Sindromi Conn (Hiperaldosteronizmi, Mbiprodhimi i aldosteronit)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Sindromi Conn është një sëmundje e gjëndrave mbiveshkore, e cila shkakton mbiprodhim të hormonit aldosteron. Aldosteroni është një hormon i prodhuar nga shtresa e jashtme (korja) e gjëndrave mbiveshkore, që ka për funksion mbajtjen e kripës dhe të ujit në trup, për pasojë edhe të presionit të gjakut. Ai vepron në veshka duke shtuar daljen e kaliumit në urinë dhe duke ulur në këtë mënyrë nivelin e tij në gjak.
Në të njëjtën kohë, mban më shumë natrium dhe ujë në organizëm, duke rritur kështu sasinë e lëngjeve qarkulluese, dhe për pasojë edhe presionin e gjakut. Natriumi dhe kaliumi konsiderohen “kripërat e gjakut”, prandaj aldosteroni njihet edhe si “hormoni i kripës”. Sasia e aldosteronit rregullohet nga një hormon i veshkave, që quhet reninë.
Nëse presioni i gjakut është shumë i ulët, veshka do të prodhojë më shumë reninë për të rritur prodhimin e aldosteronit. Me anë të veprimit të aldosteronit, presioni i gjakut do të normalizohet përsëri. Në rast të prodhimit të tepërt të aldosteronit, presioni arterial rritet dhe kaliumi në gjak ulet.
Prodhimi i tepërt i aldosteronit shkaktohet ose nga sëmundjet e gjëndrave mbiveshkore (forma parësore) ose nga shkaqe të jashtme (forma dytësore).
Shkaqet e formës parësore (Sindroma Conn) janë:
- Adenoma e gjëndrave mbiveshkore: një tumor i mirë (beninj) i gjendrës mbiveshkore, që prodhon aldosteron.
- Vëllimi i rritur i gjëndrave mbiveshkore (hiperplazia), pa ndonjë arsye të dukshme, që prek shtresën e jashtme (koren) të mbiveshkoreve, ku prodhohet aldosteroni.
- Shumë e rrallë: Neoplazia malinje (kanceri) e gjëndrave mbiveshkore.
Shkaqet e formave dytësore:
- Rritja e prodhimit të reninës në veshka, që shkakton prodhim të tepruar të aldosteronit.
- Humbja e natriumit nga veshkat, djersitja, të vjellat etj, gjithashtu çojnë në një tejkalim të prodhimit të aldosteronit për të kompesuar këtë humbje.

Çrregullimet krysore që lidhen me mbiprodhimin e aldosteronit (sindromi Conn) janë:
- Hipertensioni arterial
- Shenjat që lidhen me mungesën e kaliumit, si dobësimi i muskujve, dhimbjet e muskujve, probleme të ndjeshmërisë së lëkurës (ndjesi shpimi), dhimbje koke, kapsllëk, urinim i shpeshtë dhe etje më e madhe.

Shfaqja e hipertensionit arterial dhe mungesa e kaliumit janë treguesit kryesorë që bëjnë mjekun të dyshojë për një mbiprodhim të mundshëm të aldosteronit (sindroma Conn). Ekzaminimet e mëtejshme nevojiten për të konfirmuar dyshimet.
Këto janë kryesisht testet hormonale dhe funksionale të gjëndrave mbiveshkore:
- Dozimi në gjak i hormoneve reninë dhe aldosteron.
- Dozimi i aldosteronit në urinën e grumbulluar gjatë 24 orëve.
- Dozimi i hormoneve veçmas në venën e secilës prej dy gjëndrave mbiveshkore, që bën të mundur përcaktimin e saktë të shkakut, nëse është prekur vetëm njëra apo të dyja gjëndrat mbiveshkore.
- Ekzaminimet imazherike, nëse mjeku dyshon për një tumor të mundshëm: skaneri (CT), rezonaca magnetike (MRI) e gjëndrave mbiveshkore.

Trajtimi i Sindromit Conn varet nga shkaku i mbiprodhimit të aldosteronit, dhe nga fakti nëse është prekur vetëm njëra, apo të dyja gjëndrat mbiveshkore. Pas kryerjes së ekzaminimeve specifike, diskutohet mënyra e trajtimit: me ndërhyrje kirurgjikale ose me medikamente.
Ndërhyrja kirurgjikale
Nëse arrihet në përfundimin se problemi është vetëm në njërën gjëndër mbiveshkore (adenomë), atëhere ajo do të hiqet me kirurgji endoskopike. Në shumicën e rasteve presioni i gjakut dhe kaliumi normalizohen pas ndërhyrjes. Gjëndra tjetër mbiveshkore që mbetet e shëndetshme është në gjëndje të prodhojë një sasi të mjaftushme të hormoneve për trupin.
Terapia me medikamente
Prekja e të dy gjëndrave mbiveshkore nuk mund të shërohet me kirurgji. Për këtë arsye, në raste të tilla merret në konsideratë trajtimi medikamentoz, që konsiston në përdorimin e medikamenteve që pengojnë prodhimin e tepruar të aldosteronit. Shumë shpesh janë të nevojshme edhe medikamente antihipertensive, për të stabilizuar presionin e lartë të gjakut.