Emfizema pulmonare (Emfizema e mushkërive)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Emfizema pulmonare përfaqëson një rritje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme të vëllimit të rrugëve fundore (më të vogla) të aparatit të frymëmarrjes, që prek kryesisht alveolat (hojëzat) e mushkërive, dhe që shfaqet më shpesh pas një bronkiti kronik ose astmës bronkiale. Proçeset inflamatore dhe rritja e rezistencës së rrugëve të frymëmarrjes shoqërohen nga një inflamacion i alveolave, që përfundon me shkatërrimin e tyre dhe shkrirjen me alveolat fqinje, duke formuar në këtë mënyrë hapësira më të mëdha ajrore.
Ky proçes shkakton një pakësim përparues të numrit të hapësirave ajrore, që shërbejnë për shkëmbimin e gazeve. Kjo reflektohet me shfaqjen e vështirësisë në frymëmarrje. Pas një periudhe të gjatë kohore, rritja përparuese e shtypjes në nivelin e qarkullimit të gjakut në mushkëri çon në dobësim të punës së zemrës (insuficiencë kardiake), me simptomat klinike përkatëse. Mjekimi i emfizemës pulmonare është i pamundur edhe në ditët e sotme.
Emfizema pulmonare është më shpesh dytësore, pra pasojë e inflamacioneve kronike të mushkërive dhe bronkeve, veçanërisht të bronkopneumopatisë obstruktive kronike (shih BPKO) ose të astmës bronkiale. Më rrallë mund të haset emfizema pulmonare e lidhur me moshën, që shfaqet zakonisht tek personat mbi 50 vjeç.
Në raste shumë të rralla emfizema mund të shfaqet tek persona nën 40 vjeç, me defiçit të frenuesve të enzimës alfa-1 proteinazë.
Faktorët e rrezikut për zhvillimin e emfizemës pulmonare janë:

Simptomat e emfizemës pulmonare janë:
- Vështirësia në frymëmarrje gjatë sforcimit fizik; me përparimin e sëmundjes, kjo simptomë shfaqet edhe në gjendjen e qetësisë.
- Kolla e thatë irrituese ose me gëlbazë (ndryshimi i ngjyrës së gëlbazës mund të jetë shenjë e një infeksioni të mushkërive)
- Cianoza (ngjyrosje me nuancë blu e buzëve, lëkurës dhe mukozave, për shkak të pakësimit të sasisë së oksigjenit në gjak).
- Çrregullimi i gjendjes së përgjithshme, ulja e rezistencës trupore, e shoqëruar më ndjeshmëri të lartë ndaj infeksioneve.
- Rritja e frekuencës respiratore (shpeshtësia e frymëshkëmbimit në një minutë), me shfaqjen e zhurmave dhe fishkëllimave në auskultacion (dëgjimin me stetoskop).
Simptomat në stade të avancuara të sëmundjes:
- Vështirësi e përhershme në frymëmarrje, edhe në gjendjen e qetësisë.
- Kollë kronike me gëlbazë
- Tërheqje e kafazit të kraharorit në formën e hinkës, pasojë e bllokimit të muskujve të frymëmarrjes në pozicionin e frymëthithjes (inspiracionit).
- Ndryshimet e indit të mushkërive dhe çrregullimi i funksionit të tyre shkakton mbingarkesë në punën e anës së djathtë të zemrës.
- Në rastet e rënda, kjo mbingarkesë mund të shkaktojë ulje të funksionit pompë të zemrës, që mund të përparojë deri në insuficiencë kardiake.
- Çrregullim i gjendjes së përgjithshme me pafuqi, rënie në peshë, dobësi muskulare.

Diagnostikimi i emfizemës pulmonare bazohet tek:
- Njohja e mjekut me historinë e fillimit të sëmundjes dhe simptomat e pacientit.
- Egzaminimi fizik: kafazi i kraharorit në formën e hinkës, ngjyra blu e buzëve dhe gishtave, fryrja e venave të qafës. Në rastet e pranisë së insuficiencës kardiake të djathtë, mund të konstatohen edhe enjtje të këmbëve.
- Testet e frymëshkëmbimit (spirometria)
- Matja e nivelit të gazeve në gjak
- Radiografia e mushkërive
- EKG (elektrokardiograma)

Shërimi i emfizemës pulmonare është i pamundur. Qëllimi i trajtimit është frenimi i përparimit të sëmundjes dhe përmirësimi i cilësisë së jetës së pacientit.
Për personat me emfizemë pulmonare, vlejnë masat e mëposhtme:
- Ndërprerja e duhanit
- Evitimi i ambienteve me ajër të rënduar nga tymi i duhanit, si dhe kontakti me substanca të dëmshme për rrugët e frymëmarrjes: në disa raste mund të jetë i nevojshëm ndryshimi i vendit të punës.
- Ushtrime fizike të rregullta (pas egzaminimit mjekësor dhe rekomandimit nga mjeku), në mënyrë që të përmirësohet përdorimi i oksigjenit nga indet.
- Vaksinimi i rregullt kundër virusit të gripit dhe pneumokokut
- Përdorimi i medikamenteve me efekt bronkodilatator (zgjerues të bronkeve), antiinflamatorëve (kundër inflamacionit) dhe mukolitikëve (holluesve të gëlbazës). Meqenëse ngushtimi i bronkeve mund të jetë shkaktuar pjesërisht nga spazmat dhe çrregullimet e vazhdueshme të rrugëve bronkiale, zgjerimi i bronkeve përmirëson simptomat e sëmundjes.
- Antibiotikët rekomandohen në rastet e infeksioneve bakteriale.
- Përdorimi i oksigjenit rekomandohet në rastet me rëndim të menjëhershëm (akut) të gjendjes dhe në stadet e përparuara të sëmundjes, me ulje të nivelit të oksigjenit në gjak.
- Rehabilitimi i rrugëve të frymëmarrjes, në kushte spitali ose shtëpie, ku përfshihen: ushtrimet e rezistencës, ushtrimet muskulare, fizioterapia (masazhi favorizon nxjerrjen e gëlbazës), ergoterapia, informimi dhe edukimi i pacientit nëpërmjet këshillave dietike, dhe këshillimi psikosocial. Të gjitha këto proçedura kanë për qëllim përmirësimin e jetës së pacientit dhe rritjen e rezistencës së tij gjatë sforcimeve, në mënyrë që të ulet nevoja e përdorimit të medikamenteve, si dhe shpeshtësia e shtrimeve dhe ditëqëndrimi në spital.
Për shkak të ndryshimeve të indit të mushkërive, mbingarkohet ana e djathtë e zemrës, që mund të çojë në shfaqjen e insuficiencës kardiake.