logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDr. med. Gerhard EmrichDr. med. Daniel DesalmandDoris Zumbühl)
Sëmundja e refluksit: anatomia e aparatit të tretjes.
Sëmundja e refluksit: anatomia e aparatit të tretjes.

Sëmundja e refluksit gastro- ezofageal (SRGE), përgjithësisht e njohur në popullatë, por edhe në literaturën shkencore, si sëmundja e refluksit, karakterizohet nga kthimi (refluksi) i lëngut të stomakut (lëngut gastrik) në ezofag. Për pasojë, inflamacioni i shkaktuar në këtë nivel si rezultat i përmbajtjes acide të këtij lëngu, është përgjegjës për simptomat klinike që paraqesin pacientët me këtë sëmundje.

Sëmundja e refluksit: lëngu acid i stomakut kthehet në ezofag.
Sëmundja e refluksit: lëngu acid i stomakut kthehet në ezofag.

Sëmundja e refluksit është mjaft e përhapur në vendet e zhvilluara, ku rreth 10-30% e të rriturve e shfaqin, të paktën një herë në javë këtë çrregullim. Sëmundja shfaqet si pasojë e kthimit të shpeshtë të lëngut të stomakut në pjesën e poshtme (fundore) të ezofagut. Përmes shkaqeve të saj përmendim: dobësimin e sfinkterit (valvulës) që ndan ezofagun nga stomaku, rritjen e theksuar të presionit në stomak, prodhimin e shtuar të acidit nga qelizat e stomakut dhe praninë e hernies së diafragmës (zhvendosjen e pjesës së sipërme të stomakut në kafazin e kraharorit).

Sëmundja e refluksit: simptomat shfaqen zakonisht pas ngrënies.
Sëmundja e refluksit: simptomat shfaqen zakonisht pas ngrënies.

Simptomat tipike (karakteristike) të sëmundjes së refluksit gastro-ezofageal (SRGE) janë:

Gromësirat, djegësirat dhe dhimbjet prapa dërrasës së kraharorit dhe në zonën e stomakut, që shfaqen përgjithësisht gjysëm ore deri në 3 orë pas ngrënies ose gjatë natës. Në varësi të shkallës së refluksit, pra të sasisë së lëngut të kthyer në ezofag, edhe simptomat mund të jenë të përkohshme ose të përhershme.

Simptomat atipike (jo karakteristike) të SRGE janë:

Kthimi i lëngut gastrik mund të irritojë fytin ose mushkëritë (rrallë). Ai mund të shkaktojë edhe astmë, kollë kronike, pneumoni, ngjirje të zërit, ndjesinë e trupit të huaj në fyt ose dëmtime të dhëmbëve.

Ecuria:

Sëmundja është më shpesh e parëndësishme dhe ecuria e saj karakterizohet nga faza me më shumë ose më pak simptoma, për disa vjet. 

Në rreth 10% të pacientëve shfaqet inflamacioni i mukozës (shtresës së brendshme) të ezofagut. Ky inflamacion ndërlikohet  nga mukoza e Barretit në 10% të rasteve. Në këtë rast bëhet fjalë për zëvendësimin e mukozës së pjesës së poshtme të ezofagut nga një mukozë e tipit gjendror, që në egzaminimin endoskopik (me sondë) duket me ngjyrë të kuqe. Në 10% të këtyre pacientëve  mukoza e Barretit degjeneron në kancer, ose e shprehur më thjesht: një në çdo 5000 persona në popullatën e përgjithshme dhe një në çdo 1000 persona me sëmundjen e refluksit, zhvillojnë kancer të ezofagut gjatë jetës së tyre.

 

Sëmundja e refluksit: gastroskopia tregon inflamacion të ezofagut.
Sëmundja e refluksit: gastroskopia tregon inflamacion të ezofagut.

Diagnoza e sëmundjes së refluksit gastro-ezofageal (SRGE) vendoset nga mjeku specialist gastro-hepatolog, duke u bazuar në:

  • Historinë e sëmundjes dhe simptomat e pacientit.
  • Informacionin e detajuar lidhur me praninë e shenjave të alarmit, si: dhimbja e fortë në gjoks, rënia në peshë dhe anemia, në mënyrë që të konstatohet sa më herët një kancer i ezofagut.
  • Matjen e aciditetit dhe presionit në stomak.
  • Gastroskopinë (eksplorimi me sondë i pjesës së brendshme të stomakut dhe zorrës së hollë, që mundëson edhe marrjen e materialit për biopsi).

 

Sëmundja e refluksit: medikamente frenuese të aciditetit dhe ushqyerje e kujdesshme.
Sëmundja e refluksit: medikamente frenuese të aciditetit dhe ushqyerje e kujdesshme.

Sëmundja e refluksit gastro-ezofageal (SRGE) trajtohet me medikamente dhe/ose me ndërhyrje kirurgjikale.

