Kapsllëku (Konstipacioni)
Kontribuesit (Dr. med. Fritz Grossenbacher, Doris Zumbühl, Dr. Yllka Themeli)
Kapsllëku është një nga çrregullimet më të shpeshta të tretjes. Me termin "kapsllëk" nënkuptohet një vështirësi për të jashtëqitur ose një rënie e shpeshtësisë së jashtëqitjes. Ajo ndryshon nga një person në tjetrin dhe varet, ndër të tjera, nga dieta dhe nga mosha e personit. Jahtëqitja normale varion nga 3 herë në ditë deri në tre herë në javë.
Njerëzit që vuajnë nga kapsllëku shpesh ankohen për:
- jashtëqitje tepër të forta
- një rënie në shpeshtësinë e jashtëqitjes
- vështirësi në realizimin e aktit të jashtëqitjes, madje edhe dhimbje gjatë tij
- jashtëqitje të forta, në sasi të pakët
- një ndjenjë e zbrazjes jo të plotë pas defekimit
Në terma mjekësorë, bëhet fjalë për kapsllëk kur për disa muaj, manifestohen të paktën dy prej kritereve të përmendura më poshtë:
- dy jashtëqitje në javë ose më pak
- defekimi është i mundur vetëm nëse ushtrohet forcë
- materialet e jashtëqitura (feçet) janë të forta
- ndjesia e defekimit nuk është e plotë
- ndjesia e një bllokimi të anusit (vrimës së jashtëqitjes)
- defekimi është i mundur vetëm me anë të përdorimit të duarve, p.sh. duke përdorur një gisht
- feçet zbuten vetëm pas marrjes së laksativëve (nxitësve të defekimit)
Çrregullime të njëkohshme me kapsllëkun: ngopja e shpejtë, fryrje e barkut, dhimbje stomaku, dhimbje barku, jashtëqitje me gjak, dhimbje gjatë defekimit, diarre e alternuar me kapsllëk.
Ka tre shkaqe të lidhura me zorrët, që mund të çojnë në kapsllëk:
- Sëmundjet e organeve: sëmundje fizike, të tilla si sëmundjet e zorrëve, sëmundjet e nervave që rregullojnë zorrët, sëmundjet metabolike dhe çrregullimet hormonale.
- Efektet e padëshiruara të medikamenteve
- Çrregullimet funksionale: në të tilla raste kapsllëku nuk është pasojë e asnjë sëmundjeje dhe asnjë medikamenti të përdorur. Ekzistojnë tre lloje të çrregullimeve funksionale:
- Pakësimi i lëvizshmërisë së zorrëve: transportimi i përmbajtjes së zorrëve në rektum ngadalësohet.
- Kapsllëku funksional: koha e transportit është normale, por shkaku i problemit qëndron në prirjen për të mbajtur jashtëqitjet, ose tek stresi.
- Bllokimi i defekimit, që lidhet me çrregullimin e dyshemesë së legenit
Shkaqet fizike të kapsllëkut:
- Sëmundjet e zorrëve: sindromi i zorrës së irrituar, hemorroidet, fisura anale, kanceri i zorrës së trashë.
- Sëmundjet nervore: skleroza e shumëfishtë, sëmundja e Parkinsonit, traumat e shtyllës kurrizore, sëmundja e Hirschsprung (çrregullimi i lindur i nervave që inervojnë zorrët).
- Sëmundjet metabolike /hormonale: diabeti i sheqerit, hipotireoza, hiperparatireoza.
Faktorë të përgjithshëm që mund të kontribuojnë në kapsllëk:
- Kequshqyerja (shumë e pasur me yndyrë dhe proteina, e varfër në fibra)
- Marrja e pamjaftueshme e lëngjeve/ujit gjatë ditës
- Mungesa e aktivitetit fizik /jeta sedentare (ose regjimi i detyruar në shtrat)
- Ndryshimet në ritmin e jetës (stresi, udhëtimet)
- Mbajtja e jashtëqitjes (për shkak të largësisë nga tualetet, mbledhjet, etj.)
- Shtatzënia (mitra shtyp zorrën)
- Medikamentet (analgjezikët, anti-depresantët dhe shtesat e hekurit)
- Abuzimi me produketet laksative
Për sa kohë që kapsllëku nuk është pasojë e një shkaktari fizik ose ndonjë medikamenti, mund të përmirësohet me mënyrat e mëposhtme:
Masat e përgjithshme
- modifikoni dietën: shtoni gradualisht marrjen e fibrave, konsumoni më shumë perime dhe sallata
- shtoni sasinë e lëngjeve
- kryeni aktivitet fizik në mënyrë të rregullt
Laksativët kundër kapsllëkut
- Laksativët mund të përdoren si plotësues të masave të përmendura më sipër. Aktualisht ekzistojnë laksativë me efikasitet afatgjatë, për sa kohë që mënyra dhe sasia e përdorimit të tyre respektohen mirë. Për këtë, konsultohuni me mjekun apo farmacistin tuaj i cili do t'ju ndihmojë në zgjedhjen e laksativit të duhur për nevojat tuaja.
- Si një alternative e shëndetshme konsiderohen rregullatorët natyralë të jashtëqitjes, si krundet e grurit, farat e linit ose fiqtë.
