Kanceri i ezofagut (Karcinoma e ezofagut)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Kanceri i ezofagut e ka origjinën nga ndryshime qelizore të zhvilluara në nivelin e mukozës së ezofagut. Shpeshtësia e tumoreve malinje të ezofagut është e ndryshme në vende të ndryshme. Kështu, ajo është më e lartë në Kinën veriore, sesa në Gjermani. Si faktorë kryesorë përgjegjës për këtë sëmundje konsiderohen mënyra e jetesës dhe ajo e ushqyerjes.

Njihen dy tipe të ndryshme të kancerit të ezofagut: forma më e shpeshtë është karcinoma epidermoide (80-85% e rasteve), që është një masë tumorale malinje e mukozës së ezofagut, ndërkohë që adenokarcinoma përfaqëson rritjen malinje të indit gjendror.
Faktorët e rrezikut që mund të shkaktojnë një kancer të ezofagut janë:
- Alkooli i fortë
- Duhanpirja
- Nitrozaminat, që janë substanca të pranishme në mishin e tymosur dhe në tymin e cigares.
- Prania e cikatriceve në ezofag, siç ndodh p.sh. pas djegieve në këtë nivel.
- Sindroma Barret, që është një ndërlikim i sëmundjes së refluksit gastro-ezofageal (SRGE), që karakterizohet nga kthimi i vazhdueshëm i lëngut acid të stomakut në ezofag.
Simptomat e kancerit të ezofagut janë të ndryshme, në varësi të stadit të zhvillimit të tij. Kështu, në stadin fillestar, kanceri i ezofagut është shpesh asimptomatik (pa simptoma).
Simptomat në stadin e vonshëm janë:
- Ndjesi e shtypjes prapa kafazit të kraharorit
- Vështirësi në gëlltitje
- Djegie në stomak
- Gromësira
- Rënie në peshë
- Dhimbje në kraharor

Diagnoza e kancerit të ezofagut përcaktohet nga mjeku specialist gastro-hepatolog, duke u bazuar në:
- Njohjen me simptomat e pacientit në momentin e konsultimit
- Skopinë e ezofagut, që është një egzaminim endoskopik, i cili mundëson eksplorimin e tij në brendësi dhe marrjen e materialit për biopsi.
- Radiografia e ezofagut me lëndë kontrasti.

Trajtimi i kancerit të ezofagut varet drejtpërdrejt nga stadi i zhvillimit të tij në momentin e diagnostikimit. Në rastet kur kanceri i ezofagut diagnostikohet në stadin e tij fillestar, mund të hiqet me rrugë endoskopike vetëm zona e ezofagut e dëmtuar prej kancerit. Për tumoret më të mëdha, është e nevojshme ndërhyrja kirurgjikale e shoqëruar ose jo me radioterapi (rrezatim të jashtëm) dhe kimioterapi, sipas formës dhe stadit të sëmundjes.
Meqenëse diagnoza e kancerit të ezofagut vendoset shpesh në një stad të avancuar dhe ky tip i kancerit përhapet lehtësisht me rrugë limfatike, duke shkaktuar metastaza në distancë, mundësitë e shërimit të tij janë relativisht të pakta. Lidhur me mbijetesën, 5 vjet pas fillimit të trajtimit specifik kundër kancerit të ezofagut, vetëm një në pesë pacientë arrin të mbijetojë.