Impotenca seksuale (Disfunksioni erektil, Problemet me ereksionin)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Edhe pse nuk është plotësisht e saktë, në ditët e sotme problemet me ereksionin barazohen me impotencën seksuale. Impotenca është pamundësia për riprodhim, ndërkohë që problemet me ereksionin shpesh të quajtura "disfunksion erektil" nënkuptojnë kufizim në jetën seksuale nga një numër i pamjaftueshëm ereksionesh apo nga ereksione joefikase.
Impotenca seksuale është një term që përfshin të gjitha çrregullimet seksuale mashkullore, të cilat mund të manifestohen të vetme, ose të jenë të kombinuara. Disa prej tyre janë:
- Ulja e nivelit të libidos (dëshirës seksuale).
- Problemet me ereksionin (disfunksioni erektil).
- Mungesa e derdhjes së sekrecioneve mashkullore (çrregullimet e ejakulimit).
- Steriliteti
Çrregullimet e ereksionit mund të jenë të përkoshme ose kronike. Shumë shpesh termat "çrregullimet e ereksionit" dhe "impotenca seksuale" mund të ngatërrohen me njëri tjetrin: kur flasim për impotencë, problemet me ereksionin janë kronike. Duhet të jemi të vetëdijshëm që fuqia seksuale ulet me kalimin e moshës - ashtu si dhe funksionet e tjera të trupit tonë - dhe se nuk ka domosdoshmërisht një sëmundje që i shkakton çrregullimet e ereksionit.
Impotenca seksuale, madje edhe problemet e ereksionit, mund të shkaktohen nga faktorë fizikë ose edhe psikologjikë, në shumicën e rasteve të kombinuar me njëri-tjetrin.
Në shumë raste, shkaqet fizike janë çrregullimet e furnizimit me gjak të penisit dhe të funksionit nervor të penisit, si dhe çrregullimet hormonale. Problemet e ereksionit mund të manifesohen edhe si një simptomë e hershme e disa sëmundjeve të përgjithshme, si ato kardio-vaskulare.
Shkaqet fizike të problemeve të ereksionit
Sëmundjet e përgjithshme
- Arterioskleroza (kalcifikimi i arterieve)
- Diabeti i sheqerit
- Presioni i lartë i gjakut
- Dëmtimi i veshkave
- Mbipesha trupore
- Hiperkolesterolemia (niveli i lartë i kolesterolit në gjak)
Çrregullimet hormonale (mungesa e testosteronit)
- Hipogonadizmi (mungesa e prodhimit të hormonit mashkullor)
- Hiperprolaktinemia (nivelet e tepërta të prolaktinës në gjak, që mund të shkaktojnë mungesë të testosteronit)
- Hipotireoza (prodhimi i pakët i tiroides)
Sëmundjet urologjike
- Fimoza (ngushtimi i lafshës)
- Deformimi, devijimi i penisit
Sëmundjet nervore
- Skleroza e shumëfishtë
- Dëmtimet nervore, traumat e shtyllës kurrizore
Çrregullimet psikologjike, sociale
- Depresioni
- Mbingarkesa profesionale/në jetën personale, stresi.
- Sindromi Burnout
- Çrregullimet e zhvillimit psiko-seksual në fëmijëri dhe në adoleshencë
- Problemet në çift
Shkaqe të tjera
- Efekte të padëshiruara të medikamenteve
- Abuzimi me alkoolin
- Varësia ndaj drogave
- Pirja e duhanit
Ndryshime të thjeshta në higjenën personale shpesh janë të mjaftueshme për të parandaluar impotencën, dhe për të përmirësuar funksionimin seksual në tërësi. Efekt të dobishëm në këtë drejtim ka edhe:
- aktiviteti i rregullt fizik
- dieta e ekuilibruar
- humbja e peshës kur personi është mbipeshë
- ndërprerja e duhanit
- kufizimi i alkoolit
- shmangia e stresit
Më e rëndësishmja është të flasim hapur kur kemi probleme të kësaj natyre, për të gjetur zgjidhje.
Gjatë impotencës seksuale kalimtare, nga shkaqe të njohura, nuk është absolutisht i nevojshëm konsultimi me mjekun. Në shumicën e rasteve, reduktimi i stresit është i mjaftueshëm. Sidoqoftë, pacientët me probleme të vazhdueshme të ereksionit, për disa muaj, duhet me patjetër të konsultohen me një mjek. Kjo për faktin se impotenca seksuale mund të jetë simptomë e hershme e një sëmundjeje kardio-vaskulare (të zemrës dhe enëve të gjakut).
Kur pacienti dhe/ose partnerja e tij seksuale e vuajnë mungesën e ereksionit, duhet të konsultohen tek një mjek, në mënyrë që të diagnostikohet sa më shpejt dhe të trajtohet në mënyrë korrekte ky problem, që mund të ketë pasoja serioze për marrëdhënien e tyre.
