Prolapsi uterin (Zbritja e mitrës)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Mitra mbahet në pozicionin e saj normal nga muskujt e perineumit (cipës që mbështjell organet e legenit) dhe nga ligamentet që bashkojnë organet e legenit. Në raste të rënda, mitra dhe/ose fshikëza e urinës zbresin poshtë, deri në vaginë.
Klasifikimi i prolapsit uterin bazohet në shkallën e zbritjes së mitrës. Në disa raste, zbritja e saj është aq e theksuar, saqë ajo duket në hyrjen e vaginës.
Prolapsi uterin mund të shkaktohet nga:
- Mbingarkesa e muskujve të bazës së legenit
- Dobësi e përgjithshme e indit lidhor
- Shtatzani të përsëritura, me lindjen e fëmijëve të mëdhenj dhe/ose me trauma gjatë lindjes.
Faktorët e rrezikut:
- Mbipesha
- Presioni i lartë dhe i shpeshtë në hapësirën e barkut, për shkak të kollës ose të kapsllëkut kronik.

Prolapsi uterin mund të shkaktojë këto simptoma:
- Pamundësi për të mbajtur urinën, kryesisht gjatë sforcimit.
- Ndjesia e rëndesës, me nevojën e shpeshtë për të urinuar (polakiuri).
- Infeksione urinare të përsëritura.
- Dhimbje në shpinë dhe në pjesën e poshtme të barkut.
- Ndjenja e rëndimit në legen.
- Kapslëlku
- Gjakderdhje nga vagina
- Në rastin e zbritjes së fshikëzës së urinës, mund të shfaqet pengesë në rrjedhjen e urinës, që mund të çojë në grumbullimin e urinës në veshka dhe dëmtimin gradual të funksionit të tyre.

Për vendosjen e diagnozës së prolapsit uterin, mjeku obstetër-gjinekolog bazohet në këto të dhëna:
- Njohja e tij me të dhënat e pacientes, duke përfshirë edhe simptomat që ajo paraqet.
- Egzaminimi gjinekologjik me spekulum, i kombinuar me palpacionin (prekjen) e barkut dhe të fundit të barkut.

Në format e lehta, për të parandaluar zbritjen e mitrës, rekomandohet rehabilitimi i muskujve perinealë, nëpërmjet ushtrimeve specifike për to. Mund të përdoren edhe hormonet femërore (estrogjenike) në formën e suposteve ose kremrave vaginale, ose të tabletave nga goja.
Tek pacientet e moshuara, mund të kryhet heqja e mitrës, nëse zbritja e saj ka dëmtuar cilësinë e jetës së tyre.
Në rastet me zbritje të theksuar të fshikëzës urinare, mund të vendosen proteza sintetike në pjesën e përparme të qafës së saj. Kjo proçedurë lehtëson mjaft problemet e urinimit. Proteza sintetike e pasme përdoret zakonisht për forcimin e muskulaturës perineale.
Si ndërlikim i prolapsit uterin konsiderohet prishja e cilësisë së jetës, në rastet e pamundësisë për të komanduar urinimin (nevoja e shpeshtë dhe urgjente për të urinuar).