logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDr. med. Gerhard EmrichDr. med. Daniel DesalmandDoris Zumbühl)
Borrelioza: infeksion i lindur nga pickimi prej këpushave.
Borrelioza: infeksion i lindur nga pickimi prej këpushave.

Borrelioza Lyme është një sëmundje infektive, që shkaktohet nga një bakter me formë helikoidale, që quhet Borrelia burgdorferi. Sëmundja është përshkruar për herë të parë në vitin 1975 në SHBA nga Lyme. Praktikisht, infeksioni transmetohet nëpërmjet pickimit nga këpushat (rriqnat) dhe përfaqëson sëmundjen më të shpeshtë të transmetuar nga insektet në rajonin tonë. 

Borrelioza: këpushat transmetojnë virusin.
Borrelioza: këpushat transmetojnë virusin.
  • Transmetimi i agjentit shkaktar të borreliozës, pra i bakterit të saj, kryhet nëpërmjet pickimit nga insekti Ixodes ricinus. Brejtësit e vegjël dhe zogjtë konsiderohen si bartësit kryesorë të infeksionit.
  • Borrelioza Lyme haset në të gjithë botën (Amerikën e Veriut, Evropë dhe Azi). Bakteri specifik i saj nuk transmetohet në çdo pickim, por vetëm në 2 prej 100 pickimesh, në varësi nga zgjatja e kontaktit me insektin.
  • Transmetimi i borrelias ndodh brenda 12-24 orësh pas pickimit nga këpusha. Nëse gjatë kësaj periudhe ajo është zbuluar dhe eleminuar në mënyrë korrekte, infektimi prej saj është pak i mundshëm.

Sëmundja e borreliozës prek shumë sisteme në organizëm. Për pasojë edhe simptomat e saj janë të larmishme. Ajo prek lëkurën, sistemin nervor, aparatin lokomotor (muskulo - skeletik) dhe zemrën.
Në varësi të simptomave të pranishme, njihen tre stade të borreliozës. Periudha ndërmjet infektimit dhe shfaqjes së simptomave zgjat nga disa ditë deri në disa javë për stadin e parë, nga disa javë në disa muaj për stadin e dytë, dhe nga disa muaj deri në disa vjet për stadin e tretë.

Stadet e borreliozës janë:

  • Stadi I: karakterizohet nga skuqje të lëkurës, që zhvendosen dhe që  përbëjnë shenjën e parë të sëmundjes në rreth 30% të rasteve. Skuqja shfaqet disa ditë pas pickimit nga këpusha. Ajo përhapet më pas dhe merr formën e unazës. Simptomat e gripit nuk shfaqen gjithmonë. Në pjesën më të madhe të rasteve sëmundja shërohet vetë, për disa ditë ose disa javë. Në këtë stad antibiotikët përdoren me qëllim që të parandalojnë përhapjen e bakterit në organe të tjera.
  • Stadi II: i korrespondon fazës që shtrihet nga disa javë-disa muaj pas pickimit, gjatë së cilës, tek disa persona, bakteri mund të ketë prekur organe të ndryshme. Ndër to mund të përmendim  kyçet (veçanërisht i gjurit), sistemin nervor (cipat e trurit, truri, nervat e fytyrës), lëkurën (enjtje) dhe rrallë zemrën (çrregullime të ritmit të saj).
  • Stadi III: nëse dëmtimet e mësipërme nuk evidentohen dhe trajtohen në kohë me antibiotikë, ato mund të çojnë në dëmtime kronike, si artriti.  

Personat e prekur nga Borrelioza Lyme nuk janë burim infeksioni për të tjerët, pra nuk e ngjisin atë.

Borrelioza: zbulimi i antitrupave në gjak.
Borrelioza: zbulimi i antitrupave në gjak.

Diagnostikimi i borreliozës mund të jetë tepër i vështirë për mjekun infeksionist. Ai bazohet kryesisht në të dhënat klinike të pacientit, në simptomat e tij, historinë e fillimit të sëmundjes, etj. 

