Shintigrafia e zemrës (Shintigrafia e miokardit)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)
Çfarë është shintigrafia e zemrës?
Shintigrafia e zemrës është një ekzaminim imazherik i zemrës, që shërben për të vlerësuar shkallën e furnizimit me gjak të muskulit të zemrës (miokardit) nga arteriet koronare. Për realizimin e saj, në një venë të krahut injektohet një substancë lehtësisht radioaktive, që shkon dhe grumbullohet në muskulin e zemrës. Më pas, me ndihmën e një aparati të veçantë mundësohet përftimi i imazheve të zemrës. Ndryshe nga angiografia e arterieve koronare, në të cilën bëhen të dukshme enët e gjakut të zemrës (enët koronare), shintigrafia e zemrës siguron një përcaktim të saktë të shkallës së furnizimit me gjak të muskulit të zemrës.
Shintigrafia e zemrës është një ekzaminim i Mjekësisë bërthamore (nukleare).
A kërkon ky ekzaminim ndonjë përgatitje të veçantë?
Një ditë përpara ekzaminimit, është e nevojshme të ndalohet konsumimi i kafeinës (kafe, çaji i zi, çokollata, koka-kola, pije energjike). Medikamentet e zemrës dhe të tensionit të lartë mund të duhet të ndërpriten. Mjeku jep udhëzimet përkatëse gjatë ekzaminimit paraprak. Shintigrafia e zemrës kërkon që pacienti të jetë esëll, pra pa ngrënë dhe pa pirë prej të paktën 4 orësh përpara kryerjes së saj.
Çfarë duhet të sqarohet para këtij ekzaminimi?
Para së gjithash, duhet të përjashtohet një shtatzëni. Përveç kësaj, asnjë sqarim i veçantë nuk është i nevojshëm.
Si kryhet shintigrafia e zemrës?
Shintigrafia e zemrës mund të kryhet në gjendjen e qetësisë dhe atë të sforcimit fizik (biçikleta e palëvizshme si për EKG ushtrimore). Në përgjithësi, kryhet e para shintigrafia gjatë sforcimit fizik, dhe të nesërmen shintigrafia në gjendjen e qetësisë.
Gjatë testit të sforcimit, ndërkohë që pacienti i jep biçikletës, në një venë të krahut injektohet një sasi e vogël e substancës lehtësisht radioaktive. Kjo substancë grumbullohet shpejt në muskulin e zemrës dhe mundëson një imazh të furnizimit të miokardit me gjak gjatë sforcimit fizik. Imazhet e zemrës mundësohen nga një kamera speciale dhe shfaqen në kompjuter në tre dimensione. Nëse pacienti nuk është në gjendje t’i japë biçikletës, psh. për shkak të një artroze të gjurit, sforcimi i zemrës mund të provokohet nëpërmjet medikamenteve. Gjatë sforcimit, sistemi kardio-vaskular (zemra dhe enët e gjakut) mbahen nën vëzhgim të vazhdueshëm nëpërmjet Elektrokardiogramës (EKG), me kontroll të pulsit dhe presionit të gjakut.
Për ekzaminimin në qetësi, që kryhet të nesërmen, ndiqet e njëjta proçedurë, tashmë në gjendjen e qetësisë. Kjo nënkupton mungesën e aktivitetit fizik ose të medikamenteve, në mënyrë që të vlerësohet saktësisht shkalla e furnizimit me gjak të miokardit në gjendjen e qetësisë.
Kur përdoret shintigrafia e zemrës?
Shintigrafia e zemrës shërben për të vlerësuar shkallën e furnizimit me gjak të miokardit (muskulit të zemrës) dhe funksionin e tij.
Arsyet e shpeshta për kryerjen e shintigrafisë së zemrës janë:
- Sëmundja e arterieve koronare
- Infarkti i miokardit
- Kontrolli i vazhdueshëm pas kryerjes së baipasit ose pas zgjerimit të enëve koronare me kateter kardiak.
A paraqet shinitgrafia e zemrës rreziqe ose efekte të padëshiruara?
Në parim, është i mundshëm një reaksion alergjik ndaj substancës radioaktive të injektuar në krah, por gjithsesi kjo ndodh shumë rrallë. Fluoroskopia shoqërohet me një ekspozim të caktuar ndaj rrezatimit. Shintigrafia e zemrës nuk kryhet gjatë periudhës së shtatzënisë. Sipas këshillave të specialistit të Mjekësisë bërthamore, gratë që ushqejnë fëmijën me gji duhet ta ndërpresin ushqyerjen me gji për një periudhë të shkurtër kohore pas kryerjes së këtij ekzaminimi.
Në raste të rralla, testi i sforcimit mund të shpërthejë çrregullime të qarkullimit të gjakut në zemër, shoqëruese të një sëmundjeje bazë, veçanërisht të anginës pectoris. Shfaqja e një infarkti të miokardit ose çrregullime fatale të ritmit të zemrës (fibrilacioni ventrikular), që kërkojnë trajtim urgjent, janë jashtëzakonisht të rralla. Gjatë testit të sforcimit të provokuar nga medikamentet, mund të shfaqen simptoma të lehta si dhimbja e kokës, marrje mendsh dhe të përziera, si reaksion nga medikamentet.