Kalcifikimi i arterieve (Arterioskleroza)
Kontribuesit (Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)
Kalcifikimi i arterieve, pra arterioskleroza, është një proçes i natyrshëm i plakjes, por që mund të shfaqet edhe tek personat me moshë të re. Kjo ndodh sepse, edhe në këto mosha, mund të jenë të pranishëm disa faktorë që konsiderohen faktorë të rrezikut e që favorizojnë formimin e pllakave të arteriosklerozës. Më kryesorët prej tyre janë depozitimet e kolesterolit, të qelizave imunitare dhe të indit lidhor.
Faktorët e rrezikut të arteriosklerozës janë:
- Duhanpirja
- Trashëgimia familjare për arteriosklerozë
- Gjinia mashkullore
- Diabeti i sheqerit i tipit 1
- Diabeti i sheqerit I tipit 2
- Hipertensioni arterial
- Niveli i lartë i kolesterolit në gjak
- Mbipesha trupore
- Stresi
- Mungesa e aktivitetit fizik
- Depresioni
- Prania e bakterit klamidia në organizëm: studimet e fundit kanë treguar se infeksionet e shpeshta nga klamidia mund të favorizojnë arteriosklerozën.

Tabloja klinike e arteriosklerozës është pasojë e drejtpërdrejtë e mosfurnizimit të mjaftueshëm me gjak të organeve që ushqehen nga enët e dëmtuara të gjakut. Si rezultat i këtij proçesi mund të shfaqen:
- Goditja cerebrale (në tru)
- Angina pektoris (dhimbja e gjoksit nga ngushtimi i arterieve koronare)
- Infarkti i miokardit
- Insuficienca kardiake (funksioni i ulur i zemrës)
- Dhimbjet në këmbë (klaudikacio intermitent), që njihet edhe si fenomeni i "këmbës së duhanpirësit"
- Impotenca tek meshkujt
- Çrregullimet e funksionit të veshkave

Për vendosjen e diagnozës së arteriosklerozës duhet të kryhet konsulta me mjekun, që duhet të konsistojë në:
- Njohjen e mjekut me simptomat e pacientit.
- Marrjen e gjakut për përcaktimin e nivelit të kolesterolit ose evidentimin e një diabeti të sheqerit.
- Kryerjen e radiografisë me lëndët e kontrastit (si angiografia, kateterizimi i zemrës), që bëjnë të dukshme enët e gjakut, veçanërisht në zemër dhe në nivelin e këmbëve.
- Kryerjen e ekografisë së zemrës dhe enëve të gjakut.

Trajtimi dhe parandalimi i arteriosklerozës konsiston në respektimin e një strategjie të tillë, që mundëson eleminimin e faktorëve të mundshëm të rrezikut dhe, njëkohësisht, trajtimin e sëmundjeve përgjegjëse për zhvillimin e arteriosklerozës, të tilla si diabeti i sheqerit, hipertensioni arterial dhe niveli i lartë i kolesterolit në gjak. Kjo strategji përfshin zbatimin e disa masave të përgjithshme, përdorimin e medikamenteve dhe trajtimin kirurgjikal.
Masat e përgjithshme në kushtet e pranisë së arteriosklerozës konsistojnë në:
- Ndërprerjen e duhanit
- Ushqyerjen e larmishme dhe të varfër në yndyrna. Nuk rekomandohet konsumi i yndyrnave me origjinë shtazore, i mishit dhe vezëve, pasi përmbajnë sasi të mëdha të acideve yndyrore të ngopura.
- Rënien në peshë në rastin e personave me mbipeshë trupore.
- Aktivitetin fizik të rregullt.
Trajtimi i arteriosklerozës me medikamente konsiston në:
- Përdorimin e medikamenteve që hollojnë gjakun (antikoagulante), që pakësojnë rrezikun për mpiksje të gjakut (tromboza).
Trajtimi kirurgjikal i arteriosklerozës konsiston në:
- Zgjerimin me rrugë kirurgjikale të enëve të ngushtuara të gjakut. Duhet theksuar se kjo mënyrë e trajtimit nuk është gjithmonë e mundshme.
Në rastin e ngushtimit të arterieve koronare, që furnizojnë me gjak muskulin e zemrës (miokardin), rekomandohet:
- Kryerja e angiografisë së arterieve koronare, për të lokalizuar ngushtimin. Më pas, realizohet zgjerimi i arteries së prekur dhe, nëse është e nevojshme, vendosja e një stende.
- Në varësi të shkallës së prekjes dhe numrit të arterieve koronare të prekura, mund të realizohet proçedura e baipasit, që shmang kalimin e gjakut në zonën e dëmtuar të arteries, duke mundësuar në këtë mënyrë kalueshmërinë e plotë të tij në një rrugë të re.