Tepër të dobishme në këtë drejtim janë edhe:

  • Identifikimi në gjak  i antitrupave specifike të prodhuara nga organizmi ndaj bakterit të borreliozës.
  • Identifikimi i bakterit të borreliozës në materialet e marra nga pacienti, nëpërmjet mbjelljes së tyre.  
Borrelioza: trajtimi sa më shpejt me antibiotikë.
Borrelioza: trajtimi sa më shpejt me antibiotikë.
Në përgjithësi, në rastin e Borreliozës, trajtimi me antibiotikë është më efikas nëse fillohet në stadin fillestar. Gjithsesi, nuk rekomandohet përdorimi i antibiotikëve me qëllim parandalues pas çdo pickimi nga këpushat.
Borrelioza: hiqni këpushat sa më shpejt të jetë e mundur.
Borrelioza: hiqni këpushat sa më shpejt të jetë e mundur.

Borrelioza mund të parandalohet nëse respektohen disa rregulla, të përshkruara më poshtë në mënyrë të detajuar:

  • Në rastin e pushimeve në ajër të pastër dhe kontaktit me bimë që rriten pranë tokës, si bari, shkurret, etj., rekomandohet përdorimi i veshjeve që mbulojnë plotësisht lëkurën (pantallona, mëngë të gjata dhe këpucë të mbyllura). Këpushat mund të identifikohen më lehtë në veshjet me ngjyra të hapura.
  • Përdorimi i produkteve mbrojtëse mbi lëkurë dhe mbi veshje është efikas vetëm në disa situata të caktuara, pasi veprimi i tyre zgjat përgjithësisht deri në dy orë.
  • Pas shëtitjeve të gjata, duhet të kontrollohen me kujdes trupi dhe veshjet, për praninë e këpushave të mundshme. Ato zakonisht preferojnë pjesët e lëkurës që janë të ngrohta, të lagështa dhe delikate, si gropa pas gjurit, qafa, sqetullat, rrëzët e kofshëve dhe zona e belit. Veçanërisht tek fëmijët, këpushat mund të vendosen në rrënjën e flokut. 

Nuk është e rekomandueshme marrja e antibiotikëve me qëllim parandalimin e borreliozës, pas çdo pickimi nga këpushat. Infeksioni i parë nga borrelia nuk siguron asnjë imunitet të organizmit ndaj një infektimi të mundshëm në të ardhmen.

Në Evropë nuk është e disponueshme asnjë vaksinë kundër borreliozës.

Heqja në mënyrë korrekte e këpushave

  • Në rastin e pranisë së një këpushe në lëkurë, ajo duhet të tërhiqet sa më shpejt që të jetë e mundur, me ndihmën e një pincete, deri sa të dalë plotësisht nga lëkura.
  • Nuk këshillohet kryerja e veprimeve të tjera shtesë, si rrotullimi i këpushës apo lyerja me vaj e vendit të pickimit, etj.
  • Nuk duhet të shtypet trupi i këpushës.
  • Pasi hiqet këpusha, rekomandohet dezinfektimi i duarve dhe i vendit të pickimit.
  • Buzët e lëkurës që mbeten të hapura pas nxjerrjes së këpushës, mbyllen pas disa ditësh. Nëse kjo nuk ndodh, ose nëse vendi i pickimit infektohet, rasti duhet të konsultohet patjetër nga një mjek.
  • Pas nxjerrjes nga lëkura të këpushës, ajo nuk duhet të hidhet, veçanërisht kur dyshohet për infeksion. Nëse është e nevojshme, mjeku duhet të bëjë analizën e saj dhe të marrë informacionin e duhur rreth bakterit shkaktar të infeksionit. 

Kur duhet të konsultohet mjeku?

  • Kur në lëkurë janë të pranishme një ose disa skuqje, të cilat zhvendosen nga një zonë në tjetrën, zmadhohen dhe marrin formën e unazës. 
  • Nëse 2-3 javë pas pickimit nga këpusha shfaqen simptomat e gripit, si dhimbja e kokës dhe e kyçeve, ose çrregullimet nervore.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Dr. med. Gerhard Emrich

Gerhard Emrich ka studiuar Mjekësi në Vjenë. Ai është një gazetar mjekësor me shumë vite përvojë në shkrime mjekësore.

Dr. med. Daniel Desalmand

Daniel Desalmand ka studiuar Mjekësi në Bern. Pas diplomimit, ai ka patur një përvojë të gjatë klinike në Kirurgji dhe Mjekësi të Brendshme përpara se t'i kushtohej gazetarisë shkencore.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.