Tushe rektale (Ekzaminimi rektal)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)

Çfarë është tusheja rektale?
Tusheja rektale është një ekzaminim gjatë të cilit gishti tregues futet në anus për të prekur rektumin, dhe tek meshkujt, edhe prostatën. Njihet edhe si ekzaminimi i rektumit me gisht. Ajo shërben në radhë të parë për parandalimin e kancerit, sepse ka për qëllim zbulimin e hershëm të kancerit të rektumit dhe të prostatës. Diagnostikimi i prostatës plotësohet, edhe me vlerësimin e nivelit të PSA-së në gjak.
Tusheja rektale është një ekzaminim i Mjekësisë së përgjithshme, i Urologjisë, i Gjinekologjisë dhe Gastro-Enterologjisë, që është degë e Mjekësisë interne (të organeve të brendshme).
A nevojitet ndonjë përgatitje e veçantë përpara tushesë rektale?
Tusheja rektale mund të kryhet pa ndonjë përgatitje të veçantë.
Çfarë duhet të sqarohet përpara këtij ekzaminimi?
Asnjë sqarim i veçantë nuk nevojitet përpara kryerjes së tushesë rektale.
Si realizohet tusheja rektale?
Tusheja rektale është një ekzaminim i thjeshtë, i shpejtë dhe pa rreziqe, që zgjat vetëm 1 minutë. Pacienti shtrihet në anë, me këmbët e mbledhura. Pasi vendos një dorezë sterile (vetëm me një përdorim), mjeku fut me kujdes dhe nëse është e mundur, pa dhimbje, gishtin tregues të lubrifikuar në anus, deri në rektum. Ai prek rektumin me gisht, me lëvizje rrethore, duke kërkuar ndryshime të mundshme të mukozës së tij. Gjithashtu, ai kontrrollon edhe funksionin e sfinkterit të anusit, si në gjendje të lëshuar ashtu edhe në gjendje të tkurrur. Tek meshkujt preket edhe prostata (Ekzaminimi i prostatës).
Kur nevojitet tusheja rektale?
Tusheja rektale shërben për diagnostikimin e sëmundjeve të rektumit dhe të anusit, si edhe për diagnostikimin e sëmundjeve të prostatës dhe zbulimin e kancerit të saj.
Arsyet më të shpeshta për kryerjen e tushesë rektale janë:
- Dhimbjet e barkut
- Prania e gjakut në materialet e jashtëqitura
- Hemorroidet
- Fisura anale
- Abcesi ose fistula e zonës së anusit
- Çrregullimet e jashtëqitjes
- Defekimi i pavullnetshëm
- Problemet gjatë urinimit
- Hipertrofia beninje (hiperplazia) e prostatës
- Kanceri i prostatës
- Kanceri i rektumit
- Dyshimi për apendisit
- Zbulimi i kancerit: kanceri i prostatës, kanceri i rektumit
A ka rreziqe tusheja rektale?
Ky ekzaminim është i sigurt. Sidoqoftë, ai shpesh referohet nga pacientët si i parehatshëm ose i pakëndshëm, por zakonisht nuk është i dhimbshëm. Dhimbja është e mundur në rastet me ndryshime inflamatore (si psh. abcesi).