Mënyra të tjera trajtimi:

Fiksimi i sfinkterit gastro-ezofageal nëpërmjet celioskopisë, trajtimi nëpërmjet radiofrekuencës me cikatrizimin e dëmtimeve në nivelin ku bashkohet ezofagu me stomakun. Teknikat e injeksionit të bipolimereve ose vendosja e protezave për trajtimin e sëmundjes së refluksit nuk kanë dhënë prova të mjaftueshme për efikasitetin e tyre.

Lidhur me këtë argument, pak studime kanë konstatuar përmirësime të simptomave, që kanë mundësuar uljen e dozës së medikamenteve. Gjithsesi, edhe në to nuk përshkruhet ndonjë ndryshim i rëndësishëm në nivelin e dëmtimeve ose në shkallën e presionit në nivelin e sfinkterit që lidh ezofagun me stomakun. Për këto arsye, ekspertët nuk e këshillojnë përdorimin e radiofrekuencës ose trajtimin nëpërmjet endoskopisë.

Medikamentet

Frenuesit e pompës protonike (IPP): përfaqësojnë trajtimin më efikas për shqetësimet që shfaqen pas ngrënies. Këto medikamente përdoren dy herë në ditë, para ngrënies, dhe trajtimi optimal arrihet duke e rritur gradualisht dozën. Nuk është konstatuar asnjë efekt i padëshiruar (siç është kanceri i stomakut) nga përdorimi afatgjatë i tyre. Pas 5 vitesh trajtim, rekomandohet matja e nivelit në gjak të vitaminës B12.

Antihistaminikët H2: bllokojnë prodhimin e lëngut acid të stomakut, të stimuluar nga histamina. Janë efikase vetëm për një periudhë të shkurtër kohore, që arrin nga 4-8 orë. Gjithsesi, 70% e lëngut gastrik bllokohet për një periudhë 24 orëshe. Këto medikamente përdoren jo për më tepër se dy javë, sepse pas kësaj periudhe fillon të manifestohet familjarizimi i organizmit me to, duke mos reaguar më ndaj efektit të tyre. Lidhur me këtë klasë medikamentesh, literatura mjekësore flet për efekt të pamjaftueshëm tek inflamacioni i ezofagut nga refluksi, si dhe për parandalimin e rikthimit të sëmundjes. Për këtë arsye nuk konsiderohen më si një linjë efikase trajtimi.

Operacionet

 Trajtimi kirurgjikal i SRGE-s rekomandohet vetëm në rastet e konfirmuara me diagnozën e refluksit dhe që nuk kanë reaguar mjaftueshëm ndaj mjekimit me medikamente. Operacioni konsiston në përforcimin e sfinkterit ndërmjet stomakut dhe ezofagut, rritjen e diferencës së presionit ndërmjet tyre dhe korrigjimin e hernies së diafragmës kur ajo është e pranishme.

Çfarë mund të bëjmë vetë?

Për të evituar shfaqjen e sëmundjes së refluksit gastro- ezofageal (SRGE), duhet të jeni të vëmendshëm ndaj këtyre produkteve ushqimore:

Ushqimi i pasur në yndyrna

Studimet e fundit nuk kanë mundur të konfirmojnë se refluksi përmirësohet nëse nga regjimi ushqimor përjashtohen ushqimet e pasura në yndyrna. Në fakt, ato kanë konstatuar se vakti i pasur në yndyrna shkakton shtim të refluksit vetëm tek personat e shëndetshëm dhe jo tek pacientët që vuajnë nga refluksi. Kjo vlen edhe për djegësirat gastrike dhe kthimin në ezofag të lëngut gastrik, që nuk janë të ndikuara nga vaktet e pasura me yndyrna.

Sheqernat, çokollatat, qepët

Rezultatet e subjekteve të testuara kanë qenë kaq të pakta, saqë nuk është arritur në asnjë konkluzion përfundimtar lidhur me këto ushqime.

Pijet e gazuara dhe ato me bazë kafeine, lëngu i frutave

Gazi karbonik mund të pengojë lëshimin e muskujve të ezofag ut dhe në këtë mënyrë favorizon kthimin e aciditetit në ezofag. Përbërësit e tjerë të këtyre produkteve nuk kanë asnjë ndikim në këtë drejtim. Kafeja pa kafeinë e provokon më pak refluksin sesa kafeja e vërtetë. Lëngu i frutave, veçanërisht ai me bazë limoni, shkakton shtim të refluksit tek një e treta e personave të egzaminuar.

Sjellja ndaj ushqimit

Zgjerimi i stomakut për shkak të vakteve të egzagjeruara mund të provokojë lëshimin e muskujve të ezofagut. Kjo shpjegon edhe faktin pse vaktet e vogla dhe të shpeshta janë më të tolerueshme sesa ato të rralla dhe me sasi të mëdha të ushqimit. Gjithsesi, duhet theksuar që nuk ka asnjë studim shkencor të deritanishëm që t’i konfirmojë këto fakte.

