Polipet e hundës (Mishi i huaj në hundë)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Polipet e hundës janë rritje jonormale, me natyrë beninje të mukozës, pra shtresës së brendshme të hundës. Ato e kanë origjinën tek sinuset (zgavrat) e hundës, ku mund të zmadhohen dhe të depërtojnë më pas në hapësirën e hundës.
Polipet e hundës mund të shfaqen në çdo moshë. Nëse zmadhohen shumë, ato mund të bllokojnë rrugët e frymëmarrjes.
Shkaqet e sakta të shfaqjes së polipeve të hundës nuk janë ende të njohura plotësisht. Në këtë drejtim duket se ndikojnë disa faktorë:
- Dëmtimet e mukozës së hundës, pas inflamacioneve kronike të saj.
- Infeksionet nga kërpudhat
- Alergjia, riniti alergjik
- Intoleranca ndaj disa medikamenteve, si psh. aspirinës (në rastet kur medikamenti shkakton efekte të padëshiruara)
- Sëmundjet metabolike të trashëgueshme (si mukoviscidoza, me formimin e sekrecioneve të trasha në nivelin e rrugëve të frymëmarrjes)
- Tumoret malinje (rrallë)

Polipet e hundës mund të shkaktojnë këto simptoma:
- Bllokim të hundëve, me pamundësi për të realizuar frymëmarrje vetëm me hundë (kur mbyllet goja)
- Rrjedhje e shpeshtë e sekrecioneve të trasha (me qelb) nga hundët
- Ulje e aftësisë së nuhatjes
- E folur hundore (me hundë)
- Gërrhitje e theksuar
- Infeksione të përsëritura të rrugëve të frymëmarrjes, të sinuseve të hundës dhe të veshit të mesëm
- Dhimbje koke e shpeshtë

Diagnoza e polipeve të hundës bazohet tek:
- Njohja e mjekut otojatër (ORL-otorinolaringolog) me simptomat e pacientit dhe historinë e fillimit të tyre.
- Egzaminimi i hapësirës së hundës
- Analiza e sekrecioneve, në kërkim të shenjave inflamatore
- Radiografia e kokës
- Skaneri (CT)
- Testet e alergjisë
- Biopsia

- Polipet e vogla të hundës mund të trajtohen nëpërmjet një sprai nga hunda, me përmbajtje kortizoni (kundër inflamacionit).
- Polipet e mëdha, që shoqërohen nga simptoma, duhet të hiqen me rrugë kirurgjikale.
- Pas ndërhyrjes kirurgjikale, mund të jetë i dobishëm përdorimi i sprait me kortizon.
Trajtime shtesë
- Inflamacioni i sinuseve të hundës (sinuziti): antibiotikë, medikamente që hollojnë sekrecionet dhe lirues të hundëve.
- Trajtimi i alergjive bazë.
Heqja e polipeve është përgjithësisht e suksesshme. Tek disa pacientë, mund të shfaqen polipe të reja pas ndërhyrjes së parë. Sëmundjet kryesore, të tilla si alergjitë dhe inflamacionet e sinuseve të hundës, duhet të ndiqen në mënyrë korrekte nga specialisti, në mënyrë që të evitohet formimi i polipeve të reja.
Gjithashtu, duhet të evitohet përdorimi i medikamenteve që qetësojnë dhimbjet (si aspirina), kur ata nuk tolerohen mirë nga pacienti.