Sëmundja Crohn (Sindroma e zorrës së inflamuar)
Kontribuesit (Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Sëmundja Crohn bën pjesë tek sëmundjet kronike inflamatore të zorrës së hollë. Ndryshe nga koliti i ulçeruar që është i kufizuar në një zonë të caktuar, ajo mund të përhapet në të gjithë aparatin e tretjes, nga hapësira e gojës deri në vrimën e jashtëqitjes (anusi). Në pjesën më të madhe të pacientëve preket zona ileo-cekale që është, pikërisht, vendi ku bashkohet pjesa fundore e zorrës së hollë me pjesën fillestare të zorrës së trashë. Në këtë sëmundje është tepër karakteristik kombinimi i zonave të shëndetshme të zorrës me zonat e inflamuara të saj.
Në sëmundjen Crohn, inflamacioni përshkon murin e zorrës, duke prekur jo vetëm shtresën e brendshme (mukozën), por gjithashtu edhe shtresa më të thella të saj. Zonat e prekura të zorrës mund të fibrotizohen (trashen), të ngushtohen dhe të krijojnë fistula (lidhje midis organeve).
Shkaqet e sëmundjes Crohn janë ende të panjohura. Megjithatë, janë identifikuar disa faktorë që ndikojnë në mënyrë të rëndësishme në zhvillimin e sëmundjes. Si të tillë mund të përmendim:
- Trashëgimia familjare
- Mënyra e ushqyerjes dhe lloji i ushqimeve të konsumuara (psh. konsumi i shpeshtë dhe në sasi të mëdha i sheqerit të përpunuar).
- Çrregullimet e sistemit imunitar (mbrojtës)
- Faktorët psikologjikë negativë (gjendjet e konfliktit, stresi i vazhdueshëm, etj.)
- Ndikimi i mundshëm i baktereve të tilla si mykobakteri i tuberkulozit, madje edhe i viruseve, të cilat janë aktualisht në diskutim.

Sëmundja Crohn karakterizohet nga këto simptoma:
- Episode me ethe dhe diarre
- Dhimbje të tipit shtrëngues në bark
- Mungesë oreksi, e shoqëruar me luhatje të peshës trupore
- Dhimbje dhe shenja të infeksionit në rastin e abcesit dhe të fistulës së zorrës, që mund të jenë diagnostikuar nga mjeku.
- Çrregullim i gjendjes së përgjithshme

Diagnoza e sëmundjes Crohn përcaktohet nga mjeku gastro-enterolog, duke u bazuar tek:
- Njohja e tij me të dhënat personale dhe familjare, si dhe me simptomat aktuale të pacientit
- Ekzaminimi fizik: në disa raste mjeku mund të palpojë (prekë) abces ose fistul në nivelin e rektumit (pjesës fundore të zorrës së trashë).
- Kolonoskopia (eksplorimi i hapësirës së zorrës nëpërmjet një sonde të pajisur me kamera), me marrjen e materialit të indit të zorrës për egzaminimin mikroskopik të tij.
- Ekzaminimi radiografik i zorrëve pas marrjes së lëndës së kontrastit (që i bën ato më të dukshme).
- Ekzaminimi ekografik
- Ekzaminimi i feçeve (jashtëqitjeve), për të identifikuar praninë e baktereve dhe eleminimin e shkaqeve të tjera të mundshme.
- Ekzaminimi i gjakut, për përcaktimin e markuesve (treguesve) të inflamacionit dhe evidentimin e një anemie të mundshme.

