjave
  • Edukimi i pacientit për të qënë i përgjegjshëm për sjelljet e tij.

Intensiteti i sindromës kufitare (çrregullimit kufitar të personalitetit) bie me kalimin e moshës, duke u lejuar individëve të kenë marrëdhënie më të qëndrueshme me partnerin/partneren, familjarët, miqtë dhe kolegët e tyre.

Gjithsesi, jo rrallë konstatohet një prirje për vetëgjymtim dhe sjellje vetëvrasëse.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.