Ametropia (Çrregullimet e aftësisë për të parë, Çrregullimet e shikimit)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)
Emetropia përkufizon aftësinë normale të shikimit. Flitet për ametropi në rastin e shfaqjes së çrregullimeve të përthyerjes së dritës, pra devijimit të rrezeve të dritës që kalojnë nga një material transparent në një tjetër. Ajo karakterizohet nga mungesa e qartësisë së imazhit mbi retinë për objektet që gjenden afër ose larg.
Ametropia nuk është një sëmundje, por më tepër një devijim në raport me formën ideale të syrit, ose një mospërputhje ndërmjet fuqisë së përthyerjes së dritës dhe formës së syrit.
Kornea përfaqëson pjesën më të përparme të syrit, që së bashku me kristalinin realizon përthyerjen e rrezeve të dritës. Ajo është përgjegjëse për 2/3 e fuqisë optike (të shikimit) të syrit. Në rastet e çrregullimeve të kornesë ose kristalinit (thjerrëzës-lentes natyrale të syrit), shfaqet ametropia, në formën e astigmatizmit ose presbiopisë.
Kristalini ka një funksion përshtatjeje, që lejon të kalojë shikimin për larg në shikimin për afër dhe anasjelltas. Në rastin e emetropisë, rrezet e dritës formojnë një imazh të saktë mbi retinë. Në rastin e miopisë dhe hipermetropisë, fokusimi i imazhit mbi retinë nuk bëhet në mënyrë korrekte.
Format më të shpeshta te ametropisë janë:
- Hipermetropia
Në rastin e hipermetropisë, kokërdhoku i syrit është shumë i shkurtër. Fuqia përthyese e syrit nuk është e mjaftueshme për të fokusuar rrezet e dritë s që gjenden afër, për pasojë objektet e afërta duken të paqarta (turbull). Përkundrazi, drita që kap syri nga larg fokusohet normalisht, për pasojë objektet e largëta duken qartë.
- Miopia
Në rastin e miopisë, kokërdhoku është tepër i gjatë. Rrezet e dritës së një objekti të largët fokusohen përpara retinës, dhe imazhet nuk dallohen në mënyrë të qartë. Vetëm drita që kap syri nga një distancë e shkurtër përthyhet në mënyrë korrekte, duke bërë që objektet e afërta të dallohen qartë.
- Astigmatizmi
Astigmatizmi përfaqëson një ndryshim të kornesë, që është ose më tepër ose më pak e lakuar se ç’duhet. Në fakt, kjo situatë përfaqëson Astigmatizmin e rregullt. Në rastet e çrregullimeve të sipërfaqes së kornesë, të shkaktuara nga formimi i cikatriceve pas dëmtimeve të saj, bëhet fjalë për astigmatizmin e çrregullt. Astigmatizmi karakterizohet nga një deformim i imazheve. Kështu, një objekt i rrumbullakët do të duket i zgjatur.
- Presbiopia
Me kalimin e moshës, rënia graduale e elasticitetit të kristalinit çon në presbiopi. Si pasojë e depozitimeve të elementeve të ndryshme, kristalini e humbet elasticitetin e tij dhe personi bëhet në këtë mënyrë hipermetrop, pra ka vështirësi për të lexuar afër. Presbiopia nuk është një sëmundje, por një manifestim normal i moshës. Ajo prek më tepër personat hipermetropë sesa ata miopë, tek të cilët ajo nuk shfaqet pothuajse kurrë.
- Ambliopia (dembelizmi i syrit) tek fëmijët
Ambliopia shfaqet tek rreth 5% e fëmijëve me moshë nën 3 vjeç, pikërisht atëherë kur njëri sy merr dominancën mbi tjetrin, veçanërisht gjatë rrëshqitjes së syrit (strabizmi unilateral-në njërën anë). Truri i fëmijës nuk mund ta kompensojë këtë gjendje, dhe nëse nuk trajtohet, fëmija rrezikon të zhvillojë ambliopi. Aftësia për të parë e syrit të prekur nga strabizmi nuk është normale.
Fëmijët e prekur nga një lloj strabizmi, që quhet i alternuar (bilateral), ku ata mund të shohin në mënyrë alternative me syrin e djathtë dhe të majtë, nuk zhvillojnë ambliopi. Në këto raste, truri arrin ta kompensojë vetë situatën dhe pengon shfaqjen e diplopisë (pamjen dyfishe të figurave).
Veç strabizmit në njërën anë, egzistojnë edhe forma të tjera të ambliopisë:
- Shikim vetëm me njërin sy nga larg ose më i mirë me njërin sy
- Shikim nga afër më i mirë me njërin sy
- Mjegullimi i kornesë, si psh. pas inflamacioneve ose infeksioneve.
