Elektroencefalografia (EEG, Ezhe)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)
Çfarë është një Elektroencefalografi?
Elektroencefalografia (EEG) është një ekzaminim që konsiston në regjistrimin e valëve elektrike të gjeneruara nga aktiviteti i trurit. Ajo nuk vë në dukje rrymat elektrike, por regjistron dhe paraqet në formën e një kurbe vetëm valët elektrike të gjeneruara natyrshëm nga truri. EEG është një ekzaminim krejtësisht i padhimbshëm dhe pa rreziqe, bën të mundur evidentimin e çrregullimeve patologjike të aktivitetit elektrik të trurit dhe çrregullimet e funksionit të trurit. Gjithsesi, ky ekzaminim nuk lejon as matjen e inteligjencës, dhe as lexon ose ndikon në mendimet e pacientit.
Elektroencefalografia është një ekzaminim neurologjik.
A kërkon ky ekzaminim ndonjë përgatitje paraprake specifike?
Elektroencefalografia mund të realizohet pa ndonjë përgatitje specifike.
Çfarë duhet të sqarohet përpara ekzaminimit?
Nuk ka nevojë të sqarohet asnjë hollësi përpara realizimit të një elektroencefalografie.
Si realizohet Elektroencefalografia?
Ekzaminimi kryhet në pozicionin ulur ose shtrirë. Së pari, vendoset në kokë një lloj rrjete plastike, mbi të cilën janë fiksuar rreth 20 elektroda, të shpërndara në mënyrë uniforme. Çdo elektrodë përbëhet nga një pllakë metalike e vogël, e cila regjistron valët dhe i transmeton ato në pajisjen e EEG-së përmes një kablli. Të dhënat e matura shprehen në formën e kurbave në letër ose shfaqen në monitor. Gjatë ekzaminimit, pacienti duhet të mbajë sytë mbyllur dhe të shmangë lëvizjen sa më shumë që të jetë e mundur. Herë pas here, ekzaminuesi i kërkon pacientit të hapë sytë, të kryejë frymëmarrje dhe frymënxjerrje të thella për një kohë të shkurtër. Ekzaminimi zgjat përafërsisht 20 minuta. Pastaj rrjeta me elektroda hiqet nga koka.
Kur bëhet elektroencefalografia?
EEG regjistron aktivitetin elektrik fiziologjik të trurit, dhe zbulon anomalitë patologjike në çrregullime të ndryshme funksionale të trurit. Ajo përdoret për diagnozën dhe kontrollin e terapisë në sëmundjet neurologjike, që lidhen me një çrregullime të aktivitetit të trurit.
Arsyet më të shpeshta për kryerjen e elektroencefalografie janë:
- Epilepsia, epilepsia e të moshuarve
- Dhimbja e kokës
- Dëmtimi i trurit (indi i cikatrizuar) pas aksidenteve vaskulare cerebrale (AVC) ose traumave të kokës
- Tumoret e trurit
- Demenca
- Problemet e kujtesës
- Ekzaminimi laboratorik i gjumit
- Vlerësimi i shkallës së aktivitetit të trurit tek pacientët në koma
A paraqet elektroencefalografia ndonjë rrezik apo efekte të padëshiruara?
Ky ekzaminim është i padhimbshëm dhe i sigurt.