Këmba e duhanpirësit (Klaudikacio intermitent)
Kontribuesit (Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Klaudikacio intermitent përfaqëson dhimbjen e lokalizuar në nivelin e gjymtyrëve të poshtme. Ajo është pasojë e mosfurnizimit të mjaftueshëm të tyre me gjak dhe pasohet nga çrregullime të qarkullimit të gjakut në këmbë. Në varësi të lokalizimit të ngushtimit, sëmundja prek arteriet e këmbëve, të kofshëve ose të legenit.
Sipas studimeve epidemiologjike të kohëve të fundit, kjo sëmundje prek kryesisht meshkujt (70%), por shpeshtësia e saj tek femrat është në rritje. Mosha mesatare e personave të prekur është rreth 70 vjeç. Gjithsesi, nuk është e rrallë që sëmundja të shfaqet gjatë të dyzetave.
Këmba e duhanpirësit është pasojë e disa sëmundjeve kryesore, si:
- Arterioskleroza
- Inflamacioni i arterieve (rrallë)
Faktorët e rrezikut për sëmundjen e bllokimit të arterieve janë:
- Duhanpirja
- Jeta sedentare
- Niveli i lartë i kolesterolit në gjak
- Diabeti i sheqerit
- Hipertensioni arterial
- Obeziteti (mbipesha trupore)
- Guta
- Hipotireoza (ulja e funksionit të gjendrës tiroide)
- Ushqyerja jo e shëndetshme (tepër e pasur në yndyrna dhe kolesterol)
Stadi I
Bëhet fjalë për fazën e hershme, ku sëmundja e këmbës së duhanpirësit (klaudikacio intermitent) nuk shkakton shqetësime për një periudhë të gjatë kohore. Kjo për faktin se organizmi është i aftë t’i kompensojë çrregullimet e qarkullimit të gjakut. Gjatë këtij stadi, bllokimi i arterieve zakonisht zbulohet rastësisht.
Stadi II
Gjatë këtij stadi, sëmundja shkakton simptomat e mëposhtme:
- Dhimbje gjatë ecjes (në drejtimin e arteries së bllokuar), me intensitet që rritet gradualisht, që shfaqen pas distancave gjithnjë e më të shkurtra. Kjo përfaqëson simptomën e parë të sëmundjes.
- Ndryshime në lëkurë, ku lëkura zbehet gjatë ngritjes së këmbëve dhe merr ngjyrë blu në të kuqe gjatë uljes së tyre.
- Ftohja e këmbëve, çrregullime të ndjeshmërisë së tyre, ndryshime në nivelin e thonjve dhe formimi i kallove në nivelin e këmbëve.
- Rënie e qimeve
- Dhimbjet janë të lokalizuara në nivelin e bllokimit të arteries, që mund të jetë në të ndenjura, kofshë, shputën e këmbëve ose gishtat.
Stadi III
Përfaqëson një stad të avancuar të sëmundjes, ku dhimbjet tashmë shfaqen në qetësi.
Stadi IV
Karakterizohet nga dëmtime të indeve, ku indi nekrotizohet dhe plagët më të vogla nuk shërohen më normalisht, por shkaktojnë inflamacione të rënda.
Urgjenca mjekësore akute
Bllokimi akut i një arterieje mund të ndodhë nga një pllakë e mpiksur e gjakut (embolia), ose nga çarja e një muri të kalcifikuar të arteries. Në këto raste, bëhet fjalë për një urgjencë mjekësore, pasi pacienti është i ekspozuar ndaj çrregullimeve të ndjeshmërisë, paralizave, nekrozave indore (ku në rastet ekstreme mund të preket gjithë këmba), si dhe ndaj kolapsit kardio-vaskular (me rënie të shprehur të presionit të gjakut).
Shenjat e urgjencës, që duhet të na shtyjnë të kërkojmë ndihmë të menjëhershme mjekësore, janë:
- Ftohja e këmbës, dhimbjet e forta në të dhe ngjyrosja e saj në të bardhë.
- Mungesa e pulsit të arteries në këmbën e prekur.

Për vendosjen e diagnozës së këmbës së duhanpirësit, mjeku specialist angiolog bazohet në:
- Njohjen e simptomave të pacientit, historinë e fillimit të tyre, sëmundje të tjera kronike dhe/ose shoqëruese, faktorë të mundshëm të rrezikut, etj.
- Egzaminimi trupor i pacientit, me prekjen e pulsit dhe auskultimin me stetoskop të zhurmës së enëve të gjakut.
- Matja e tensionit arterial në pozicione të ndryshme
- Ekografia e enëve të gjakut
- Radiografia e enëve të gjakut me lëndë kontrasti (angiografia)

