Varësia nga substancat (Toksikomania) (Abuzimi me substancat, Toksikomania)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Dukuria e varësisë është e lidhur me përdorimin e një ose disa substancave të caktuara, ose me kryerjen e një ose disa aktiviteteve të caktuara. Më poshtë do të trajtojmë gjerësisht secilën nga këto dy forma.
Varësitë e palidhura me përdorimin e një substance
Varësia mund të shkaktohet edhe nga elementë që nuk përmbajnë asnjë substancë varësi-shkaktuese. Kjo konsiderohet si një gjendje dehjeje, që është pasojë e rritjes së nivelit të endorfinave në organizëm, të njohura si «hormoni i lumturisë». Ajo manifestohet me një gjendje kënaqësie pas kryerjes së proçesit që ka shkaktuar varësinë. Për shfaqjen e kësaj forme të varësisë luan rol tepër të madh mënyra e jetesës dhe personaliteti i çdo njeriu. Disa shembuj:
- Çrregullimet e lidhura me ushqyerjen, si anoreksia, bulimia dhe ngrënia e tepërt.
- Varësia e ndihmës, që shprehet me një dëshirë të madhe për të ndihmuar të tjerët.
- Varësia ndaj punës, ku personi cilësohet nga të tjerët si “qen” i punës.
- Varësia nga sporti, ndaj të cilës janë të ekspozuar veçanërisht vrapuesit e maratonave.
- Varësia ndaj medias, ku përfshihet interneti, bashkëbisedimi on-line, telefoni, mesazhet telefonike dhe lojrat kompjuterike.
- Varësia nga televizioni, ku dominojnë serialet televizive.
- Varësia nga seksi, varësia emocionale, varësia nga marrëdhënie të caktuara (krijimi i idhullit, nënshtrimi).
- Varësia nga lojra të ndryshme
- Varësia nga situatat ekstreme, si hedhja nga lartësitë, rënia e lirë, drejtimi i automjetit me shpejtësi të madhe, etj.
- Varësia nga vjedhja (kleptomania).
- Varësia nga pastrimi
Varësia e lidhur me përdorimin e një substance
Termi drogë përkufizon substancat që shkaktojnë varësi. Përmes tyre përmendim nikotinën, medikamentet, narkotikët dhe alkoolin. Pika e tyre e përbashkët është që ato ndryshojnë vetëdijen ose mënyrën e perceptimit të gjërave, dhe mund të shkaktojnë ndjenjë kënaqësie tek personi që i përdor.
Efektet stimuluese përfitohen nga:
- Drogat e ligjshme, si alkooli në sasi të lejuara, kafeina, nikotina.
- Stimuluesit, si amfetamina dhe shpejtësia
- Ekstazia (drogat sintetike)
- Kokaina
- Substancat që thithen nëpërmjet hundës.
- Gazi gazmor (shumë zbavitës)
Efekti qetësues përfitohet nga:
- Medikamentet qetësuese, veçanërisht benzodiazepinat (valiumi, etj.)
- Medikamentet që shkaktojnë gjumë, si barbituratet.
- Medikamentet kundër dhimbjeve (antialgjikët)
- Alkooli në sasi të mëdha
- Opiatet, si morfina dhe heroina.
Efekti haluçinogjenik (që shkakton iluzione) përfitohet nga:
- Kanabisi (marijuana)
- LSD (acidi lisergjik dietilamid)
- Kaktusi Peyote, që përmban meskalinë
- Kërpudhat magjike
Varësia e shumëfishtë& nbsp;
Ky term përfaqëson varësinë e njëkohshme ndaj disa substancave. Shumë persona, që janë të varur ndaj një substance, në të njëjtën kohë kanë varësi edhe ndaj një substance tjetër, që e bën tepër të vështirë trajtimin.
Shkaqet e shfaqjes së një varësie janë të shumta. Dukuria e tërheqjes (varësisë) varet nga disponueshmëria e drogës, veprimi i saj, potenciali i varësisë dhe faktorët shoqërorë. Megjithatë, shkaku i varësive shpesh nuk është shumë i qartë. Egziston mundësia që shumë faktorë të ndryshëm të mund të provokojnë ose shpërthejnë një varësi të caktuar.
Faktorët më të shpeshtë të rrezikut individual për të krijuar varësi janë:- Mungesa e besimit në vetvete, ose e kundërta: vlerësimi i tepruar për veten.