Si rregull i përgjithshëm, duhet të konsultoheni me një mjek për çdo ndryshim të jashtëqitjes, pavarësisht nëse kjo ka ndodhur papritur apo vazhdon për një kohë të gjatë.
Konsultimi mjekësor është urgjent në rastet e mëposhtme:
- Kapsllëk i papritur, i shoqëruar me dhimbje të forta të barkut
- Dhimbje gjatë defekimit
- Feçe me gjak ose të zeza
- Simptoma të përgjithshme, si humbja e vazhdueshme e oreksit, humbja e peshës, lodhja fizike, djersitja gjatë natës.
Nëse keni kapsllëk, me simptomat shoqëruese të përshkruara më sipër, duhet të drejtoheni tek:
- Mjeku i familjes (mjek i përgjithshëm)
- Mjeku Internist
- Mjeku Gastro-enterolog
Për të krijuar një ide mbi çrregullimet aktuale dhe shkaqet e mundshme të kapsllëkut, mjeku fillimisht pyet pacientin lidhur me simptomat e tij dhe historinë mjekësore (anamnezën), pastaj bën një ekzaminim fizik (inspektim, palpim, auskultim, teste funksionale, etj). Më pas, mund të jenë të nevojshme ekzaminime të mëtejshme mjekësore.
Gjatë një sinkopi, pyetja e dëshmitarëve dhe/ose familjarëve është tepër e rëndësishme për të njohur rrethanat e sakta të incidentit.
Identifikimi i çrregullimeve aktuale dhe historia personale e pacientit (anamneza)
- Pyetjet në lidhje me kapsllëkun: kur ka filluar, si është fortësia dhe shpeshtësia e jashtëqitjeve, rrethanat e defekimit (shtrëngimi i fortë, dhimbja, ndihma me anë të duarve), laksativët, etj.
- Çrregullimet shoqëruese (shih më sipër)
- Sëmundjet e mëparshme dhe historia mjekësore, përfshirë traumat dhe operacionet
- Sëmundjet dhe shkaqet e vdekjeve të anëtarëve të familjes së pacientit
- Marrja e medikamenteve
- Alergjitë
- Ushqyerja, sasia e lëngjeve të konsumuara, aktiviteti fizik: cila është dieta e pacientit, sa litra lëngje konsumon në ditë, etj.
- Aktivitetet fizike ditore, javore, etj.
- Zakonet: stimuluesit (kafe, alkool, duhan, droga), gjumi, stresi etj.
- Mënyra e jetesës, aspektet sociale dhe profesionale
Ekzaminimi fizik
Mjeku palpon dhe auskulton barkun e pacientit. Gjithashtu, ai inspekton zonën e anusit dhe kryen tushenë rektale.
Ekzaminimet plotësuese ose të veçanta:
- analizat e gjakut
- testi i gjakut okult në feçe
- Kolonoskopia (ekzaminimi pamor i zorrës së trashë): rekomandohet për njerëzit mbi 50 vjeç që vuajnë nga kapsllëku kronik, sipas rastit edhe në pacientët e moshës 40-50 vjeç. Pacientët më të rinj se 40 vjeç kërkojnë kolonoskopi vetëm nëse rastet e kancerit të zorrëve në anëtarët e familjes.
- Ekografia e barkut
- Ekzaminime të veçanta: p.sh. testi i presionit në rektum, vlerësimi i lëvizshmërisë së zorrëve dhe kohës së transportit të feçeve, ekzaminimi i dyshemesë së legenit nëpërmjet rezonancës magnetike (MRI).
- Ekzaminimi Gjinekologjik
Trajtimi i kapsllëkut gjithmonë varet nga shkaku i tij. Në rast se nuk gjendet ndonjë shkak i vërtetë, ndryshimi i dietës dhe i mënyrës së jetesës kanë përparësi.
Trajtimi i shkakut
Nëse shkaktare e kapsllëkut ka rezultuar një sëmundje fizike, së pari duhet trajtuar ajo (p.sh. hypotireoza, depresioni, etj). Nëse kapsllëku është efekt i padëshiruar i ndonjë medikamenti, mjeku duhet ta zëvendësojë medikamentin me një tjetër, të ngjashëm me të dhe pa këtë efekt të padëshiruar.
Masat e përgjithshme (ndryshimi i stilit të jetesës)
- Pirje e mjaftueshme e lëngjeve
- Ndryshimi i mënyrës së ushqyerjes: më pak yndyrë dhe proteina, më tepër fibra, perime dhe sallata.
- Shtim i aktivitetit fizik
- Evitim i stresit dhe shkarkimi i tij (me joga dhe teknika te tjera relaksuese)
- Gjatë çrregullimeve të dyshemesë pelvike: rehabilitimi i saj (biofeed-back)
Medikamentet dhe laksativët që rregullojnë jashtëqitjen
Nëse masat e mësipërme nuk rezultojnë të mjaftueshme për të kontrolluar kapsllëkun, mjeku mund të rekomandojë medikamente ose produkte që rregullojnë proçesin e jashtëqitjes. Duke pasur parasysh numrin e madh të këtyre produkteve, përfitimet dhe efektet e padëshiruara të mundshme, duhet të këshilloheni me mjekun përpara përdorimit të tyre. Produktet laksative natyrore, si krundet e grurit, farat e linit ose fiqtë janë një alternativë tepër e shëndetshme dhe pa efekte të padëshiruara për pacientin.