Inkontinenca urinare (Mosmbajtja e urinës, Urinimi i pakontrolluar)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Dr. med. Gerhard Emrich, Dr. med. Daniel Desalmand, Doris Zumbühl)

Bëhet fjalë për inkontinencë urinare kur një person nuk e mban dot urinën dhe, për pasojë, urinon në mënyrë të pakontrolluar. Ky fenomen është dy herë më i shpeshtë tek gratë e moshuara dhe që kanë kryer lindje të përsëritura. Dy format në të shpeshta të kësaj sëmundjeje janë: inkontinenca urinare nga sforcimi dhe ajo e urgjencës. Egzistojnë gjithashtu edhe forma të përziera, si dhe forma të tjera tepër të rralla, të shkaktuara nga probleme anatomike (ndërtimore) ose nga sëmundje të tjera.
Shkaqet e inkontinencës urinare (mosmbajtjes së urinës) janë të ndryshme, në varësi të formës së saj. Më poshtë paraqiten të detajuara shkaqet, sipas formës përkatëse.
Inkontinenca urinare e stresit ose e sforcimit
Në rastin e inkontinencës nga stresi ose sforcimi, siç ndodh psh. gjatë të qeshurit, kollitjes, teshtitjes ose gjatë mbajtjes së peshave të rënda, rritet presioni në zonën e barkut. Uretra (kanali që nxjerr urinën nga fshikëza e urinës) është shpesh tepër e lëvizshme dhe sfinkteri (muskuli në formë rrethore që lejon ose pengon daljen e urinës) nuk arrin t’i rezistojë kësaj rritjeje të presionit, duke çuar në humbjen e kontrollit mbi urinën që del.
Inkontinenca e urgjencës (fshikëza urinare e irrituar)
Simpomat e urgjencës mund të provokohen nga një mbindjeshmëri, pra një reagim i tepruar nga ana e muskulit të fshikëzës urinare. Nëse presioni i fshikëzës është më i madh se presioni në unazën e uretrës (sfinkterin uretral), atëherë urinimi nuk kontrollohet më dhe ai ndodh në mënyrë të pavullnetshme.
Shkaqe të tjera:
- Infeksionet e rrugëve urinare
- Sëmundjet infektive kronike
- Funksion i dëmtuar i fshikëzës urinare, për shkak të pranisë në të të gurëve, tumoreve ose kisteve.

Pacienti me inkotinencë urinare (mosmbajtje të urinës) paraqet simptomat e mëposhtme:
- Urinim i shpeshtë, pjesërisht i pakontrolluar
- Dhimbje gjatë urinimit
- Urinime gjatë natës
- Gjak i pranishëm në urinë

Pacienti me simptomat e mosmbajtjes së urinës (inkontinencës urinare) duhet të konsultohet nga një mjek nefrolog ose urolog, i cili mund të përcaktojë diagnozën duke u bazuar në:
- Njohjen në mënyrë të detajuar me simptomat e pacientit, historinë e fillimit të tyre dhe me sëmundje të tjera, për të cilat ai mund të jetë trajtuar.
- Egzaminimin gjinekologjik
- Cistoskopinë, për eksplorimin e rrugëve urinare
- Radiografinë e aparatit urinar me lëndë kontrasti
- Analizat e urinës, për të përjashtuar një infeksion bakterial
- Egzaminimin ekografik ose vendosjen e një kateteri për të përcaktuar sasinë e urinës që mbetet në fshikëzën e urinës (pas disa urinimeve)
- Matjen e presionit në fshikëzën e urinës.

Mënyra e trajtimit të inkotinencës urinare (mosmbajtjes së urinës) varet nga forma e saj. Më poshtë paraqitet i detajuar trajtimi për çdo formë.
Inkontinenca urinare nga stresi ose sforcimi trajtohet me:
- Ushtrime specifike dhe të përshtatshme për forcimin e bazës së legenit.
- Kryerja e një ndërhyrjeje të vogël kirurgjikale
- Përdorimi i medikamenteve
Inkontinenca e urgjencës (fshikëza e irrituar) trajtohet me ndihmën e:
- Medikamenteve që kanë efekt lëshues mbi muskujt e fshikëzës, që kanë ndjeshmëri të tepruar
- Ushtrime që edukojnë refleksin e urinimit
- Konsumi i rregullt i lëngjeve
- Tek gratë në menopauzë, preparate me përmbajtje estrogjeni (hormon seksual femëror).
Këshilla për personat me inkontinencë urinare ose që duan ta parandalojnë atë:
- Ushtrime të përqëndruara në forcimin e muskujve të bazës së legenit
- Përdorimi i pampersave ose linesave, për urinën që del në mënyrë të pakontrolluar
- Eleminimi i faktorëve të rrezikut, siç është duhani.
- Ndryshimi i mënyrës së ushqyerjes, në rast të kapsllëkut.
- Rënie në peshë, në rastin e mbipeshës trupore
- Konsum i sasive të mëdha të lëngjeve, veçanërisht gjatë paradites
- Fshikëza e urinës duhet të zbrazet në maksimum
- Të mbahet shënim çdo episod i urinimit në një bllok të posaçëm (ditari i urinimit)
Në rastet me inkontinencë urinare (mosmbajtje të urinës) të lehtë, janë të mjaftueshme ushtrimet që forcojnë muskujt e bazës së legenit. Inkontinencat urinare mund të ndërlikohen me infeksione urinare të përsëritura.