- Ndikimi (efekti) i grupit, veçanërisht gjatë adoleshencës, ku dominon shembulli i prindërve dhe personave të tjerë në të cilët ata besojnë.
- Ndjenja e trishtimit
- Paaftësia për të adresuar problemet, si dhe për të menaxhuar konfliktet.
- Dëshira për të përmirësuar performancën (në punë, në sporte).
- Problemet në marrëdhënien në çift, në familje ose në punë.
- Prania e sëmundjeve psiqike dhe fizike
Varësia nuk zhvillohet nga një ditë në tjetrën. Shpesh, duhen vite që zakoni i thjeshtë i përdorimit të një substance të kalojë në stadin e varësisë. Megjithatë, për disa substanca, zhvillimi i varësisë është tepër i shpejtë.
Shembulli i alkoolit dhe heroinës: shumë njerëz janë në gjendje të konsumojnë alkool me masë, pa u bërë të varur prej tij. Përkundrazi, substanca të tjera shkaktojnë shumë shpejt varësi psikologjike dhe/ose fizike. Të tilla janë heroina, për të cilën mjaftojnë disa ditë ose përzierja me kokainën, për të cilën mjafton vetëm një dozë për të krijuar varësinë.
Fazat e zhvillimit të një varësie
- Faza e provës, gjatë së cilës personi dëshiron të provojë dhe eksperimentojë diçka të re. Pjesa më e madhe e substancave nuk shkaktojnë menjëherë varësi, por disa e shkaktojnë këtë që në dozën e parë (heroina, përzierja e saj me kokainën).
- Faza e abuzimit: karakterizohet nga konsumi i tepruar, më shpesh i substancave psikotrope ose alkoolit. Gjatë kësaj faze, mund të shfaqen pasoja në shëndet dhe në fushën psiko-shoqërore, që injorohen nga pacienti.
- Faza e varësisë, në të cilën truri dhe trupi janë përshtatur me substancën e përdorur (zhvillimi i tolerancës). Për pasojë, për të përfituar të njëjtin efekt, shpesh është e nevojshme rritja e dozës së saj.
- Varësia psiqike dhe varësia fizike: nëse arrihet në këtë fazë, është praktikisht e pamundur të hiqet dorë dhe gjithë jeta e personit është e diktuar nga varësia e tij. Miqtë, familja dhe profesioni kalojnë në plan të dytë. Përpjekjet e vetë personit të varur për të dalë nga gjendja dështojnë. Jo rrallë ndodh që personat të kenë probleme me drejtësinë, kur ata gjenden në këtë fazë të varësisë (krimi i shpërndarjes së drogave, prostitucioni, vjedhja, etj).
Shenjat fizike të tërheqjes
Simptomat varen nga substanca e përdorur, dhe mund të jenë të tipit:
- Djersitje
- Të dridhura, ethe
- Ngërçe muskulare
- Rrahje të shpejta dhe të forta të zemrës
- Dhimbje koke
- Ndjenja e të ftohtit
- Marrje mendsh
- Zgjerim i pupilave (bebeve) të syve
- Çrregullime të lidhura me sistemin e tretjes
- Dhimbje
- Axhitim, çrregullime të gjumit
- Kriza epileptike
- Humbje afatshkurtra të kujtesës
- Dobësi e theksuar trupore, ndonjëherë ndryshime në lëkurë ose simptoma neurologjike për shkak të ushqyerjes së pamjaftueshme.
Shenjat psiqike të tërheqjes
- Haluçinacione
- Çrregullime të sjelljes
- Çrregullime të perceptimit
- Çrregullime psikosomatike (neuroza, ankth)
- Çrregullime afektive (maniako-depresive)
- Çrregullime të kujtesës
- Rënie e përqëndrimit dhe rënie e performancës
- Demencë
Nëse shfaqen simptomat e mësipërme, kuptohet që substancat janë konsumuar aq shpesh, sa kanë dhënë simptomat e një sëmundjeje psiqike të durueshme.
Shenjat e tërheqjes së një varësie të palidhur me një substancë
Në këtë tip varësie, vështirësitë psiko-shoqërore dominojnë në raport me shenjat fizike, që gjithsesi mund të jenë të pranishme.
