logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
ADHD: një nevojë e tepruar për të lëvizur, mungesë përqendrimi, mungesë e kontrollit të impulseve.
ADHD: një nevojë e tepruar për të lëvizur, mungesë përqendrimi, mungesë e kontrollit të impulseve.
Simptomat e sindromës së hiperaktivitetit me ulje të vëmendjes (SHAD) janë përshkruar për herë të parë në vitin 1845, nga një mjek neurolog në Frankfurt të Gjermanisë. Kjo sindromë përfaqëson një nga çrregullimet psikiatrike më të shpeshta tek fëmijët dhe adoleshentët, që prek 6 herë më tepër meshkujt krahasuar me femrat.
 
Sipas ekspertëve, SHAD nuk është sëmundje "e kohëve moderne", apo rezultat i edukimit jo të mirë të fëmijëve nga prindërit, por është pasojë e çrregullimeve të funksionit të trurit. Simptomat karakteristike të saj janë: hiperaktiviteti motor (i lidhur me lëvizjet dhe koordinimin e tyre), i shoqëruar me sjellje impulsive dhe çrregullime të vëmendjes.
 
Kjo sindromë diagnostikohet shpesh gjatë periudhës së kopshtit ose kur fëmija shkon në shkollë. Ndonjëherë diagnoza e saj përcaktohet me vonesë ose nuk zbulohet fare.
 
Fëmija me SHAD konsiderohet si një fëmijë tepër i vështirë, sepse ai qan shumë. Karakteri i tij problematik mund të vëzhgohet për shumë vite, madje edhe në moshën e rritur.
 
Në këto raste, duhet të bëhet egzaminimi i fëmijës sa më herët nga një staf mjekësor i specializuar, me qëllim që t’i mundësojnë atij dhe prindërve të tij të vazhdojnë normalisht jetën.

Sindroma e hiperaktivitetit me ulje të vëmendjes (SHAD) tek fëmijët nuk mund të konsiderohet pasojë e një shkaktari të vetëm, por e një sërë faktorëve, që bashkëveprojnë me njëri-tjetrin. Në këtë drejtim, duket se luajnë rol si faktorët neurobiologjikë, ashtu edhe ata funksionalë dhe metabolikë të organizmit.

Megjithatë, edhe pse kjo sindromë nuk është e lidhur vetëm me faktorët psiko-socialë, përvojat negative të hershme, si fëmijëria e vështirë, traumat e ndryshme, etj. mund të ndikojnë në shkallën e rëndesës së sëmundjes dhe në ecurinë e saj.

Shkaqet fizike
  • Vlerësohet se shkaku kryesor i sindromës mbetet trajtimi i ndryshëm i informacionit në pjesë të ndryshme të trurit, që janë përgjegjëse për perceptimin dhe kontrollin e impulseve që vijnë nga trupi. Kjo çon në transmetimin jokorrekt të sinjaleve elektrike në qelizat nervore. Pra, ndodh një çrregullim i funksionit të trurit, që mund të shpjegohet nga prishja e ekuilibrit ndërmjet lëndëve neurotransmetuese (që mundësojnë transmetimin e sinjalit në qelizat nervore) në disa zona të tij.
  • Disa situata të tjera mjekësore, si skizofrenia, epilepsia, disa forma të autizmit ose hipertireoza (funksioni i shtuar i gjendrës tiroide), mund të shoqërohen me simptoma që ngjajnë me SHAD të fëmijës.
Faktorët e rrezikut
  • Trashëgimia: anëtarët e familjes së një fëmije me SHAD paraqesin një rrezik 10-15% për të zhvilluar këtë sindromë. Mundësia e zhvillimit të saj arrin 80% tek binjakët e një veze dhe 30% tek ata të dy vezëve, kur është i prekur binjaku tjetër.
  • Koefiçienti intelektual tepër i lartë ose tepër i ulët.
  • Sëmundje të tjera shoqëruese ose medikamentet që përdoren për trajtimin e tyre.

Faktorët psiko-socialë që mund të rëndojnë sëmundjen:

  • Marrëdhëniet e vështira në familje, si mosmarrëveshjet ndërmjet prindërve, ndarjet, vdekjet, etj.
  • Prania e sëmundjeve psikiatrike në familje.
  • Edukimi i keq, i bazuar në mosmarrëveshjet me prindërit, mungesën e strukturës në familje, kritikat e shpeshta, format e papërshtatshme të ndëshkimit, etj.