- Turbullimi i kristalinit (katarakti)
Simptomat nga të cilat karaterizohen format e ndryshme të ametropisë janë si më poshtë:
Hipermetropia
- Shikimi i keq nga afër
- Dhimbje të kokës dhe dhimbje të syve
- Ndjesia e djegies në sy, inflamacionet
- Lodhje e shpejtë e syve
Miopia
Astigmatizmi
- Objektet e rrumbullakta duken të zgjatura
- Dhimbje të kokës dhe dhimbje të syve
Presbiopia
- Shikim i keq nga afër
Diagnoza e ametropisë përcaktohet nga mjeku specialist okulist, duke u bazuar në:
- Njohjen e tij me simptomat e pacientit, historinë e fillimit të tyre, nëse ato janë të përhershme apo të lidhura me ndonjë faktor të veçantë.
- Matjen e aftësisë së shikimit dhe të thellësisë së fushës së pamjes.
- Oftalmoskopisë, që përfaqëson egzaminimin e fundit të syrit.
- Ekografisë së syrit, që mundëson egzaminimin e trashësisë së kristalinit ose të gjatësisë së kokërdhokut, evidentimin e ndonjë tumori të pranishëm, të ndonjë trupi të huaj ose të shkolitjes së retinës. Ky është një egzaminim i detyrueshëm dhe i domosdoshëm përpara çdo operacioni në sy.
- Matja e presionit të brendshëm të syrit.
Pjesa më e madhe e ametropive mund të korrigjohen nëpërmjet përdorimit të syzeve, lenteve të kontaktit ose të ndërhyrjeve me lazer. Kjo e fundit po gjen përdorim gjithnjë e më të shpeshtë në këtë kontigjent pacientësh.
Korrigjimi i hipermetropisë realizohet nëpërmjet:
- Përdorimit të syzeve ose vendosjes së lenteve të kontaktit. Sytë e hipermetropit duken më të mëdhenj kur personi mban syze.
- Ndërhyrjes me lazer, që konsiston në përshtatjen e fuqisë përthyese të kornesë, sipas rastit.
Personat hipermetropë janë më të rrezikuar për zhvillimin e glaukomës (rritjes së presionit në brendësi të syrit).
Korrigjimi i miopisë realizohet nëpërmjet:
- Përdorimit të syzeve
- Vendosjes së lenteve të kontaktit
- Kryerjes së ushtrimeve të posaçme për sytë, të cilat nuk përfaqësojnë një trajtim shkencor dhe kanë vetëm një efikasitet të kufizuar dhe të përkohshëm.
- Ndërhyrjes kirurgjikale, e cila në fakt nuk është e mundur për çdo pacient. Për të vlerësuar rastin lidhur me mundësinë e realizimit të saj, nevojitet konsulta me mjekun specialist okulist.
- Ndërhyrjes me lazer, që konsiston në përshtatjen e fuqisë përthyese të kornesë. Nëse sipërfaqja e kornesë është e rrafshët, fuqia përthyese e saj zvogëlohet, që mundëson korrigjimin e miopisë.
Në rastin e astigmatizmit:
- Deformimi konik ose harkimet e çrregullta të kornesë nuk korrigjohen në mënyrë të kënaqshme nëpërmjet përdorimit të syzave.
- Mbajtja e syzeve cilindrike, me xhama shumë të fortë, shkaktojnë shpesh dhimbje të kokës. Në këtë rast, duhet të fillohet me xhama më pak të fortë dhe të rritet progresivisht fuqia e tyre.
- Një astigmatizëm i çrregullt mund të korrigjohet nëpërmjet vendosjes së lenteve të kontaktit të forta ose nëpërmjet transplantit të kornesë (zëvendësimit kirurgjikal të saj).
- Aplikimi i lazerit me dritë të ftohtë në këtë rast lejon ndryshimin e kornesë, pa shkaktuar ndryshime në indet fqinje. Kjo për faktin se se lazeri depërton dobët në korne. Gjithsesi, pacienti me astigmatizëm nuk duhet t’i nënshtrohet kësaj proçedure, pa u konsultuar më parë me mjekun specialist okulist, pasi ajo nuk mund të aplikohet tek çdo pacient.
Në rastin e presbiopisë:
- Përdorimi i syzeve përfaqëson të vetmen mënyrë efikase për korrigjimin e saj.
Ambliopia tek fëmijët:
Ambliopia konsiderohet e shëruar kur është korrigjuar më parë ametropia bazë.
Ambliopia duhet të trajtohet që kur ajo shkaktohet. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet që shumë persona nuk e dallojnë që ata përdorin vetëm njërin sy. Ambliopia përparon tepër ngadalë, dhe dallohet nga dhimbja. Për fat të keq, shumë të rritur me ambliopi nuk trajtohen. Gjimnastika e syve jep rezultate shumë të mira lidhur me koordinimin ndërmjet të dy syve dhe përgjithësisht mundet ta korrigjojë ambliopinë. Kjo çon në funksionim normal të syve.
Për të trajtuar syrin e dëmtuar tek fëmijët, syri joambliop (jo dembel, që shikon mirë) duhet të mbulohet. Studiuesit tregojnë rezultate mjaft të mira të akupunkturës në këtë drejtim. Gjithsesi, këto rezultate duhet të konfirmohen, përpara se ato të rekomandohen si mënyrë trajtimi për ambliopinë tek fëmijët.