Shenjat e mëposhtme mund të sugjerojnë një varësi:
- Dëshira e shpeshtë dhe e pakapërcyeshme, psh. për të hyrë në internet, për të shkuar në kazino, për të luajtur, për të komunikuar në internet, për të parë televizor. Këto çojnë në izolimin e personit dhe kufizimin e interesave të tjera të tij.
- Humbja e kontrollit, me dominimin e ndjenjave të fajit.
- Veçimi i personit si i papërshtatshëm, nga personat e afërm (miqtë, partneri/partnerja, familja) dhe shfaqja e indiferencës.
- Ulja e aftësisë për të punuar
- Fshehja/ekzagjerimi (dramatizimi) i zakoneve.
- Futja në borxhe, e për pasojë kalimi në jetën e fshehtë (ilegalitet)
- Humbja e ndjenjës së kohës
- Shkalla e kënaqësisë zhduket gjithnjë e më shpejt (zhvillimi i tolerancës).
Çrregullimet psiqike në rastin e tërheqjes: nervozitet, Axhitim, depresion, çrregullime të gjumit, agresivitet, mendime për vetëvrasje, dhe përpjeke të pasuksesshme dhe të përsërituara për t’u vetëkufizuar në përdorimin e substancës.
Për të diagnostikuar varësinë nga droga ose medikamentet, mjeku ka nevojë për:
- Informacionin e detajuar rreth simptomave të pacientit, për të cilën mjekut i nevojiten takime të shpeshta me pacientin, për shkak të simptomave të paqarta dhe konfuze, kërkesave të përsëritura për receta për shurup kundër kollës, për medikamente kundër dhimbjes ose medikamente qetësuese. Aksidentet e shpeshta mund të jenë gjithashtu shenjë e një varësie të mohuar.
- Historia e varësisë: mjeku duhet të informohet lidhur me mënyrën e përdorimit të një ose disa substancave, dozat e marra, kohëzgjatjen, mënyrën e marrjes, mundësinë e marrjes së kombinuar të disa substancave, kushtet shoqërore të personit, veprimi i pritshëm i substancave, tentativat për trajtim personal ose mjekësor.
- Historia shoqërore: mjeku duhet të informohet lidhur me familjen, rrethin shoqëror, punën, fqinjët, anën financiare, situatën e personit në raport me drejtësinë (marrëdhëniet me drejtësinë).
- Diagnostikimi i sëmundjeve fizike, që mund të jenë përgjegjëse, shoqëruese ose pasojë e varësisë.
- Analizat laboratorike, të cilat vërtetojnë praninë e drogës në organizëm, analizat e urinës dhe analizat e gjakut për vlerësimin e funksionit të veshkave, mëlçisë, matjen e parametrave të inflamacionit, evidentimin e sëmundjeve ngjitëse si hepatiti dhe tuberkulozi.
- Vlerësimi psikiatrik& nbsp;

Trajtimi i varësisë përmban disa faza:
- Faza e motivimit, që ka për qëllim ta ndërgjegjësojë personin për problemin e tij dhe për domosdoshmërinë e një shkëputjeje sa më të shpejtë nga droga ose medikamentet e abuzuara.
- Faza e detoksifikimit: për varësitë nga një substancë e caktuar, ky proçes duhet të kryhet në kushte spitalore, pasi personi duhet të mbështetet si në aspektin psikologjik, ashtu edhe atë fizik.
- Faza e tërheqjes: përgjithësisht, edhe kjo fazë duhet të realizohet në kushte spitalore, por ndonjëherë mund të bëhet në kushte ambulatore. Ajo përfshin: psikoterapinë, terapinë familjare, terapinë e sjelljes, ushtrimet relaksuese, etj. Kohëzgjatja e saj mund të variojë nga 6 javë-6 muaj.
- Faza e monitorimit dhe riintegrimit: kjo fazë përqëndrohet kryesisht në parandalimin e rikthimit të varësisë. Për këtë qëllim, nevojitet ndihma e grupeve mbështetëse, mjekut trajtues specialist, terapia ose ndjekja në kushte shtëpie.
Ky material nuk trajton mjekimin e urgjencës në rastin e abuzimit me drogat.
Tek këta persona, sjellja e varësisë duhet të zëvendësohet nga një sjellje dhe mënyrë jetese e shëndetshme. Shpesh, një varësi e vjetër zëvendësohet nga një varësi e re. Kjo situatë është e pranueshme nëse varësia e re është më pak e dëmshme për pacientin dhe të afërmit e tij sesa e vjetra.