Faktorët e rrezikut gjatë shtatzanisë ose lindjes:

Sindroma e hiperaktivitetit me ulje të vëmendjes (SHAD) paraqitet me tre karakteristika kryesore, që janë:
  • Çrregullimet e vëmendjes: fëmija është lehtësisht i hutuar.
  • Sjelljet impulsive
  • Hiperaktiviteti motor (lëvizje të tepruara)

Sipas klasifikimit ndërkombëtar të çrregullimeve psikiatrike (ICD-10), diagnoza e SHAD mund të përcaktohet nëse janë të pranishme tre simptoma kryesore në të paktën dy fusha.

Çrregullimet e vëmendjes paraqiten në të gjitha fushat e jetës së përditshme:
  • Fëmija është lehtësisht i hutuar
  • Shfaqen çrregullime të përqëndrimit: fëmija bën shumë gabime, nuk ka shumë durim për të kryer detyra që kërkojnë saktësi, si lojra, mësime, etj.
  • Fëmija kalon shpejt nga një aktivitet i pambaruar në një tjetër, që tregon paaftësi të tij për t’u përqëndruar për kohë të gjatë mbi një detyrë të caktuar.
  • Ai është i paaftë të kryejë detyrat e shtëpisë të shkollës, dhe sjellja e tij është e padisiplinuar.
  • Jeta e këtyre fëmijëve është tepër e çrregullt: ata zakonisht harrojnë, lëvizin dhe humbasin.
Sjellja impulsive demonstrohet në:
  • Kryerjen e aktiviteteve të paplanifikuara (spontane)
  • Padurimin e theksuar
  • Fëmija flet shumë, me zë të lartë, duke ndryshuar shpesh temën e bisedës, ndërpret bisedën e personave të tjerë.
  • Integrimin e keq brenda një grupi, pasi ai pretendon që të respektohet në çdo kohë dhe në çdo situatë.
  • Prishjen e marrëdhënieve në familje dhe në shkollë.
  • Fëmijët me SHAD ndihen shumë shpejt të kërcënuar dhe bëhen tepër agresivë.
  • Luhatje të theksuara të humorit, me gjendje axhitimi dhe kriza të zemërimit.
  • Mungesë tolerance ndaj situatave zhgënjyese: fëmija reagon jashtëzakonisht keq pas një kritike.
Hiperaktiviteti motor (lëvizjet e tepruara) demonstrohen në:
  • Gjestet e tepruara me duar dhe me këmbë; fëmija është i paaftë të qëndrojë ulur (ai është gjithmonë në veprim).
  • Fëmija nuk e duron dot qetësinë. Të gjitha veprimet dhe lojrat e tij janë tepër të zhurmshme.
Simptoma të tjera të SHAD

Këto shfaqen në rreth një të katërtën e fëmijëve me SHAD. Sa më shumë shenja kryesore të sëmundjes të jenë të pranishme, aq më të shpeshta janë edhe simptomat shoqëruese, si:

Sindroma e hiperaktivitetit me ulje të vëmendjes (SHAD) duhet të merret në konsideratë tek të gjithë fëmijët hiperaktivë, të pavëmendshëm, tepër impulsivë, që nuk kanë ecuri të mirë në shkollë dhe paraqesin çrregullime të sjelljes.

Për këtë diagnozë nevojitet:
  • Informimi i mjekut në mënyrë të detajuar lidhur me simptomat e pacientit dhe historinë personale dhe familjare të tij për këtë sindromë.
  • Egzaminimi klinik i pacientit, me vlerësimin e koordinimit të lëvizjeve dhe të organeve shqisore.
  • Vlerësimi psikologjik dhe ai i zhvillimit të fëmijës.
  • Vlerësimi i sjelljes së fëmijës, nëpërmjet plotësimit të një pyetësori të detajuar nga ana e prindërve, edukatorëve, mësuesve, miqve, mjekëve të tyre, etj.
  • Regjistrimi i aktivitetit elektrik të zemrës dhe trurit (EKG dhe EEG).
  • Analizat laboratorike, për të përjashtuar sëmundje të tjera shoqëruese.
  • Përjashtimi i sëmundjeve të tjera, si sindroma e Asperger, skizofrenia, epilepsia, sëmundjet e gjendrës tiroide.  
  • Përjashtimi i çrregullimeve të tjera psikiatrike, si depresionet, çrregullimet obsesionale (me ide fikse), etj.