Prania e gjakut në feçe (jashtëqitje) dhe dhimbjet e barkut me origjinë të papërcaktuar kanë nevojë për konsultë me mjekun specialist gastro-enterolog.
Shërimi i sëmundjes Crohn është i pamundur. Megjithatë, në ditët tona egzistojnë medikamente që u lejojnë të sëmurëve të bëjnë një jetë relativisht normale. Sëmundja mund të rishfaqet edhe pas disa vitesh pa simptoma. Gjithsesi, jetëgjatësia e pjesës më të madhe të pacientëve është pothuajse normale.
Masat e përgjithshme
Në episodet akute (të menjëhershme) rekomandohet:
- Regjim shtrati, veçanërisht në prani të temperaturës
- Ushqyerje e pasur me fibra (ushqimi i austronautëve)
- Në rastet me humbje të lëngjeve, rekomandohet marrja e lëngjeve, elektroliteve, vitaminave dhe hekurit
- Në rastin e gjendjeve të rënda, është i nevojshëm shtrimi në spital i pacientit, në mënyrë që lëngjet të mërren me rrugë venoze.
Ndryshimi i natyrës së ushqimeve që konsumohen, dhe i mënyrës së ushqyerjes lejon ndonjëherë zgjatjen e periudhave ndërmjet episodeve inflamatore dhe bën që të pakësohen dhimbjet. Ka dhe pacientë që paraqesin intolerancë ndaj laktozës. Në këto raste rekomandohet një ushqyerje pa laktozë, pra konsumi vetëm i ushqimeve që nuk përmbajnë qumësht ose produkte të tij.
Në rastet e tjera, nuk rekomandohet ndonjë regjim i veçantë. Gjithsesi, ashtu si edhe për pjesën më të madhe të sëmundjeve inflamatore të zorrës, rekomandohet regjim ushqimor i varfër në yndyrna.
Medikamentet
Për trajtimin e sëmundjes Crohn rekomandohen këto medikamente:
- Anti-inflamatorët steroidienë (medikamente me bazë kortizoni), përdoren në formën e tabletave, suposteve ose me rrugë venoze.
- Anti-inflamatorët jo steroidienë, që nuk përmbajnë kortizon (sulfasalazina).
- Imunosupresorët: medikamentet që frenojnë sistemin imunitar
- Antitrupat anti-TNF: kanë efekt antiinflamator, që konsiston në frenimin e përparimit të reaksioneve inflamatore.
- Antibiotikët: përdoren në rastin e abcesit dhe të fistulave.
Operacionet
Në pacientët e diagnostikuar me sëmundjen Crohn mund të jenë të nevojshme këto ndërhyrje kirurgjikale:
- Zgjerimi me balon i pjesëve të ngushtuara të zorrës
- Operacioni për fistulat dhe abceset (pastrimi dhe mbyllja e tyre).
- Heqja me rrugë kirurgjikale e zonave me inflamacion të shprehur. Kjo rekomandohet veçanërisht në rastet që rrezikojnë për ndërlikime të rënda, si shpimi i zorrës, peritonitis dhe bllokimi i zorrës.
Trajtimi me rrugë kirurgjikale duhet të kryhet vetëm në rastet kur është vërtet i nevojshëm dhe i domosdoshëm, pasi ai pasohet nga efekte dytësore negative, si diarrea e rëndë, gurët në fshikëzën e tëmthit ose gurët në veshka, si dhe ndërlikime të kufizuara në zonën e operuar. Duhet theksuar gjithsesi, që në rreth 80% të pacientëve me sëmundjen Crohn, ndërhyrja kirurgjikale është e pashmangshme rreth 10 vjet pas shfaqjes së shqetësimeve të para.
Masat Psikologjike
Meqenëse sëmundja ndikon negativisht në cilësinë e jetës së pacientit, mund të jetë i nevojshëm edhe këshillimi i tij me psikoterapistin.
Sëmundja Crohn nuk mund të shërohet, por simptomat mund të lehtësohen. Në periudhat ndërmjet episodeve inflamatore, që mund të zgjasin me muaj, pacientët mund të mos kenë asnjë shqetësim. Ndërlikimet më të pritshme prej saj janë:
- Formimi i fistulave (lidhje zorrë me zorrë, zorrë me fshikëzën e urinës, zorrë me vaginë, zorrë me lëkurë)
- Hemorragji e shoqëruar me anemi nga humbja e hekurit prej saj.
- Bllokimi total i zorrës
- Shpimi i zonave të inflamuara të zorrës, formimi i abcesit.
- Problemet e lidhura me ushqyerjen, për shkak të ngushtimeve të zorrës në zona të caktuara
- Problemet e lidhura me proçesin e rritjes tek fëmijët