logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDr. med. Gerhard EmrichDr. med. Daniel DesalmandDoris Zumbühl)
Obeziteti: Indeksi i Masës së Trupit (IMT) si një instrument matës.
Obeziteti: Indeksi i Masës së Trupit (IMT) si një instrument matës.

Sot, në mbarë botën, një numër gjithnjë e më i madh individësh vuajnë nga sëmundje të shkaktuara nga mbipesha dhe, veçanërisht, nga obeziteti. Është fjala për ata individë që preferojnë jetën sedentare kundrejt aktivitetit fizik. Një ushqyerje jo e shëndetshme, e shoqëruar me mungesën e vazhdueshme të aktivitetit fizik, çon fillimisht në mbipeshe e më pas në obezitet.

Obeziteti karakterizohet nga një depozitim i shprehur i indit dhjamor brenda organizmit. Ky depozitim shkakton prishje të ekuilibrit midis sasisë së energjisë së përftuar nëpërmjet ushqimit dhe sasisë së harxhuar nëpërmjet aktivitetit ditor. Kjo ndodh në rastet kur konsumohen ushqime të pasura në yndyrna, kaloritë e të cilave i tejkalojnë nevojat energjitike ditore të organizmit.

Eshtë mjaft e rëndësishme të bëhet dallimi ndërmjet peshës normale, mbipeshës dhe obezitetit.

Për të përcaktuar se cilës prej tri formave të mësipërme i përkasim, i referohemi indeksit të masës trupore (IMT). Rreziku i sëmundjeve dytësore është i lidhur ngushtë me shkallën e mbipeshës.

IMT-ja llogaritet me raportin e peshës trupore të shprehur në kg dhe gjatësisë trupore të shprehur në m2 (P(kg)/Gj(m)2). Formula e IMT-s konsiderohet në ditët e sotme si tregues bazë për dallimin e formave të ndryshme të mbipeshës/obezitetit.

Ndarja e kategorive sipas vlerave të IMT-s:

  • IMT-ja vlen për individët me moshë mbi 18 vjeç.
  • Pesha normale (ideale) i korrespondon vlerave të IMT-s ndërmjet 19 dhe 24 kg/m2 për femrat, dhe 20-24 kg/m2 për meshkujt.
  • Mbipesha i korrespondon vlerave të IMT-s ndërmjet 25 dhe 30 kg/m2.
  • Obeziteti i korrespondon vlerave të IMT-s mbi 30 kg/m2.
  • Obeziteti i rëndë, që shkakton sëmundje serioze, i korrespondon vlerave të IMT-s mbi 40 kg/m2

Si shkaqe madhore të obezitetit konsiderohen:

  • Ushqimet e pasura me yndyrna dhe jeta sedentare.
  • Faktorët psiqikë: vetmia dhe depresioni shpesh shoqërohen me ushqyerje të bazuar në elemente ushqimore të pasura me yndyrna dhe sheqerna.
  • Trashëgimia
  • Faktorë të ndryshëm dhe të panjohur.
  • Shkaqe organike të lidhura me sëmundje të ndryshme si: prodhimi i mangët i hormoneve të gjendrës tiroide (hipotireoza), prodhimi i tepërt i kortizolit (Cushing).

Obeziteti: dhjami i rrezikshëm në zonën e barkut.
Obeziteti: dhjami i rrezikshëm në zonën e barkut.

Nëse shtimi në peshë përtej kufirit të peshës normale vazhdon për një kohë të gjatë, mund të çojë në shfaqjen e simptomave të mëposhtme:

  • Vështirësi në frymëmarrje deri edhe në kriza të bllokimit të frymëmarrjes, më të shpeshta gjatë natës (sindromi i apnesë nokturne).
  • Djersitje e shprehur
  • Mbingarkesë e artikulacioneve, që shprehet me dhimbje të shpinës ose të gjunjve.
  • Depresioni, për shkak të mungesës së besimit se mund të rikthehet përsëri pesha e mëparshme.

Të dhënat e përftuara nga simptomat e individit, si dhe llogaritja e IMT-s, janë mjaft të nevojshme për vlerësimin e shkallës dhe pasojave të mbipeshës/obezitetit.

Në prani të një mbipeshe të theksuar, shpërndarja e indit dhjamor në brendësi të organizmit e modifikon siluetën trupore, duke i dhënë asaj formë të ngjashme me atë të mollës ose të dardhës.

Në rastin e siluetës me formën e mollës, tipike mashkullore, dhjami depozitohet në nivelin e barkut. Kjo masë dhjamore shton rrezikun e sëmundjeve dytësore. Ndërsa në siluetën me formën e dardhës, tipike femërore, dhjami depozitohet në nivelin e kofshëve dhe vitheve.

Studime të kohëve të fundit, të realizuara në Evropë dhe në SHBA, kanë treguar se raporti i belit me legenin përbën një faktor rreziku për sëmundjet kardio-vaskulare. Depozitimi i dhjamit në nivelin e belit është më i rrezikshëm se ai në nivelin e legenit.

 

Pasi përjashtohet një shkak organik, pra një sëmundje shkaktare e obezitetit, trajtimi i këtij të fundit bazohet në tre drejtime:

  1. Këshillimi dietetik dhe kufizimi i kalorazhit ditor në ushqimet e konsumuara.
  2. Terapia e sjelljes (ndryshimi i të sjellurit ndaj ushqimeve)
  3. Aktiviteti fizik


Në rast se IMT-ja rezulton > 25, është i domosdoshëm modifikimi i stilit të jetesës, veçanërisht në prani të siluetës në formën e mollës (forma mashkullore).

