logo
Përgatitur dhe përshtatur nga sprechzimmer.ch.
Kontribuesit (Dr. med. Fritz GrossenbacherDoris ZumbühlDr. Yllka Themeli)
 Testi i intolerancës së laktozës
Testi i intolerancës së laktozës

Çfarë është testi i tolerancës ndaj laktozës?

Testi i tolerancës ndaj laktozës shërben për të evidentuar një intolerancë ndaj laktozës (sheqeri i qumështit). Nëpërmjet tij verifikohet nëse zorra mund ta thithë laktozën e ushqimit, e cila zbërthehet në zorrën e hollë prej enzimës laktazë. Kjo kontrollohet gjatë testit për matjen e sheqerit në gjak, pas marrjes së një solucioni me laktozë.

Testi frymëshkëmbyes me hidrogjen (testi respirator me H2) përdoret më shpesh për evidentimin e intolerancës ndaj laktozës, sepse është më i saktë dhe nuk ka nevojë për përsëritje të matjes së sheqerit në gjak në mollëzën e gishtit. Shpesh, këto dy teste realizohen së bashku.

Testi i tolerancës ndaj laktozës është një ekzaminim i fushës së Gastro-Hepatologjisë, që është degë e Mjekësisë së brendshme.

A nevojitet ndonjë përgatitje e veçantë përpara këtij testi?

Testi i tolerancës ndaj laktozës kryhet në gjendjen esëll, pra pacienti nuk duhet të ketë konsumuar ushqim rreth 6 orë përpara.

Çfarë duhet të sqarohet përpara këtij testi?

Asnjë sqarim i veçantë nuk është i nevojshëm përpara testit të tolerancës ndaj laktozës.

Si realizohet ky test?

Fillimisht, matet niveli i sheqerit në gjak nëpërmjet shpimit në mollëzën e një gishti të dorës (gishti i katërt), dhe vlera shënohet për ta krahasuar më pas me vlerat e tjera. Pas pirjes së një solucioni me laktozë, matet përsëri niveli i sheqerit në gjak, çdo 30 minuta përgjatë 2 orëve. Në rastin e mungesës së laktazës (intolerancë ndaj laktozës), niveli i sheqerit në gjak nuk rritet ose rritet pak, pasi sheqeri që përmbahej në solucionin që u pi nuk u thith në zorrën e hollë. Nëse niveli i sheqerit rritet me më shumë se 20 mg/dl (krahasuar me vlerën fillestare), përjashtohet mungesa e laktazës, pra personi nuk ka intolerancë ndaj laktozës.

Kur përdoret ky test?

Testi i tolerancës ndaj laktozës shërben për diagnostikimin e intolerancës ndaj laktozës dhe kryhet tek personat me çrregullime të tretjes të dyshimta për këtë problem.

Arsyet e shpeshta për kryerjen e Testit të tolerancës ndaj laktozës janë:

A paraqet rreziqe ose efekte të padëshiruara ky test?

Testi i tolerancës ndaj laktozës është përgjithësisht i parrezikshëm. Në prani të intolerancës ndaj laktozës, disa orë pas testit mund të shfaqen çrregullimet përkatëse, për shkak të solucionit të laktozës të përthithur në zorrën e hollë. Të tilla janë: fryrja e barkut, diarrea, dhimbjet e barkut. Shpimet e përsëritura në mollëzën e gishtit për matjen e nivelit të sheqerit në gjak mund të jenë të dhimbshme, por meqenëse ato bëhen në anë të mollëzës, janë më pak të dhimbshme sesa në mes saj.

Dr. med. Fritz Grossenbacher

Fritz Grossenbacher ka studiuar Mjekësi në Bern. Ai zotëron një master në Edukim Mjekësor (Medical Education) nga universitet e Bernës dhe Çikagos dhe një Çertifikatë në "Teaching Evidence based Medicine" nga Qendra e Mbretërisë së Bashkuar Cochrane në Oksford.

Doris Zumbühl

Doris Zumbühl është një asistente klinike e diplomuar në Mjekësi. Ajo ka kryer disa kurse trajnimi te avancuara në gazetari, IT dhe përpunim grafik.

Dr. Yllka Themeli

Yllka Themeli ka studiuar Mjekësi të përgjithshme në Tiranë. Është specializuar në Endokrinologji, fushë në të cilën ka kryer edhe studimet pasuniversitare, si Masterin dhe Doktoraturën. Prej 18 vitesh specialiste Endokrinologe dhe njëkohësisht Pedagoge në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës.