Fashiti plantar (Zgjatja e kalkaneusit)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)


Kalkaneusi përbën pjesën kockore të thembrës së këmbës. Në të kapen disa ligamente, tendine dhe muskuj. Kështu, në pjesën e pasme të tij fiksohet tendini i Akilit, ndërsa nga poshtë fasha e shputës së këmbës.
Kalkaneusi mund të pësojë një rritje jonormale nga poshtë, me formë të kthyer (si sqep), me madhësi disa milimetra. Kjo situatë është e lidhur me kalcifikimin (ngurtësimin) e ligamentit të shputës së këmbës. Më rrallë, rritja kockore mund të ndodhë nga sipër ose nga pas, pikërisht në nivelin ku fiksohet tendini i Akilit.
Mosha më e shpeshtë ku haset kjo sëmundje është 40-60 vjeç. Femrat janë pak më të prekura se meshkujt.
Siç u përmend edhe më lart, rritja jonormale e kalkaneusit mund të jetë e poshtme ose pasme. Ajo është pasojë e përdorimit të tepruar të këmbës, që çon në inflamacione dhe dëmtime të vogla në nivelin e tendineve të saj.
Për të shëruar këto dëmtime, organizmi depoziton kalcium në zonën e tyre, ashtu siç bën në rastin e një thyerjeje kockore. Me kalimin e kohës, ndodh kalcifikimi i tendineve ose ligamenteve, duke çuar në formimin e zgjatjes kockore (si sqep) përgjatë tendinit. Pikërisht ky është sqepi i kalkaneusit.
Ai mund të jetë edhe në origjinën e inflamacioneve të indeve të buta në afërsi.
Faktorët e rrezikut për zhvillimin e sqepit të kalkaneusit janë:- Mosha 40-60 vjeç.
- Mbipesha, obeziteti
- Sforcimet e mëdha fizike (profesionale, sportive: qëndrimi në këmbë për kohë të gjatë mbi sipërfaqje të forta, moskryerja e ushtrimeve përgatitore para ushtrimit të sporteve të caktuara).
- Përdorimi i këpucëve të papërshtatshme
- Keqformimet e këmbës

- Dhimbje në nivelin e thembrës së këmbës në mëngjes, gjatë ecjes, që përmirësohet gjatë ditës.
- Dhimbje e menjëhershme gjatë sforcimit fizik, në nivelin e thembrës së këmbës. Në rastin e sqepit të poshtëm, dhimbja shfaqet në fund të thembrës, ndërsa kur ai është i pasëm, në nivelin e fiksimit të tendinit të Akilit.
Në varësi të shkallës së dëmtimit, dhimbja e thembrës mund të shfaqet pas një sforcimi të zgjatur, ose edhe në qetësi. Në disa raste, këto dhimbje mund të përhapen në kërci ose në kofshë.
Pacienti i përshkruan dhimbjet si goditje me thikë në thembër, që shfaqen në mënyrë të menjëhershme, në formë krizash. Ato janë të rregullta dhe ndonjëherë manifestohen me rritje të ndjeshmërisë në nivelin e fiksimit të tendinit të Akilit.

- Informimit të mjekut mbi historinë e sëmundjes, duke përshkruar me hollësi dhimbjen, e cila në përgjithësi është tepër e lokalizuar.
- Egzaminimit klinik të këmbës, evidentimit të dhimbjes gjatë shtypjes në zonën e thembrës (shih simptomat).
- Radiografisë së këmbës

Shpesh, zgjatja e kalkaneusit, e poshtme ose e pasme, mund të trajtohet pa operacion. Përgjithësisht, trajtimit në këto raste i nënshtrohen vetëm personat që paraqesin shqetësime (simptoma). Ai konsiston në respektimin e disa masave të përgjithshme, përdorimin e medikamenteve të nevojshme, trajtimet fizike dhe operacionin.
Masat e përgjithshme dhe parandaluese janë:
- Rënia në peshë, në rastin e mbipeshës trupore
- Evitimi i përdorimit të madh dhe të zgjatur të këmbëve
- Korrigjimi i pozicionimit të keq (deformimit) të këmbëve, veçanërisht të thembrave.
Medikamentet
Trajtimi me medikamente konsiston në përdorimin e:
- Medikamenteve që qetësojnë dhimbjet (analgjezikët), dhe ato që luftojnë inflamacionin (anti-inflamatorët josteroidë)
- Kortizonit me injeksione (anti-inflamatorë steroidë)
- Injektimin në thembrën e këmbës të medikamenteve anestezike (që mpijnë zonën e dhimbshme).
Operacionet
Operacioni rekomandohet vetëm në rastet kur medikamentet e mësipërme nuk kanë dhënë rezultat. Ai konsiston në prerjen përgjatë kockës të fashës (shtrësë së indit lidhor) së shputës së këmbës.
Përgjithësisht, sqepat e mëdhenj priten dhe kanë nevojë për një fazë pasuese trajtimi që zgjat disa muaj.
Masat fizike
- Vendosja e kompresave të ngrohta ose të ftohta
- Trajtimi me ultratinguj
- Trajtimi me valë goditëse
- Trajtimi me rreze (rrezatimi)
Ndërlikimet e përgjithshme pas operacionit mund të manifestohen në formën e infeksioneve, vështirësisë së shërimit të plagës, trombozave, embolive dhe dëmtimeve nervore. Dhimbjet mund të rishfaqen pas trajtimit konservator ose pas operacionit.
