logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
Skolioza: devijim anësor i shtyllës kurrizore.
Skolioza: devijim anësor i shtyllës kurrizore.

Nga ana e prapme, një shpinë e shëndetshme është e drejtë, që do të thotë që vertebrat vendosen njëra pas tjetrës. Në rastin e skoliozës, ndodh një devijim anësor i shtyllës kurrizore, përgjithësisht në nivelin e rruazave të kraharorit (torakale) ose të belit (lumbare). Në zonën e skoliozës, shpina është e dalë dhe nuk mund të drejtohet. Përveç kësaj, rruazat rrotullohen në lidhje me njëra-tjetrën, fenomen që quhet torsion vertebral. 

Kujdes: mos e ngatërroni skoliozën me shpinën e harkuar. Në rastin e skoliozës, shpina është deformuar në të djathtë ose në të majtë, pra anash, ndërsa shpina e harkuar ka një devijim jonormal nga përpara ose prapa. Sidoqoftë, skolioza dhe shpina e harkuar mund të ekzistojnë shumë shpesh së bashku.

Skolioza ndodh tek fëmijët në rritje, dukshëm më e shpeshtë tek vajzat sesa tek djemtë. Përveç qëndrimit të keq të shpinës, shkaqet e skoliozës janë përgjithësisht të panjohura. Në raste të rralla, transmetimi i trashëgueshëm është i mundshëm.

Trajtimi përfshin gjimnastikën korrigjuese dhe, në varësi të shkallës së skoliozës, mbajtjen e një korseje ortopedike ose ndërhyrjen kirurgjikale për të korrigjuar dhe stabilizuar shtyllën kurrizore.


Në shumicën e rasteve, shkaku i skoliozës mbetet i papërcaktuar. Vetëm një përqindje e vogël e rasteve është e trashëgueshme ose ndodh pas paralizës në rast sëmundjesh muskulore ose neurologjike. Në mënyrë të ngjashme, disa deformime të shtyllës kurrizore, të trashëguara ose të shkaktuara nga çrregullime të rritjes, çrregullime të metabolizmit të kockave (osteomalacia, rakiti), inflamacione ose lëndime, mund të çojnë gjithashtu në skoliozë.

Simptomat varen kryesisht nga shkalla e skoliozës. Çrregullimet fizike, të tilla si dhimbja e shpinës, shpesh shfaqen vetëm më vonë, në moshën e rritur.

Çrregullime të mundshme në rastin e skoliozës:

  • Shenjat e jashtme të dukshme të skoliozës: deformimi i legenit, pozicioni i pjerrët i shpinës, lartësia e pabarabartë e shpatullave, dalja e brinjëve përpara kafazit të kraharorit.
  • Lëvizje e kufizuar për shkak të ngurtësisë së shtyllës kurrizore.
  • Dhimbja: qëndrimi i sforcuar ose pozicionimi jokorrekt i shtyllës kurrizore mund të rezultojnë në tensionimin e muskujve, dhimbjen e shpinës, qafës dhe shpatullave, dhimbjen e kokës, por edhe dhimbjen në gjunjë ose kyçin e këmbës. Ka edhe skolioza pa dhimbje të rëndësishme.
  • Mund të ndodhë që një skoliozë e theksuar të shtypi mushkëritë ose zemrën nga njëra anë, duke penguar kështu mekanikisht funksionimin e tyre. Madje, është e mundur që të zhvillohet edhe dështimi i punës së zemrës (insufiçienca kardiake).


Në mënyrë tipike, prindërit i vërejnë të parët devijimet e shtyllës kurrizore ose anomalitë e qëndrimit të fëmijës, të tilla si pjerrësia e legenit ose pabarazia në lartësinë e shpatullave. Nëse konstatohen anomali të tilla, këshillohet që fëmija të konsultohet menjëherë me mjekun ortoped. Mjeku tashmë mund ta diagnostikojë skoliozën sipas shenjave të jashtme të përmendura më lart. Deformimi anësor i shtyllës kurrizore është veçanërisht i dukshëm kur pacienti përkulet përpara. Një radiografi e shtyllës kurrizore mund të përcaktojë formën e saktë të skoliozës dhe matjen e shkallës së harkimit anësor.

Sa më parë të trajtohet skolioza, aq më i madh është shansi i drejtimit të shpinës dhe parandalimi i përparimit të deformimit. Trajtimi varet nga shkalla e skoliozës dhe mosha e pacientit. Janë të mundshme: gjimnastika korrigjuese, mbajtja e korsesë korrigjuese ose ndërhyrja kirurgjikale.

Në rastet e lehta, forcimi i muskujve të pasëm me gjimnastikë korrigjuese shpesh është i mjaftueshëm. Në të rinjtë me skoliozë të theksuar, përdorimi i përditshëm i një korseje korrigjuese për të drejtuar dhe mbajtur shpinën të stabilizuar, është gjithashtu e nevojshme. Kjo gjithashtu parandalon përparimin e deformimit gjatë rritjes. Në raste të rënda mund të nevojitet operacioni. Qëllimi i tij është të ndalojë përparimin e deformimit të shpinës dhe ta korrigjojë atë sa më shumë që të jetë e mundur. Për këtë qëllim, shtylla kurrizore, në nivelin e harkimit, mbahet në një pozicion të korrigjuar me anën e pllakave metalike.


Shkaqet e shfaqjes së skoliozës në të shumtën e rasteve janë të panjohura, për pasojë edhe parandalimi i saj është i kufizuar. Aktiviteti fizik i rregullt dhe forcimi i muskujve të shpinës në përgjithësi ndihmon për të mbajtur shpinën dhe shtyllën kurrizore të shëndetshme. Është i mundur kompensimi i gjatësisë së këmbëve të pabarabarta me anë të shtresave ortopedike, me qëllim që të shmanget sforcimi i shtyllës kurrizore. Fëmijët që janë në periudhën e rritjes duhet të shmangin mbajtjen e çantave të rënda të shkollës në njërin krah. 

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.