Mënyra e trajtimit të këmbës së duhanpirësit varet nga stadi i sëmundjes në momentin e diagnostikimit të pacientit. Për këtë arsye, trajtimi mund të kryhet në kushtet e urgjencës mjekësore ose në kushte normale, me gjendje përgjithësisht të stabiliazuar të pacientit.
Trajtimi i urgjencës
Pas qetësimit të dhimbjes së fortë, që paraqet pacienti, mjeku kirurg duhet të vendosë nëse është e mundur të shpëtohet këmba nëpërmjet përdorimit të medikamenteve që nxisin qarkullimin e gjakut, apo duhet të ndërhyhet me rrugë kirurgjikale për zonat e bllokuara. Kjo ndërhyrje mund të realizohet me ndihmën e kateterit ose me kirurgji të hapur.
Prerja e këmbës (amputimi) është alternativa e fundit, kur këmba nuk mund të shpëtohet me ndonjë mënyrë tjetër.
Masat e përgjithshme
- Trajtimi bazohet në nxitjen e qarkullimit të gjakut, trajtimin ose evidentimin e faktorëve të rrezikut dhe trajtimin e sëmundjeve shoqëruese si diabeti i sheqerit, yndyrnat e larta në gjak, hipertensioni arterial dhe sëmundjet e gjendrës tiroide.
- Ndryshimet e mënyrës së jetesës pas momentit të diagnostikimit me sëmundjen e ngushtimit të arterieve. Kjo konsiston në ndërprerjen e menjëhershme të duhanit, ushqyerjen e shëndetshme, aktivitetin fizik të rregullt. Ky i fundit është mjaft i rëndësishëm, pasi favorizon qarkullimin anësor (kolateral) të zonave të dëmtuara.
- Për pacientin me të tilla probleme, një rol të rëndësishëm luan higjiena e këmbëve. Ai duhet të jetë tepër i kujdesshëm edhe për plagët më të vogla, veçanërisht në pikat e presionit.
Medikamentet
- Antiagregantët trombocitarë, që janë medikamente që pengojnë formimin e pllakave trombocitare (trombit)
- Antikoagulantët, që evitojnë formimin e trombit në arteriet dhe në zemër, duke evituar në këtë mënyrë embolinë.
- Zgjeruesit e enëve të gjakut (vazodilatatorët)
- Qetësuesit e dhimbjeve (antialgjikët).
- Antibiotikët, në rastin e infeksioneve bakteriale të pranishme në nivelin e zonave të furnizuara keq me gjak.
- Favorizimi i shërimit (cikatrizimit) të plagëve.
Operacionet
- Zgjedhja e ndërhyrjes kirurgjikale varet nga lokalizimi i ngushtimit të arteries, nga intensiteti i simptomave dhe nga gjendja e përgjithshme e pacientit.
- Zgjerimi i pjesës së ngushtuar të arteries realizohet me ndihmën e një kateteri, i cili futet në regjionin inguinal (në rrëzën e kofshës) nëpërmjet një prerjeje të vogël dhe shkon deri në nivelin e ngushtimit të arteries ku ai fryhet, duke eleminuar ngushtimin. Sipas rastit, në arterie mund të injektohet një medikament trombolitik (që shkrin thrombin) dhe mund të vendoset një stendë metalike për ta mbajtur enën e gjakut të hapur.
- Operacioni kirurgjikal i baipasit konsiston në krijimin e një ene gjaku artificiale që siguron furnizimin e enës së ngushtuar, pra krijohet një rrugë e re kalimi për gjakun, duke anashkaluar pjesën e bllokuar të arteries.
- Tromboendarterektomia: pastrimi i dëmtimeve në brendësi nëpërmjet futjes së një kateteri.
Ndërlikimet e këmbës së duhanpirësit (klaudikacio intermitent) ndodhin zakonisht në stadet e avancuara të saj, veçanërisht në rastet e urgjencës. Megjithatë, nëse edhe në këto raste, ndihma mjekësore jepet brenda 6-8 orësh pas momentit të shfaqjes së simptomave, ecuria është përgjithësisht e mirë.
Në stade tepër të avancuara, ecuria e sëmundjes varet para së gjithash nga mënyra e trajtimit dhe shkalla e eleminimit të faktorëve të rrezikut. Kjo është mënyra e vetme për ngadalësimin ose ndalimin e përparimit të kësaj sëmundjeje.
Një pjesë e madhe e pacientëve paraqesin më tepër dëmtime në nivelin e enëve koronare të zemrës, të cilat furnizojnë me gjak muskulin e zemrës (miokardin). Për pasojë, shumë prej tyre vdesin prej infarktit të miokardit.

Për parandalimin e këmbës së duhanpirësit rekomandohen masat e mëposhtme:Për parandalimin e këmbës së duhanpirësit rekomandohen masat e mëposhtme:
- Mospirja e duhanit
- Humbja e peshës nëse jeni mbipeshë
- Aktiviteti fizik i rregullt
- Mjekimi në mënyrë të rregult i presionit të lartë të gjakut, yndyrnave të larta në gjak dhe diabetit të sheqerit
- Balancimi i mirë midis punës dhe periudhave të pushimit (zvogëlimi i faktorëve të stresit)