Konjuktiviti (Inflamacioni i konjuktivës)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Konjuktiviti përfaqëson sëmundjen më të shpeshtë të syve. Gjatë zhvillimit të tij, konjuktiva inflamohet në përgjigje ndaj një ngacmuesi të jashtëm ose një sëmundjeje tjetër të syrit. Shenja më karakteristike e një konjuktiviti është skuqja e syrit (“syri i kuq”).
Në rastin e një konjuktiviti që zgjat apo përsëritet shpesh, rekomandohet konsulta me mjekun okulist. Vetëm ai është në gjendje të bëjë dallimin ndërmjet një inflamacioni beninj, të parrezikshëm, që kufizohet vetëm në konjuktivë, nga një sëmundje serioze e syve.
Dallohen dy forma të ndryshme të konjuktivitit: forma ngjitëse dhe ajo jongjitëse. Shkaqet e tyre janë të ndryshme, përkatësisht:
Forma jongjitëse
- Inflamacioni i syrit me origjinë alergjike, si psh. alergjia nga polenet, pluhuri, produktet kozmetike (kremrat, bojrat dhe llaku i flokëve, xheli i thonjve,etj.)
- Irritimet e konjuktivës prej dritës së fortë të shndritshme (nga dielli, dëbora, saldimi), pluhuri, trupat e huaj dhe lëndët kimike.
- Sëmundje të tjera shoqëruese si psoriaza, glaukoma akute (rritja e tensionit brenda syrit), inflamacionet e kornesë (pjesa e përparme e syrit që mbulon irisin, pupilën dhe dhomën e përparme të tij), të irisit (pjesa me ngjyrë e syrit, që rrethon pupilën-beben) ose të sklerotizimit.
- Dëmtimet e kornesë, si në rastin e një trupi të huaj.
- Tek foshnjat (mbi 1 vjeç), vonesa në zhvillimin e kanalit të lotëve
- Përdorimi në mënyrë të papërshtatshme i pikave ose kremrave të ndryshme në sy.
- Anomali të lindura të aftësisë për të parë.
Forma ngjitëse
- Infeksionet nga viruset (herpesi, gripi, varicela)
- Infeksioniet nga bakteriet si stafilokoku, streptokoku (përgjithësisht tek fëmijët), klamidia dhe rrallë gonokoku dhe pneumokokët.
- Kërpudhat

Simptoma kryesore e konjuktivitit është: syri i kuq
Simptoma të tjera:
- Djegie e syrit (syve)
- Ndjesia e pranisë së një trupi të huaj brenda në sy
- Lotim
- Ngjitje e qepallave
- Temperaturë
- Zmadhim i gjendrave limfatike
- Dobësi e përgjithshme
- Errësim i kornesë (rrallë)
- Rrjedhje sekrecionesh të qelbëzuara (me natyrë bakteriale)
- Çrregullime të aftësisë së të parit, që përbëjnë një urgjencë mjeksore
Në rastin e konjuktivitit alergjik, shenja kryesore është:
Kruajrje të forta dhe enjtje të konjuktivës
Në rastin e ekspozimit në diell:- Dhimbje koke
- Dhimbje sysh
- Ndjeshmëri e lartë ndaj dritës
- Sy që lotojnë

Për të vendosur diagnozën e konjuktivitit, janë të nevojshme:
- Informimi i mjekut specialist okulist (oftalmolog) në lidhje me simptomat e pacientit dhe historinë e fillimit të tyre
- Ekzaminimi i pamjes të jashtme të syrit
- Marrje e materialit nga konjuktiva për përcaktimin e mikrobit shkaktar të infeksionit.

- Për infeksionet nga bakteriet përdoren antibiotikë në formën e pikave ose pomadave në sy.
- Për infeksionet nga viruset përdoren medikamente që lehtësojnë simptomat, si psh. hedhja në sy e pikave me bazë kortizoni.
- Për inflamacionet me natyrë alergjike përdoren pika në sy me efekt antialergjik dhe në të njëjtën kohë trajtohet alergjia bazë (kryhet proçesi i desensibilizimit-uljes së ndjeshmërisë ndaj faktorit shkaktar të alergjisë, nëpërmjet vaksinimit)
- Trajtimi i përgjithshëm me medikamente kundër dhimbjes, medikamente kundër temperaturës, fashimi i syrit ose mbrojtja e tij me anën e syzeve të diellit.
- Në rastin e infeksionit nga klamidia (sëmundje që transmetohet nëpërmjet marrëdhënieve seksuale të pambrojtura), duhet të trajtohet në të njëjtën kohë edhe partneri seksual.
Çfarë mund të bëjmë vetë?
Kujdes: Konjuktiviti nuk duhet të trajtohet asnjëherë vetë, me pika ose pomada në sy të parekomanduara nga mjeku specialist okulist. Gjithashtu:- Prekini sytë vetëm me duar të pastra dhe mos i fërkoni asnjëherë!
- Shpëlajini sytë vetëm me ujë të pastër!
- Vendosni kompresave të ftohta!
- Përdorni vetëm shami prej letre, me një përdorim!
- Mbani syze mbrojtëse (ndaj diellit, saldimit,etj.) sa herë ju duhet të kryeni aktivitetete të ndryshme në dritë të fortë!
- Lani duart menjëherë pas kontaktit me një person që ka shfaqur konjuktivit!
- Pikat ose pomadat specifike në sy, përdorini gjithmonë sipas rekomandimit të mjekut. Kujdes: mos i përdorni kurrë ato nëse ka përfunduar afati i tyre i përdorimit!
- Një konjuktivit viral akut i trajtuar në mënyrë korrekte shërohet përgjithësisht pas 2-3 javësh.
- Konjuktivitet me origjinë bakteriale që nuk trajtohen fare, ose trajtohen në mënyrë të papërshtatshme, mund të shkaktojnë dëmtime të kornesë (ulçera), që mund të rrezikojnë verbimin e pacientit. Në rast se trajtohen siç duhet, ato përgjithësisht shërohen brenda disa ditëve.
- Konjuktiviti i shkaktuar nga disa viruse të caktuara (si psh. herpesi) ka tendencë të rishfaqet më vonë.
- Në disa raste mund të konstatohen forma të përziera me origjinë virale dhe bakteriale.