Alkooli

Studimet kanë treguar se, lidhur me sëmundjen e refluksit, rol të madh luan tipi i alkoolit të konsumuar. Kështu, vera e bardhë provokon më tepër refluks sesa vera e kuqe dhe birra.
Lidhur me zhvillimin e kancerit të ezofag ut: vera mund të shkaktojë refluks, por nuk është konstatuar të ketë lidhje me zhvillimin e kancerit të ezofagut, që në fakt provokohet nga refluksi i lëngut acid në ezofag. Përkundrazi, birra dhe pijet e tjera me ngjyrë duket se e favorizojnë zhvillimin e kancerit të ezofagut.

Nikotina

Nuk është demonstruar në mënyrë të qartë nëse nikotina shkakton refluks gastro- ezofageal. Të dhënat e disponueshme në këtë drejtim janë mjaft kontradiktore: njëra teori insiston që nikotina nuk ka asnjë ndikim mbi RSGE, ndërkohë që teoria tjetër argumenton një ndikim negativ të saj mbi numrin e episodeve të refluksit. Është e qartë që nikotina pakëson presionin e muskujve të pjesës së poshtme të ezofagut dhe neutralizon përmbajtjen e bikarbonateve në pështymë. Pirësit e duhanit zhvillojnë më shpesh kancer të ezofagut përgjatë ecurisë së një refluksi gastro- ezofageal, sesa pjesa tjetër e popullatës. Në këtë këndvështrim, është e rekomandueshme mospirja e duhanit për mbarëvajtjen e shëndetit në përgjithësi.

Ushtrimet fizike

  • Ecjet e gjata në këmbë mund të provokojnë refluks acid. Funksioni barrierrë i sfinkterit ndërmjet stomakut dhe ezofagut mund të çrregullohet nga lëvizjet. Për këtë arsye, personave me refluks u rekomandohet të marrin medikamente kundër aciditetit përpara dhe gjatë aktivitetit fizik.
  • Pozicioni në shtrat
  • Tek pacientët e diagnostikuar me sëmundjen e refluksit: pozicioni i kokës gjatë gjumit duhet të jetë i ngritur, dhe vakti i darkës duhet të konsumohet 3 orë para gjumit.
  • Rezultatet e studimet:
  • Pacientët me një inflamacion të ezofagut përgjatë ecurisë së refluksit tregojnë një shtim të refluksit kur ata shtrihen në sipërfaqe të rrafshët.
  • Pacientët pa inflamacion të ezofagut tregojnë një rrallim të episodeve të refluksit kur ata shtrihen në sipërfaqe të rrafshët. Për pasojë, në këta pacientë ky pozicion është i rekomandueshëm.
  • Pozicioni shtrirë në anën e majtë provokon më pak refluks, krahasuar me pozicionin shtrirë në anën e djathtë.

Përmbledhje

Ndryshimet e rëndësishme të mënyrës së jetesës mund të kenë ndikim pozitiv mbi sëmundjen e refluksit. Meqenëse realizimi i këtyre ndryshimeve është shpesh i vështirë, edhe efektet e tij janë të pakta. Medikamentet e disponueshme për këtë sëmundje mund të përdoren në stadet e hershme të saj, duke ndikuar në përmirësimin e jetës së pacientit.


 

Sëmundja e refluksit: dëmtimi i mukozës së ezofagut.
Sëmundja e refluksit: dëmtimi i mukozës së ezofagut.

Në ndërlikimet e sëmundjes së refluksit gastro- ezofageal (SRGE) përfshihen:

  • Inflamacioni i ezofagut (ezofagiti), si rezultat i kthimit të lëngut të stomakut në ezofag, që mund të shoqërohet nga simptoma të ndryshme, si: urthi, djegia dhe dhimbja në mes të kraharorit, vështirësia në gëlltitje, etj.
  • Pasojat e proçesit riparues të ezofagitit (ngushtimi dhe metaplazia Barret, që karakterizohet nga ndryshime jonormale të qelizave të pjesës së poshtme të ezofagut).
  • Manifestimet jashtë ezofagut të refluksit, të tilla si: astma, laringiti (inflamacioni i laringut), kolla e thatë, etj.

 

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Dr. med. Gerhard Emrich

Gerhard Emrich ka studiuar Mjekësi në Vjenë. Ai është një gazetar mjekësor me shumë vite përvojë në shkrime mjekësore.

Dr. med. Daniel Desalmand

Daniel Desalmand ka studiuar Mjekësi në Bern. Pas diplomimit, ai ka patur një përvojë të gjatë klinike në Kirurgji dhe Mjekësi të Brendshme përpara se t'i kushtohej gazetarisë shkencore.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.