Trajtimi  i sindromës së hiperaktivitetit me ulje të përqëndrimit (SHAD) është i tipit medikamentoz dhe jomedikamentoz.

Trajtimi jomedikamentoz konsiston në:

  • Edukimin e prindërve dhe të familjes, nëpërmjet terapisë familjare.
  • Informimin dhe ndërhyrjen në kopshte dhe shkolla, për zhvendosjen e mundshme të fëmijës në një institut të specializuar.
  • Terapia e sjelljes për fëmijën ose adoleshentin.
  • Trajtimi i çrregullimeve shoqëruese. Nëse është e nevojshme, zbatimi i masave psikoterapeutike dhe atyre edukative.

 

Medikamentet

Fëmijët ose adoleshentët e prekur nga sindroma e hiperaktivitetit me ulje të vëmendjes (SHAD) trajtohen shpesh me metilfenidat, që nuk është medikament qetësues, por një nxitës i sistemit nervor qendror. Ai mundëson riekuilibrimin e nivelit ndërmjet lëndëve neurotransmetuese të trurit. Kështu, nën trajtim, fëmija bëhet më i ekuilibruar dhe e kontrollon më mirë jetën e tij të përditshme, si atë familjare edhe atë shkollore. Ky medikament ka gjithashtu efekt nxitës edhe mbi zonat e trurit që janë përgjegjëse për rendimentin intelektual dhe aftësinë për t’u përqëndruar.
 
Tek disa fëmijë, marrja e tij mund të shoqërohet nga shfaqja e disa efekteve të padëshiruara, si të përziera, përgjumje, marrje mendsh, dhimbje koke ose dhimbje të barkut. Në raste tepër të rralla, mund të shkaktojë vonesë në rritjen e fëmijës.

Informacione të rëndësishme të lidhura me metilfenidatin
  • Ai shitet edhe jashtë farmacive dhe përdoret si drogë. Marrja e përsëritur e tij mund të shkaktojë dëmtime të parikthyeshme në tru.
  • Përdorimi i tij është i ndaluar në sportet e konkurrencës (doping)
  • Nëse përdoret i shoqëruar nga droga të tjera që veprojnë në nivelin e sistemit nervor qendror, metilfenidati mund të shkaktojë helmim të rëndë në organizëm.

    Atomoksetina: nuk është  ende e autorizuar për t’u përdorur, për faktin se ende nuk disponohen rezultate pozitive konkrete nga studime klinike afatgjata në lidhje me efektin e saj.

Aktualisht, nuk egziston ndonjë medikament që të mund të shërojë sindromën e hiperaktivitetit me ulje të vëmendjes (SHAD). Medikamentet që disponohen dhe përdoren për këtë sëmundje mundësojnë vetëm lehtësimin e simptomave, por jo shkakun e saj.

Kohët e fundit, studime të fokusuara mbi këtë sindromë raportojnë se çrregullimet e saj duket se pakësohen pas pubertetit. Në moshën 18 vjeç, vetëm një e katërta e personave hiperkinetikë paraqesin ende, të paktën, një simptomë kryesore të saj.

Në përgjithësi, simptomat e SHAD janë më të lehta në moshën e rritur. Pas një periudhe riedukimi relativisht të gjatë, të rriturit arrijnë shpesh të kontrollojnë më mirë disa aspekte të sëmundjes. Kështu, ata kanë mësuar të evitojnë situatat shpërthyese, si konferencat, koncertet, kinematë ose veprimtari të tjera, gjatë të cilave ata janë të detyruar të qëndrojnë ulur për një kohë të gjatë.

Përveç kësaj, personat e rritur që paraqesin akoma simptomat e SHAD, vuajnë shumë prej çrregullimeve të vëmendjes. Duke qenë se ata janë tepër kaotikë, shpesh nuk tolerohen nga personat përreth tyre, për shkak të karakterit impulsiv, mungesës së tolerancës ndaj kritikave dhe krizave të tyre të zemërimit. Për këtë arsye, ata kanë nevojë për një mbështetje psikologjike ose psikiatrike, që të mund të përballen me realitetin në çdo ditë të jetës së tyre.

Aktualisht, nuk disponohet asnjë medikament shërues për SHAD tek të rriturit. Metilfenidati është i autorizuar vetëm për përdorim tek fëmijët dhe adoleshentët.


 

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.