Nëse keni probleme me ereksionin, duhet të drejtoheni tek:
- Mjeku i familjes (mjek i përgjithshëm)
- Mjeku Urolog
- Mjeku Internist
- Mjeku Kardiolog
- Mjeku Endokrinolog
- Mjeku Nefrolog
- Mjeku Neurolog
- Mjeku Psikiatër
- Psikologu
Për të krijuar një ide mbi çrregullimet aktuale dhe shkaqet e mundshme të impotencës, mjeku para së gjithash pyet pacientin për simptomat dhe historikun mjekësor (anamnezën), dhe më pas kryen ekzaminimin fizik të tij (ekzaminimi fizik i organit gjenital mashkullor dhe ekzaminime funksionale të tij). Pas kësaj, mund të nevojiten ekzaminime të tjera mjekësore.
Identifikimi i problemit aktual dhe historia personale e pacientit (anamneza)
- Pyetje në lidhje me çrregullimet e ereksionit: sa kohë ka, manifestimi i parë, kur është përsëritur, si është shfaqur, mungesa e menjëhershme ose graduale e ereksionit, pyetje për pacientin dhe partneren seksuale rreth këtij problemi.
- Sëmundje të mëparshme dhe historiku mjekësor i pacientit, duke përfshirë këtu proçedurat kirurgjikale, sëmundjet kardio-vaskulare, diabetin e sheqerit, funksionimin e prostatës, fshikëzës së urinës, etj.
- Sëmundje të rënda dhe shkaqet e vdekjes së anëtarëve të familjes.
- Higjiena personale seksuale dhe mirëqënia psikologjike
- Aspektet profesionale dhe personale
- Zakonet si: dieta, gjumi, stimulantët (kafja, alkooli, duhani, droga), stresi, etj.
- Marrja e medikamenteve
Ekzaminimi fizik
Gjatë ekzaminimit fizik, mjeku kërkon ndër të tjera për shenja të çrregullimeve hormonale (gjatësinë trupore, kraharorin, paraqitjen e organeve gjenitale, qimet, shpërndarjen e dhjamit, anomalitë e organeve gjenitale (penisi, testikujt) dhe prostatës (tushe rektale nga vetë mjeku). Gjithashtu mjeku vlerëson edhe sistemin kardio-vaskular dhe sistemin nervor (reflekset).
Ekzaminime të tjera mjekësore
- Analizat e gjakut: maten në gjak hormonet seksuale mashkullore, niveli i sheqerit, yndyrnat, analizat e organeve specifike si mëlçia, veshka, tiroidja, dhe PSA-ja (nëse gjatë kontrollit të prostates, ajo nuk rezulton normale).
- Ekografi e organeve seksuale mashkullore
- Vlerësimi i funksionit të trupave kavernozë (të tilla si testimi i ereksionit dhe testi i injektimit në trupat kavernozë).
Trajtimi varet nga shkaku dhe forma e çrregullimit të ereksionit. Nëse problemet e ereksionit janë pasojë e presionit të lartë të gjakut dhe diabetit të sheqerit, trajtimi i këtyre sëmundjeve përmirëson edhe problemet me ereksionin.
Masat e përgjithshme
Ndryshime të thjeshta në higjenën personale shpesh janë të mjaftueshme për të parandaluar impotencën, dhe për të përmirësuar funksionimin seksual. Efekt të dobishëm ka edhe:
- aktiviteti i rregullt fizik
- dieta e ekuilibruar
- humbja e peshës kur personi është mbipeshë
- ndërprerja e duhanit
- kufizimi i alkoolit
- shmangia e stresit
Trajtimi psikologjik
Gjatë çrregullimeve të ereksionet nga shkaqe psikologjike mund të ndihmojnë shumë trajtimet psikologjike.
Medikamentet
- Mjekime që favorizojnë zhvillimin e ereksionit
- Terapia me injeksion: duke përdorur një gjilpërë të hollë, injektohet hormon stimulues në trupat kavernozë të penisit. Një tjetër mundësi është aplikimi i një pilule të vogël në uretër.
- Një mangësi e testosteronit trajtohet me anë të zëvendësimit të këtij hormoni në formën e kapsulave, injeksioneve, fashave me xhel.
Zgjidhjet mekanike të çrregullimeve të ereksionit
Në rastet kur trajtimet e mësipërme rezultojnë të pasukseshme, mund të përdoret metoda tjetër me një pompë vakumi. Ajo është një zgjidhje ideale, dhe megjithëse aplikimi i saj është disi i komplikuar, kjo metodë ka përparësi ndaj të tjerave sepse nuk shkakton efekte të padëshiruara.
Ndërhyrja kirurgjikale
Nëse është çrregulluar rrjedhja e gjakut në organet gjenitale mashkullore, ose është ndërprerë qarkullimi venoz, duhet marrë parasysh ndërhyrja kirurgjikale.
Proteza penile është zgjidhja përfundimtare kur të gjitha mundësitë e tjera terapeutike kanë dështuar.