Në rast se IMT-ja rezulton > 30, është i detyrueshëm modifikimi i stilit të jetesës, madje me kufizime më të mëdha.

Pasi arrihet pesha e synuar, problemi më i vështirë është ruajtja e saj. Në këtë drejtim janë efikase vetëm strategjitë terapeutike të shtrira në periudha të gjata kohore. Shumë shpesh, një rënie shumë e shpejtë në peshë mund të pasohet nga një shtim akoma më i madh në peshë, krahasuar me periudhën përpara përfshirjes në skemën e trajtimit.

Mjaft të suksesshëm në këtë drejtim janë individët që arrijnë të ndryshojnë mënyrën e tyre të yshqyerjes dhe stilin e jetesës. Pas rënies në peshë, parimi i ushqyerjes së ekuilibruar dhe i mënyrës aktive të të jetuarit, duhet zbatuar për një periudhë sa më të gjatë kohore. Rreth një e treta e individëve obezë që paraqiten tek mjeku specialist, arrijnë të bien në peshë në mënyrë të shëndetshme vetëm në sajë të motivimit dhe të ndryshimit të stilit të tyre të jetesës, duke e ruajtur kështu peshën e fituar për një kohë të gjatë.

Rënia në peshë është mjaft e rëndësishme për shëndetin, pasi ndihmon në parandalimin e shfaqjes së sëmundjeve dytësore, që mund të shkaktonte obeziteti.

 

Medikamentet

Tek personat tepër obezë është pothuajse e pamundur të arrihet rënia në peshë vetëm nëpërmjet kufizimit ushqimor dhe aktivitetit fizik. Në këto raste shumë shpesh është i nevojshëm edhe trajtimi me medikamente. Ndër medikamentet e përdorura përmendim:

  • Medikamentet që pakësojnë oreksin
  • Frenuesit e përthithjes së yndyrnave në sistemin tretës
  • Substancat që shkaktojnë ndjesinë e ngopjes

Shënim i rëndësishëm: këto medikamente mund të shkaktojnë efekte të padëshiruara në organizëm. Për këtë arsye, ato mund të përdoren vetëm nën këshillimin dhe ndjekjen në vazhdimësi nga mjeku specialist.

Mos prisni mrekulli!: pesha ideale nuk mund të arrihet menjëherë, brenda disa javëve. Për të realizuar një rënie në peshë graduale dhe të shëndetshme, duhet patur mjaft durim, në mënyrë që t`i lihet koha e mjaftueshme organizmit për t`u përshtatur me mënyrën e re të ushqyerjes dhe stilin e ndryshëm të jetesës.

 

Operacionet

Në cilat raste mund të përdoret ndërhyrja kirurgjikale?

  • Në të gjitha rastet kur strategjitë e mësiperme nuk japin rezultat, kur obeziteti i theksuar ka arritur të prishë cilësinë e jetës së individit, kur ka dhënë ndërlikime serioze në organizëm, ose edhe vetëm për arsye estetike.

A duhet ta kryejë një kirurg ndërhyrjen?

  • Çdo ndërhyrje kirurgjikale duhet të kryhet vetëm nga mjeku specialist, që në këtë rast është kirurgu i specializuar për ndërhyrje të kësaj natyre.

     
Pasojat e shumta të obezitetit.
Pasojat e shumta të obezitetit.

Tek personat obezë, rënia në peshë ndikon në mënyrë tepër pozitive mbi nivelin e kolesterolit në gjak. Gjithashtu, ajo ndihmon edhe në parandalimin ose kufizimin e sëmundjeve dytësore.

Obeziteti mund të jetë shkaktar i sëmundjeve të mëposhtme:

  • Sëmundjet e zemrës, përfshirë edhe infarktin e miokardit
  • Pamjaftueshmëria e punës së zemrës, si pasojë e depozitimit të yndyrnave në zemër
  • Arterioskleroza
  • Diabeti i sheqerit i tipit 2
  • Rritja e nivelit të yndyrnave në gjak (kolesterolit dhe triglicerideve)
  • Gurët në fshikëzën e tëmthit
  • Trombozat e venave të këmbëve, me ngushtim të pjesshëm ose të plotë të tyre.
  • Dëmtimet e kyçeve (artroza)
  • Ndërlikimet gjatë shtatzanisë

 

Parandalimi i obezitetit: dietë e shëndetshme dhe ushtrime të rregullta.
Parandalimi i obezitetit: dietë e shëndetshme dhe ushtrime të rregullta.

Për parandalimin e mbipeshës dhe obezitetit, rekomandohet të respektohen:

  • Këshillat dietetike dhe terapia e sjelljes, për të mundësuar modifikimin e zakoneve të lidhura me ushqyrjen.
  • Pakësimi i stresit
  • Aktivitet fizik i rregullt 

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Dr. med. Gerhard Emrich

Gerhard Emrich ka studiuar Mjekësi në Vjenë. Ai është një gazetar mjekësor me shumë vite përvojë në shkrime mjekësore.

Dr. med. Daniel Desalmand

Daniel Desalmand ka studiuar Mjekësi në Bern. Pas diplomimit, ai ka patur një përvojë të gjatë klinike në Kirurgji dhe Mjekësi të Brendshme përpara se t'i kushtohej gazetarisë shkencore.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Përdoruesit kanë vizituar po ashtu...